Viktima e parë e ‘Panama Papers’, dorëhiqet kryeministri i Islandës

Pas rrëzimit të kërkesës së tij për të shkrirë parlamentin nga ana e Presidentit të Islandës, Kryeministri vendit Sigmundur Gunnlaugsson ka vendosur që të japë dorëheqjen.

Prej dy ditësh tashmë në Islandë mijëra qytetarë janë ngritur në protesta, duke kërkuar largimin e tij.

Kjo pas dokumentave të publikuara nga ‘Panama Papers’, ku tregohej se gruaja e kryeministrit, së bashku me të, kishin një kompani offshore.

Sigmundur Gunnlaugsson akuzohet se ka fshehur miliona dollarë përmes një kompanie që ai dhe gruaja zotëronin. Dokumentat për të janë pjesë e informacioneve të rrjedhura nga firma ligjore panameze Mossack Fonseca.