PD-së i duhet popull për protestë jo dhëndurë

Nga Ilir Levonja*– Gjysmanllëk babam, gjysmanllëk! Kështu është…  Kujt t’ia dedikojmë këtë gjysmanllëk? Shoqërisë civile dje? Apo opozitës sot? Kujt? Gjysmanllëk, sherr, estradë…

Tek ne çdo gjë kthehet në sherr gjysmak. Sherr gjelash dhe klithmash. Aq sa asnjëherë, asgjë nuk merret seriozisht. E për rrjedhojë, është krijuar një gjëndje e atillë, një soj jete, ku nuk ka mbetur më, këmbë burri apo robi që t’i peshojë fjala. Të gjithë vetëm se shajnë dhe bërtasin. Të gjithë duket sikur përdorim njëri-tjetrin. Ndaj dhe pamja është e atij trenit me vagonat e ndryshkur. Një soj butaku që zvarritet gjerdhishtave të avllive nëpër lagjet katrahurë në Shqipëri.

1) Shoqërisë civile … (dje) Ne na pëlqen të krahasohemi. Sheshi Taksim në Stamboll. Protestat e 2013-ës. Parku nga kodrat e liqenit. Duhet apo nuk duhen aty, një kënd lojrash për fëmijët? Indinjata ndaj atij që i besuat me 1 milion vota etj.

Në fakt e mira e do që, sikur edhe njëqind veta të kundërshtojnë…, të përfshihet në biseda shoqëria civile. Të përfshihen edhe institucionet e memories së trashëgimisë kulturore. Për të biseduar. Për të vendosur me votë të përbashkët po apo jo. Dhe kaq. Nuk ka përse gjithçka të kthehet në sherr gjelash. Apo parodi estrade me tipit të dinim djalë për së mbari.

Janë një milion vota që ju i dhatë. Një milion. Por puna është se, këto vota ju i jepni me inatin e postulatit shqiptar. Që, për inat të sime vjerre, po shkoj të fle me mullixhiun. Sa vjet në pushtet e mbajtët shoqërinë Rama dhe Veliaj. E pra …, sot nuk keni përse habiteni. Nuk keni përse kërkoni edhe ndjesë publike. Pasi kjo puna e të kërkuarit ndjesës, tek ne përkthehet edhe një dekadë më shumë pushtet.

Sheshi Taksim është një histori e madhe. Për shkak të trashëgimisë kulturore që nga otomanizmi. Mirëpo arsyeja më e parë e kundërshtisë civile turke, ishte fakti i një rezultati të hidhur nga eksperienca Erdogan. Ky ka të bëjë me prerjen e pemëve. Ai njihet tashmë si ish kryeministri shfarosës i pemëve shekullore në ndërtime rrugësh, aeroportesh apo dhe tregje tregtare të tipit Moll. Që ndryshe përkthet pazar madern si ay që ne i themi Tegu. Në këtë drejtim keni pikëpjekje. Megjithëse jo vazhdimësi. Ne Turqinë e marrim gjithmonë si referencë. Kur duam të tregojmë diçka që i ka ikur koha. Por fakti është ndryshe. Turqia dhe koha ka fluturuar vet. Kurse ne akoma.

Sado e vogël qoftë historia e pyllit, parkut në kodrat e liqenit. Eshtë mirë të ruhet siç njihet. Si pylli i lirizmit dhe i shfrenimit të dashurisë. Por me sa di unë, ajo qetësi ka mbaruar me kohë. Qysh sa tek nisi rrugën e përvujtuar e ashtuqujtura demokracia jonë. Kënde lodrash duhet të ndërtohen pranë banesave. Sot praktika aktuale përfshin kënde lojrash, kudo, më së pari në ndërtimet e reja. Por nuk përjashtohet edhe parqet e mëdha, ato të argëtimit dhe pikniqeve etj. Dhe këtu nuk asgjë të keqe.

Ndaj nga do që të kthehesh, ka vetëm një zgjidhje…, bisedim dhe vendimarrje pa sherr.

2) Opozitarizmit … PD-ës, duhet popull për protestë jo dhëndurrë. Jo statute fb. Jo djem nomeklature që akoma flasin për luftë klasash. Ata që e shpikën luftën e klasave. Duhet popull. Duhet revansh. Duhet frymë. Duhet energji. Dhe këto vinë nga gjindja. Gjindja që ka vraga, vrrata, lot. Gjindja e lodhur nga tranzicioni i përjetshëm. Nga pronësimet e shpronësimet. Nga gjindja e papunë. Nga gjindja që ecën më këmbë. Jo gjindja me Volsvagen Tuareg. Ajo që ka shtëpi këtu, shtëpi atje. Duhet gjindja që kollitet herët në mëngjes. Ajo që vuan nga mos kultura e të ushqyerit. Duhet popull… Jo kontesha plot pudër, të provuara e stërprovuara. Gra që flasin me mendësi prej burri patriarkal. Duhen nëna që japin gjak për të rritur fëmijët. Nëna që janë kthyer obeze nga papunësia në shtëpi. Nëna me halle njerëzore. Jo me halle librezash dhe sallone mode. Duhet popull. Fytyra të reja. Jo xhekata të kthyera. Duhen njerëz që dinë të qajnë. Jo domate me hormone.

Duhet gjindje nga ata që përmbytjet e vitpasvitshme, i nxorrën ugareve të Zejmenit, Çermës. Ugareve të Gjanicës dhe Vjosës.

Duhet gjindje nga ajo që ndahen dita ditës në lëndinën e lotëve shqiptare.

Duhet mërmërimë tërmeti që kërkëllon bulevardet.

Opozitarzmi kështu? Me dhëndurrë, etj. Duket si një strategji për të mbajtur në pushtet pikërisht këtë që po shajmë, pështyjmë, përdhosim njëzet e katër orë. Papushim, me prag shtëpie.

Edhe një herë…., opozitarizmi është populizëm.

Kjo qeverisje do kishte rënë me kohë nëse opozita do bëhej me popull. Por me sa duket që pikërisht këtë nuk do opozita jonë.

Gjysmanllëk babam, gjysmanllëk.

*Shënim: Titulli është i redaksisë. Titulli orgjinal i artikullit është “Gjysmanllëk babam, gjysmanllëk!”