Basha: Zgjedhje të lira. Kam marrë mbështetjen e plotë nga SHBA

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha e cilëson prioritetin numër 1 zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Nga qyteti i Shkodrës ku mori pjesë në kremtimin e pashkëve katolike, kreu demokrat tha se gjykimi popullor do ta nxjerrë në opozitë mazhorancën aktuale, por siç tha ai, qeveria po merr të gjitha masat që paratë e korrupsionit dhe njerëzit e inkriminuar të angazhohen për të grabitur zgjedhjet.

Basha: Ato 1 miliardë e 200 milionë dollarë që i mungojnë buxhetit të shtetit, që nuk u bënë kurrë shkolla, spitale, rroga, pensione, i bien 400 dollarë për frymë, nga ato 400 dollarë për frymë, këta mendojnë se ditën e zgjedhjeve duke iu ndarë nga 20 apo 15 dollarë për frymë do t’i blejnë edhe katër vitet e ardhshme. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë domosdoshmëria numër një që Shqipëria të ecë përpara dhe këtu kam kërkuar dhe kam marrë mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Cilat janë kërkesat e opozita për zgjedhjet? Kreu demokrat renditi tre kushte, sipas të cilit opozita kërkon që të zbatohen. I pari është votimi dhe numërimi elektronik, çka sipas Bashës, kufizon mundësinë e krimit që të blejnë votuesit.

Një kusht tjetër është kufizimi i parasë në fushatë, kërkesë e paraqitur më herët edhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

Basha: Duke parë modele edhe të financimit 100% të partive politike nga financat publike dhe kriminalizimin e financimit privatë.

Kushti i tretë është auditimi strikt i shpenzimeve të partive politike.

Basha: Po të shohësh se çfarë shpenzojnë e kupton se interesat e tyre të lidhura me interesat e oligarkëve mundësojnë që në fushatat elektorale të hidhen miliona e miliona euro në çdo qytet, me një qëllim, kapjen dhe blerjen e vullnetit të qytetarëve.

Basha foli në Shkodër edhe për dekriminalizimin si dhe për reformën në drejtësi. Për këtë, ai theksoi se duhet të ngrihet një Byro Hetimi e pavarur që të ndëshkojë zyrtarët e lartë të korruptuar.

Basha: Reforma në drejtësi po jo ashtu siç e do kryeministri, që t’i presë këmbët, duart, gjuhën drejtësisë në mënyrë që të mos veprojë aty ku duhet të veprojë sa më parë, ku është lufta kundër korrupsionit. Por një drejtësi të pavarur, profesionale, të trajnuar nga SHBA-të.

Një Byro Kombëtare të Hetimit që detyrë të parë të kenë vënien para drejtësisë të zyrtarëve të nivelit  të lartë që vjedhin shumat e parave në nivele të tilla marramendëse. E  duke bërë këtë deprivojnë fëmijët dhe familjet shqiptare nga buka e gojës, nga vendet e punës dhe nga zhvillimi. Këto janë tre çështjet për të cilat në Uashington kam marrë jo vetëm mirëkuptim por edhe mbështetje të madhe.