Deputetët socialistë që shkojnë tek Agron Duka

Pas 25 vjetësh Partia Agrare Ambientaliste e drejtuar nga Lufter Xhuveli ka një kryetar të ri. Agron Duka, deputeti i disa legjislaturave dhe ish-ministri i Bujqësisë është zgjedhur dje nga Asambleja e PAA si kryetar i kësaj partie. Zgjedhja e Dukës ka ardhur pas dorëheqjes se Xhuvelit nga drejtimi i partisë.

I njohur si ish-ministër i suksesshëm i Bujqësisë, Duka ka më shumë se një arsye për të qenë pjesë e Partisë Agrare. Në një vend që më shumë se gjysmën e popullsisë e ka në fshat dhe të vetmet produkte që importohen janë ato të bujqësisë, blegtorisë e peshkut ka nevojë për një Parti Agrare  e cila në thelb ka elektoratin më të madh politik, nëse drejtohet mirë dhe strategjia e saj mbetet bujqësia. Në të gjitha projektet qeveritare agro-biznesi shihet si çelësi i zhvillimit ekonomik të vendit. Është një grup votuesish që shtrihet që nga zonat më rurale të vendit dhe deri sipërmarrjet e mëdha të produkteve bujqësore. Ky elektoral, në rast se gjen një përfaqësim politik të interesave të tyre mund braktisin partitë e mëdha dhe të afrohet drejt një parie që mendon për ta. Partitë kryesore janë orientuar drejt biznesit të madh të shërbimeve; tregut të naftës, tregut të makinave, apo ndërtimit, duke harruar se në Shqipëri ata që prodhojnë vërtetë produkte “Made in Albania” dhe që duan mbështetje janë; fermerët, blegtorët, sektori i peshkimit, etj.  Ky elektorat i harruar, i përbuzur dhe gjithmonë i shtypur nga ligjet që bëhen në favor të produkteve të huaja duke dëmtuar prodhimin vendas është një bazë e mirë votash për çdo parti politike. Dhe Agron Duka, si ish-ministër i Bujqësisë në këtë pjesë është në fushën e tij më shumë se tek Partia Republikane, apo të forcat e tjera të opozitës. Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për parti që bëjnë programe të mëdha për biznesin industrial, kur në fakt ne nuk kemi fare industri. Shqipëria ka nevojë për parti që kanë projekte konkrete për fermerët dhe agro-biznesin, pasi realisht është i vetmi sektor që punëson më shumë njerëz dhe prodhon produkte në vend.

Në deklaratën e bërë dje për mediat pas zgjedhjes, deputeti Agron Duka vendosi piketat e projektit të tij politik në drejtimin e partisë. Por ajo që ra në sy është ai nuk do të jetë përfaqësuesi i vetëm i Partisë Agrare në Parlament. Duka u shpreh se është në bisedime dhe gjatë ditëve në vijim mund të ketë deputetë të tjerë që do t’i bashkohen Partisë Agrare. “Parlamenti Shqiptar ka shumë njerëz që kanë të tillë begraund dhe kanë dëshirë të mbrojnë interesat e qytetarëve që PAA përfaqëson. Jemi në bisedime, mund të kemi në të ardhme, jo surprizë, por bashkim të deputetëve të tjerë”,- tha dje kreu i PAA. Pra që në fillim PAA me disa deputetë.

Edhe pse ai nuk e quajti surprizë, largimi i disa deputetëve nga partitë kryesore drejt partisë më të re parlamentare pritet të jetë zhvillim i rëndësishëm politik i kohëve të fundit. Çështja është se nga cila parti politike do të jenë deputetët që do t’i bashkohen PAA-së? Duka është në parlament si pjesë e opozitës dhe nga rreshtat e tkurrur të PD-së, pas ikjes së çamëve dhe disa deputetëve të tjerë drejt LSI-së, nuk ka mbetur njeri për të ikur. Nga ana tjetër, Duka shprehet se është pjesë e opozitës dhe afrimi i deputetëve PD tek PAA nuk ka ndonjë ndryshim të madh, të paktën në balancat mazhorancë-opozitë. Sipas disa informacionëve janë të gjitha gjasat që disa deputetë të Partisë Socialiste t’i bashkohen Agron Dukës në Partinë Agrare. Gjatë tre viteve në pushtet në mesin e ligjvënëse të PS-së janë krijuar pakënaqësi të mëdha me drejtuesit e partisë dhe qeverisë. Kjo gjë duket se e ka bërë të pamundur bashkëjetesën e mëtejshme në PS mes deputetëve të pakënaqur dhe pjese tjetër të grupit parlamentar. Ndaj dhe një kalim i tyre drejt një partie të re shihet si e vetmja zgjidhje. Njeri deputet nuk është i panjohur nga rradhët e PS-së.

Agron Duka ka hyrë në politikë nga Partia Socialiste. Ka qenë deputet dhe ministër i saj dhe pavarësisht se është larguar ka ruajtur marrëdhëniet njerëzore dhe politike me mjaft politikanë të Partisë Socialiste. Ndaj dhe kalimi i disa deputetëve të PS-së drejt PAA mund të jetë një vendim i natyrshëm politikë.

Nga ana tjetër, Partia Socialiste është në fazën me kritike të jetës së brendshme politike pas ardhjes në pushtet. Një grup deputetësh, si Ben Blushi, Arta Dade, Mimoza Hafizi, Namik Kopliku kanë shprehur hapur pakënaqësinë ndaj qeverisjes dhe drejtimit të partisë nga Edi Rama. Veç këtyre ka dhe të tjerë, që pakënaqësitë nuk i kanë shprehur në publik, por janë anashkaluar nga vendimmarrja në PS. Zakonisht kundërshtarët e Ramës në grupin parlamentar nuk janë futur më listat për deputet në zgjedhjet e radhës. Për të shmangur përjashtimin nga politika në 2017, një pjesë e deputetëve mund kenë nisur të bëjnë dhe llogaritë për të ardhmen e tyre. Partia Agrare, tashmë jo e Xhuvelit, por e një ish-socialisti si Agron Duka është një mundësi. Ish-ministri socialist ua la hapur derën dje ish-kolegëve të tij. Në fakt tashmë Duka synon ta kthejë PAA në një parti konkuruese elektorale, ku në Durrës e ka të sigurtë një deputet, në Fier-Lushnjë një tjetër, në Elbasan ka llogaritur një kandidat të fortë, kurse në Shkodër e Malësi të Madhe e ka piketuar emrin sfidues ndaj partive. Por këto janë sinjalet e para që vijnë nga selia e PAA, të cilët sapo kanë lenë kryetarin historik Lufter Xhuveli dhe janë në drejtimin e një politikani shumë popullor e praktik si Agron Duka. Mbrëmë një deputet i PS-së u pa nën shoqërinë e Dukës në Durrës. Mos është ai i pari që kalon me PAA-në?