Tension në Elbasan mes Ramës dhe Blushit

Pas përfundimit të fjalës së Kryeministrit Edi Rama në Elbasan, transmetimi live i evenimentit ku po jepeshin karta të reja anëtarësimi ka përfunduar. Fjalën pas Ramës e ka marrë Zv. Kryeministri Niko Peleshi, ndërsa më tutje, në sallë ka hyrë sërish deputeti socialist Ben Blushi, i cili është pritur me fishkëllima në sallë. Pas akuzave dhe kundërakuzave në distancë mes të dyve, Ben Blushi e ka pyetur përballë Kryeministrin se përse nuk po bën zgjedhje për kreun e PS-së.

“Juve ju kanë marrë votën. Po e pyes Edin përballë: pse nuk do zgjedhje në PS? Këtu ka banditizëm, dhe banditët janë këtu dhe në Parlament. Nuk vij në Elbasan se ndihem i turpëruar. Nuk kam frikë të them të vërtetën, fërshëlleni sa të doni. Për mua nuk ka rëndësi partia, por Shqipëria. Nuk na duhet një parti e një njeriu. Ju kërkoj të më dëgjoni, kam ardhur si deputet”, tha deputeti Blushi.

Më pas socialisti ka dalë nga salla, ku është pritur nga media, e cila e ka pyetur atë për fishkëllimat që ka marrë nga anëtarët brenda sallës së sportit në Elbasan. Ben Blushi ka thënë se është i lumtur që në PS ka anëtarësime të reja dhe njerëz të rinj në parti, por ka shtuar se nuk ka frikë nga vërshëllimet.

Në përfundim të takimit brenda pallatit të sportit në Elbasan, deputeti Ben Blushi foli jashtë për mediat duke sqaruar incidentin e ndodhur në prani të kryeministrit Rama dhe deputetëve të tjerë socialistë. Më poshtë fjala e tij e plotë për gazetarët.

Unë kam disa kohe që kërkoj të jem në çdo takim. Sot isha i paftuar. E kam marrë vesh rastësisht. Kam kërkuar fjalën e m’u dha. Ky gjyq ndaj shkrimtarëve. Paskam bërë një gabim të madh se paskam bërë një libër. Keto lloj gjyqesh kanë ndodhur në vitin 73. Këtu u bë gjyq edhe për librat tani. Shkoi pak larg.

Nëse kam bërë një gabim është fakti që kam ardhur pa ftesë në një qytet ku jam zgjedhur deputet. Njerëzit e sigurisë mbajtën disa njerëz që ishin shumë të dhunshëm. Nuk kam arsye të largohem në një sallë ku kam ardhur për të folur.

E pashë që ishin shumë të acaruar dhe mesa di dikush i ka organizuar. Unë e di dhe ju e dini.

Njerëzit janë të varfër dhe të mërzitur. Ka një acarim të përgjithshëm. Po të kishte qenë një sallë pak më e qetë do të kisha më shumë kohë për të shpjeguar për cfarë po kandidoj.

Të mos pranojnë të hyjnë një parti që ka anulluar votimin. Iu drejtova personalisht pse nuk do të votohet. Nuk kam shkelur asnjë statut. Ka forume ku duhet të flasësh. Sic dihet botërisht ka tre vjet që nuk mblidhet as asambleja dhe as Kryesia

Po kërkoj të shkoj në një kongres që i jep mundësi kanditatëve të shpallin platformën e tyre. Kjo ishte një sallë relativisht e acaruar.

Përshëndetjen që i bëra atyre do jua them dhe ju. Nuk është e imja e ka thënë në një moment të vështirë Lasgush Poradeci i cili është detyruar të përshëndesë disa miq.

“Gjigandë apo shkurtabiq ju përshëndes me mall or miq”. Kjo është ajo që kam për të thënë për ata që ishin aty dhe për ata që nuk mendojnë si unë.