Tahiri: As debati dhe as marrëveshja, nuk bëhen me gënjeshtarë

Ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri në seancën parlamentare, gjatë diskutimit për draftin që parashikon ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit u shpreh se drafti është miratuar nga PD. Ai tha se dhe vetë Basha ka bërë ndryshime.

Fjala e plotë e ministrit Tahiri

“Kam përgjegjësinë në emër të detyrës që ushtroj, të sqaroj kuvendin, për një debat që as duhej të ishte debat, për një çështje që nuk duhej të ishte çështje dhe për ca të vërteta elementare, për të cilat kur bihet dakord, nuk ka më nevojë për asgjë tjetër. As për t’i shtuar, as për t’i hequr, dhe për më tepër për të gënjyer.

Në fakt një gjë kuptohet mirë, edhe nga ajo që u diskutua këtu, edhe nga qëndrimet që mban kryetari “formal” i Partisë Demokratike, edhe nga qëndrimet që mban “i vërteti” i Partisë Demokratike. As debati dhe as marrëveshja nuk bëhet me gënjeshtarë. Ashtu siç as lufta dhe as paqja, nuk bëhet me gënjeshtarë e me kalamaj.

Drafti për të cilin kemi rënë dakord është ky këtu, unë e kam në dorë. Këtë draft, ekspertët e PD e kanë parë, e kanë lexuar, e kanë modifikuar. Vetë kryetari formal i PD ka ndërhyrë për të ndryshuar gjëra që i keni pasur merak. Kemi dakordësuar dhe këtu për afro 10 ditë, ju e kthyet në çështje: pse nuk miratoni Byronë, pse nuk miratoni Byronë!? – e  kështu me radhë.

Seancën e kaluar ju kam thënë ndajeni mirë mendjen, se në qoftë se doni që të miratohet Byroja, ndajeni mirë mendjen, se nuk është çështje e vullnetit formal. Është çështje e vullnetit real për të bërë luftën kundër korrupsionit! E për të pasur rezultate.

Nuk ju thashë pa shkak seancën e kaluar, pse nuk mjaftonin deklaratat për luftën kundër korrupsionit; pse nuk mjaftonin deklaratat tuaja për të miratuar Byronë, sepse ishte një betejë politike që nuk i hynte në punë askujt! Për sa kohë ne kishim rënë dakord, për sa kohë drafti do të vinte këtu, do votohej në parlament; për sa kohë ne me partnerët ndërkombëtarë kishim rënë dakord; për sa kohë, ju me ne, kishit rënë dakord! Gjë që e konfirmuat dhe ju më shumë se një herë: – dilnit dhe thonit, drafti është i dakordësuar, drafti është i dakordësuar, kemi rënë dakord, çfarë e mban Edi Ramën peng që nuk e miraton; cila është ajo gozhdë e madhe që e mban peng!? – e kështu me radhë.

Ky është drafti që keni rënë dakord. Ky draft ka ardhur me shkrim, tek mua, me dakordësinë tuaj dhe të partnerëve ndërkombëtarë; ky draft është miratuar në qeveri; ky draft ka ardhur në kuvend! Pse e hani fjalën sot?!

Dhe unë në fakt e kuptoj që nuk është faji i kurrkujt prej jush këtu! E kuptoj dhe sa në vështirësi jeni, e kuptoj që ju duhet të sakrifikoni fytyrën  tuaj për të mbrojtur një njeri që e keni kryetar formal të partisë, e që nuk di as kur thotë po, as kur thotë jo! Nuk mban asnjë lloj përgjegjësie për çfarë bën, edhe kur thotë po, nuk e ka për gjë që nesër të thotë jo. Kjo përballë nesh, kjo përballë partnerëve ndërkombëtarë!

Problemi është real në fakt. Jua them shumë sinqerisht, unë nuk do të doja të gjendeshim në këtë pikë. Madje më mirë të mos kishim dakordësuar fare për Byronë Kombëtare të Hetimit, po të kishim fituar opozitën e vërtetë. Opozitën që kur bën marrëveshje, i rri marrëveshjes. Nuk do të doja kurrë të kishim nëpërmjet dakordësisë për Byronë të kuptojmë, që nuk kemi as opozitë. Kemi një opozitë që nuk di as çfarë bën dhe as nuk i qëndron fjalës që thotë, edhe kur bien dakord. Ne kemi rënë dakord për gjithçka keni pasur ju dhe partnerët ndërkombëtarë sugjerim. Dhe është e kotë të abuzoni edhe me demek rekomandimet e Venecias. Është e kotë të abuzoni edhe me komandën e Byrosë nga Ministri i Brendshëm.

Ja ç’thotë drafti i dakordësuar: “Veprimtaria procedurale penale e Byrosë Kombëtare të Hetimit drejtohet dhe kontrollohet nga prokurori. Prokurori është autoriteti përgjegjës vendimmarrës në lidhje me hetimet e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale dhe legjislacionit në fuqi, i dakordësuar prej jush. Sipas draftit të dakordësuar prokurorët kanë akses të plotë në të dhënat dhe informacionet që lidhen me cilindo hetim të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe mbajnë marrëdhënie të përhershme me punonjësit e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Prokurorët e caktuar mund t’i sigurojnë drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit trajnime dhe procedime disiplinore, të nevojshme për punonjësit e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Drejtori i Byrosë emërohet dhe shkarkohet me miratimin paraprak dhe me shkrim të Prokurorit të Përgjithshëm, dhe po kështu çdo punonjës në Byronë Kombëtare të Hetimit. Byroja Kombëtare e Hetimit është shërbim i Policisë Gjyqësore e kështu me radhë një sërë pikash që i kam shënuar, që i keni kërkuar ju pikë më pikë, dhe keni rënë dakord ju pikë më pikë.

Ky është drafti i dakordësuar gërmë më gërmë. Ju këtë e dini. Pavarësisht se çfarë detyroheni të thoni këtu. Pavarësisht pse me demek solidariteti partiak ju sjell këtu në këtë foltore të mbroni kryetarin formal të partisë. Ju këtë e dini. Ky draft është dakordësuar pikë më pikë. Dhe unë këtë e kam me shkrim, me email-e të shkruara, i kam në email-in tim, me shkrim, sesi keni rënë ju dakord! Çfarë doni t’jua nxjerr tani dhe t’ju them ja ku i keni që keni rënë dakord! Këtë doni?! Kjo është e turpshme. Është e turpshme sepse as debatet, as marrëveshjet pas debateve, nuk bëhen me gënjeshtarë. As lufta, as paqja nuk bëhet me gënjeshtarë dhe me kalamaj. Prandaj është e turpshme. Për këtë arsye ju thashë atë ditë, kur bisedonit këtu në seancë për Byronë Kombëtare të Hetimit, ju thashë: Bëni kujdes kur vini këtu flisni për Byronë Kombëtare të Hetimit, sepse nuk mjafton ta thuash, por duhet të kesh vullnet real. Se nuk duhet të thuash për Byronë Kombëtare të Hetimit, hajde miratojeni dhe dilni siç dolët sot që thoni: Jo po s’e miratojmë dot ne, se kështu është një punë!… Siç nuk mund të bëhej ajo që bëtë për ligjin e dekriminalizimit, ku nga njëra anë kërkonit të miratohej ligji i dekriminalizimit, nga ana tjetër kandidonit një kryetar bashkie, që sapo ishte dënuar për korrupsion. Nuk bëhej as ajo, siç nuk bëhet as tjetra që vini këtu dhe flisni për reformën në sistemin e drejtësisë.

Dhe del ai tjetri dhe thotë: (Lani gojën kur përmendni Gjin Gjonin). Ky është vullneti real që kërkohet, për këtë vullnet real,  kemi folur që në fillim. Për këtë ka nevojë Shqipëria. Nuk ka nevojë për një opozitë që vjen këtu dhe bën sikur me të gjitha gjërat dhe nuk ka lidhje fare me realitetin dhe kjo qoftë për Byronë Kombëtare të Hetimit, qoftë me dekriminalizimin ashtu edhe për reformën në drejtësi. Dhe çfarë kemi kërkuar? Kemi kërkuar që të bëheni dhe ju pjesë pavarësisht se Byroja e Hetimit mund të miratohej me 71 vota. S’ka lidhje fare, as me një ndonjë kompromis të detyrueshëm kushtetues, as me kompromis të detyrueshëm ndërpartiak, parlamentar dhe kështu me radhë, s’ka lidhje fare. Ne realisht besojmë se opozita mund të bëhet dhe ka mundësi reale për t’u bërë pjesë reale e luftës ndaj korrupsionit.

E çfarë po i tregoni sot shqiptarëve. Që nuk doni luftën kundër korrupsionit? Po i tregoni shqiptarëve që jeni vetëm me fjalë për luftën kundër korrupsionit. Po nëse jeni pro luftës kundër korrupsionit, bujrum hajde votojeni, keni rënë dakord. Nëse ju doni që të korruptuarit të shkojnë pas hekurave dhe t’i përgjigjen drejtësisë, bujrum votojeni. Keni dakordësuar për çdo gërmë të këtij drafti.  Nëse ju doni që qytetarët shqiptarë të shpëtojnë njëherë e mirë nga të gjithë ata që korruptohen dhe korruptojnë, bujrum votojeni. Keni dakordësuar për çdo gërmë të këtij drafti.

Unë ju a kuptojë vështirësinë, keni detyrimin t’i shkoni pas një njeriu që formalisht e keni kryetar partie, që ju mban në errësirë totale, që nuk di kur thotë po, nuk di kur thotë jo, nuk është serioz është i papërgjegjshëm, nuk di si sillet me partnerët ndërkombëtarë. Këtej thotë po këtej thotë jo pastaj i ha fjalët. Pastaj thotë: “Nuk kam çfarë t’i bëj Saliut se kështu është një punë”! E keni detyrim këtë dhe ju kuptoj, por të paktën mos sakrifikoni veten deri në këtë pikë sa të dilni këtu dhe të thoni, ndryshuat draftin. Ky është drafti. Mos më detyroni t’ju nxjerr dhe email, mos më detyroni t’ju nxjerr çfarë keni shkruar, çfarë ka shkruar edhe kryetari juaj, vetë kryetari juaj. Mos më detyroni ta bëjë këtë, se kjo nuk shkon. Askush nuk rritet në këtë parlament duke bërë sikur, askush nuk rritet në këtë parlament duke gënjyer. As shqiptarët nuk fitojnë nga pasqyra që ju nxjerr përpara ky draft. Po jua përsëris përsëri, më mirë mos të kishim rënë fare dakord për Byronë Kombëtarë të Hetimit por të paktën të kishim një opozitë të përgjegjshme dhe serioze”.