Dashamir Shehi: Berisha të heq dorë nga protagonizmi, nuk i bën mirë PD

Flet për “Koha Jonë”, deputeti Dashamir Shehi:  “Rama, njëlloj si Berisha, kontrollon ministritë me levat e partisë”

Intervistoi: Redjon Shtylla

Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi në një intervistë për “Koha Jonë”, analizon me detaje ligjin e rëndësishëm të dekriminalizimit, ku shpesh pakënaqësinë e mos-ndërtimit të instrumenteve që e bëjnë të zbatueshëm ligjin dhe duhet një ngutje për të treguar një ndryshim për herë të parë. Më z.Shehi ka komentuar reformën e rëndësishme zgjedhore, ku si Kryetar i LZHK-së, ai ka propozuar një Ligj proporcional kombëtar sepse proporcionali rajonal sigurisht që është një skemë e koklavitur dhe që nuk i përshtatet këtij vendi kaq të vogël sa Shqipëria, sipas tij. Përsa i përket se si duhet të jenë listat ai është përgjigjur se ka të njëjtin qëndrim si z.Meta, për:”Lista të hapura sepse u bënë vite që nuk ka asnjë element maxhoritar brenda sistemit, pra populli shqiptar nuk zgjedh më deputetë, zgjedh listën e partisë”. Shehi ka sjellë edhe një herë në kritikë aleatin e tij, PD-në që e cilëson në një situatë tranzicioni sepse: “Kalimi nga pushteti absolut i Berishës, në një pushtet që unë shpresoj se do të jetë më i hapur më demokratik, te z.Basha duhet që z.Berisha të heq dorë nga protagonizmi i ekzagjeruar, se  nuk i bën mirë PD-së”. Më tej z.Shehi e konkretizon në këtë formë fitoren e PD-së për zgjedhjet e ardhshme. “Nëse për hir të fitores së PD-së në zgjedhjet e ardhshme, dikush duhet të bëjë pak mënjanim, unë gjykoj që është në të mirën e të gjithëve e që z.Berisha ta bëjë”. I pyetur për lëvizjet që bëri Kryeministri ditën e djeshme me zëvendësimin e dy ministrave, deputeti demokrat ka thënë se: “Këtu çdo gjë e drejton Kryeministri nëpërmjet levave të partisë dhe kjo ndodh sot me z.Rama, ka ndodhur dje me z.Berisha dhe kjo e ka shuar rolin e ministrit”.

Në fjalën e tij, z.John Kerry u ndal te ligji i dekriminalizimit. Ende po shohim për sa i përket politikës që nuk janë mënjanuar dhe janë pjesë e partisë. A keni besim se ky ligj do të zbatohet dhe do të futet në fuqi?

Unë gjykoj që ky është guri i provës, ligji i dekriminalizimit. Për këtë maxhorancë dhe për këtë opozitë, por në radhë të parë me maxhorancën sepse u debatua kaq shumë, u aprovua me një lloj entuziazmi, u shit si mbërritja më e madhe dhe konsensusi i politikës shqiptare dhe kur vjen puna u bë disa kohë tani që mbaroi kjo punë dhe po i afrohemi zhurmës tjetër, ligjeve të tjera. Kur në fakt duhet të ishin ndërtuar instrumentet që do ta bënin të zbatueshme këtë ligj, këtu instrumentet nuk janë ngritur akoma. Rast të parë nuk kemi, që të merret masë ndaj atyre të ashtuquajtur të kriminalizuar, jo vetëm në politikë, por në të gjithë shoqërinë shqiptare, në të gjithë administratën publike. Unë gjykoj që këto duhen të bëhen sa më shpejt, përpara shtatorit të ashtuquajturit të inkriminalizuarit, të largohen disa personazhe, ndryshe kjo do të jetë një dështim i madh dhe një paradhomë e dështimit dhe për ligjin e drejtësisë, i cili është më i koklavitur dhe kërkon institucione garantuese më të mëdha se sa kjo.

Po për sa i përket formulës të vetëdeklarimit, si ju duket si ide. A do të kemi një ndërgjegjësim nga ana e personave që janë të lidhur me krimin, ta pranojnë këtë formë?

Nuk kam arritur t’i shoh detajet teknike, por unë po them se vetëdeklarimi është një mundësi për t’i dhënë shansin atij që dëshiron të largohet dhe të vetëdeklarohet. Është një mënyrë elegante për të dalë nga skema, për pjesën tjetër do t’i nënshtrohen deklarimeve të detyrueshme. Ligji ka instrumente të plota për të pastruar, mirë po këto instrumente nuk po ngrihen, nuk ka ndonjë ngutje të madhe për këtë punë dhe unë gjykoj nga eksperienca e gjatë që nëse ky ligj nuk zbatohet deri në shtator i këtij viti, nuk ka më vlerë sepse bëhen përgatitja e listave për zgjedhjet dhe sigurisht që, do të quhet lista e re e pastruar. Ndërkohë, ajo pjesa e kriminalizuar ka kohë për të marrë të gjitha masat që të pastrojnë pasurinë e që të gjejnë partnerë të tjerë për sa i përket situatës. Gjykoj që duhet një ngutje për të treguar që entuziazmi nuk qe kot, por një provë që për herë të parë pas shumë vitesh ndërtuam diçka që po funksionon.

Reforma zgjedhore në këndvështrimin tuaj si duhet të ndryshojë? A bashkoheni me z.Meta për lista të hapura?

Unë kam vite që bëj luftë për ta ndryshuar këtë ligj zgjedhor dhe do ta vazhdoj këtë betejë. Kjo ngelet në dorën e dy partive të mëdha, por unë do të përsëris të njëjtin pozicion që kam pasur që prej 10-të vitesh e që e ka ende edhe sot LZHK-ja. Ne kërkojmë një ligj proporcional kombëtar sepse proporcionali rajonal sigurisht që është një skemë e koklavitur dhe që nuk i përshtatet këtij vendi kaq të vogël sa Shqipëria. E dyta proporcionali rajonal krijon forca centrifuge nga qeveria qendrore dhe krijon realiteti elektorale lokale, të cilat në një kohë të tillë që influencat fetare janë rritur mund të prodhojnë edhe elemente negative, kështu që ne i rikthehemi skemës kombëtare. Shqipëria duhet të jetë një kolegj i vetëm, proporcional kombëtar sepse nuk ka më shumë se 1.3 milion zgjedhës dhe kjo do ta ndihmonte Shqipërinë të bashkohet dhe të rrafshonte ndryshimet, jug-veri. Kjo do të ishte një detyrë patriotike edhe për të zvogëluar diversitetin se kjo të çon drejt një centralizimi. E dyta është se ne duam lista të hapura sepse u bë vite që nuk ka asnjë element maxhoritar brenda sistemit, pra populli shqiptar nuk zgjedh më deputetë, zgjedh listën e partisë. Kjo do të krijonte dhe disa elita shqiptare dhe e treta kjo do të demokratizonte dhe partitë nga brenda sepse partitë që po e bëjnë këtë teatër, këtë tallje një votë një njeri, e cila nuk prodhon asgjë, prodhon disa servilë për kryetarin. Me votën e rregullt të qytetarëve shqiptarë, partia do të shikonte se kush do të jetë deputeti më i votuar. Maxhoritar kombëtar dhe lista të hapura, këto janë dy elemente bazë. Ne si LZHK kemi propozuar dhe elementin prim, e kërkojmë që t’i japin fuqi partisë, e cila fiton, e cila ka të drejtën për të qeverisur dhe të mos jetë më peng i marrëveshjeve të pamoralshme, siç ka ndodhur në këto vitet e fundit. Për hir të këtyre marrëveshjeve edhe ekzekutive shqiptari është trajtuar si një byrek, ku gjithsecili kërkon pjesën e vet në shkëmbim të votës. Ky lloj pazari është dy herë i pamoralshëm sepse njerëz me bindje të djathtë kalojnë nga e majta dhe ata me bindje të majta kalojnë nga e djathta dhe e dyta sepse qeverisja, e cila duhet të jetë një trup unik e të mbajë përgjegjësi përpara qytetarëve e justifikon me interesat dhe raportet që ekzistojnë mes partisë së madhe dhe partive më të vogla. Shpresoj që do të ndryshojë dhe mënyra se si do të numërohen votat, se çfarë do të kemi për komisione, do t’i kemi me politikë apo jo. Mënyrat se si do të financohen dhe këtu bie dakord me z.Basha që financimi të bëhet nga shteti, por kam dhe idenë time që duhet të jetë dhe një financim minimal që të mos e ndotim çdo dy vite me fushata, ku derdhen miliarda dhe në qoftë se do të ndryshojnë se do të kemi zgjedhje më të mira.

Byroja Kombëtare e Hetimit, nisi disa javë më parë si një propozim i PD-së, por tashmë po shohim se është tërhequr dhe nuk po e shohim dakordësinë e dhënë. Ju si i shihni këto lëvizje?

Unë nuk e di se çfarë dakordësie ka dhënë PD-ja, por unë gjykoj që ky variant që ka sjellë qeveria në Parlament apo kjo që shihet si projekt i fundit, ku ministri i Brendshëm aprovon Kryetarin e Byrosë dhe më pas propozon dhe merr aprovimin, kjo formë nuk më pëlqen dhe në qoftë se PD-ja e kundërshton dhe unë jam me PD-në në këtë mes. Pse? Kjo Byroja është një trup special hetimor, e cila ka për detyrë që të hetojë këta që janë me shumicë në maxhorancë sepse po të gjykohet opozita me ato që kanë qenë më parë nuk është e nevojshme sepse sot policia e shtetit ka dyqind mijë struktura dhe nuk është e nevojshme që t’u bënte disa speciale sepse bëhet në ato raste për t’i dhënë pavarësi prokurorëve dhe policëve që atakojnë njerëzit me funksione të larta shtetërore. Nëse shefin e kësaj Byroje do ta emërojë ministri i Brendshëm, më falni! Si do ta hetojë ky ministrin e Brendshëm? Që nga ky moment kjo tezë bie. Ky trup hetimor duhet të jetë në varësinë e Prokurorisë, si një strukturë e pavarur edhe pse vetë Prokuroria vetë duhet t’i nënshtrohet ligjit dhe reformimit, por principi duhet të jetë i qartë. Do të bëjmë një trup, i cili do të jetë jashtë strukturës së ekzekutivit. Unë jam për këtë skemë dhe i qëndroj besnik. Kjo maxhorancë e ka numrin e deputetëve dhe mund të abuzojë në çdo lloj mënyre, por unë gjykoj që ditën kjo maxhorancë fut duart te trupi hetimor, këta nuk janë më hetues, por shërbëtorë të maxhorancës.

Pse ka kaq kritika nga themeluesit e Partisë Demokratike për opozitarin Lulzim Basha, ju jeni një ndër ta që e kritikoni qëndrimet e kreut të PD-së?

Unë gjykoj që kritikat e Bashës vijnë nga dy elementë. Së pari një opozitë që vjen nga zgjedhje, ku pati humbje të madhe, nuk e ka të lehtë të ngrihet dhe defektet janë më shpesh të dukshme sesa rastet normale. Dhe e dyta sepse jemi në një periudhë tranzitore, kalimi nga pushteti absolut i Berishës, në një pushtet që unë shpresoj se do të jetë më i hapur më demokratik. Gjatë tranzicionit ka pasur edhe pakënaqësi nga grupe dhe mendoj që në këtë mes ka pika për t’u kritikuar, por unë jam nga ta që akoma beson që Basha do ta fitojë autoritetin e mjaftueshëm, për ta udhëhequr të djathtën shqiptare dhe zgjedhjet drejt një fitore në 2017. Gjatë kësaj kohe kemi pasur shumë zigzage, shumë pozicione që ndryshojmë shpesh herë dhe kjo të çon në idenë se këtu ka persona të tjerë që vendosin ndaj Bashës. Ai ka kohë deri në shtator mendoj unë, që të sqarojë ujërat, idetë, tezat, grupin e lidëve që do ta udhëheqin grupin e PD-së dhe atë të aleatëve që do të shkojë në zgjedhje.

A e shihni dhe ju si një pjesë e kritikave që prezenca e ish-Kryeministrit Berisha, po e hijezon peshën e Bashës?

Z.Basha ishte në bashki në kohët që u bënë zgjedhjet dhe nuk ja vlen të lësh bashkinë më të madhe të vendit për të hyrë në Parlament. Unë them se nuk është e domosdoshme pjesëmarrja e Bashës në Parlament sepse politikë bëhet edhe jashtë Kuvendit, por them që ky protagonizëm i ekzagjeruar i z.Berisha nuk i bën mirë PD-së. Në Parlament duhet t’i lërë hapësirë edhe deputetëve të tjerë të grupit sepse grupi parlamentar nuk është për të ngritur kultin e një individi e as për të mbështetur teza të caktuara të qeverisë së shkuar. Nëse për hir të fitores së PD-së në zgjedhjet e ardhshme, dikush duhet të bëjë pak mënjanim, unë gjykoj që është në të mirën e të gjithëve e që z.Berisha ta bëjë.

Me vitet e eksperiencës që keni, a është e nevojshme dhe e duhur që Kryeministri të shkarkojë ministra dhe të emërojë në një kohë kaq të shkurtër në qeverisje. Si i shini këto ndryshime?

Kjo qeveri nuk ka ndryshuar ndonjë gjë, tre veta ka ndryshuar. Qeveritë në një vend kaq të vogël si Shqipëria, ministrat i përfaqëson Kryeministri dhe të tjerët janë nëpunës të lartë sigurisht dhe kanë rolin e vet, por determinant është vendimi i Kryeministrit. Ndryshime kanë ndodhur dhe do të ketë dhe për vendin tonë unë e quaj një fatkeqësi sepse këtu përzihen kompetencat se po të ishin të qarta çdo ministër duhet të ishte ministër në kabinetin e vet. Këtu çdo gjë e drejton Kryeministri nëpërmjet levave të partisë dhe kjo ndodh sot me z.Rama, ka ndodhur dje me z.Berisha dhe kjo e ka shuar rolin e ministrit dhe duke e shuar rolin e ministrive ka ndikuar dhe në ndryshime. Sot nuk bën më lajm se nesër ikën edhe vjen një ministër tjetër sepse vendimet janë marrë vetëm nga Kryeministri Rama dhe nuk e quaj një tërheqje në raport me demokracinë, me detyrimin që kanë ministrat për t’iu përgjigjur përgjegjësive të veta sepse duke i marrë të drejtat Kryeministri, zvogëlohet roli i tyre dhe shkojnë në sistemin e vjetër ku njëshi ishte gjithçka dhe janë 20-të vende bosh dhe fillon numërimi. Kjo tregon demokracinë e ulët të shoqërisë shqiptare, një ulje të shtetit shqiptar. Këtu ka peshë personi dhe jo institucioni.