SHBA ofron ekspertët për aktet nënligjore: Zbatoni dekriminalizimin

Ekspertët e Shteteve  të Bashkuara të Amerikës do të ndihmojnë palën shqiptare në hartimin e akteve nënligjore të ligjit të dekriminalizimit.

Paraditen e sotme, ekspertë të Shteteve të Bashkuara prezantuan në Kryesinë  e Kuvendit praktikat më të sukseshme të ndjekura në SHBA për hetimin e të kaluarës së zyrtarëve në qeverisje dhe udhëheqësve politikë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ambasada Amerikane në Tiranë ritheksoi mbështetjen karshi Parlamentit për hartimin e kuadrit të plotë ligjor dhe zbatimin me sukses të tij.

“Në mbështetje të përpjekjeve të Shqipërisë për të zbatuar ligjin e dekriminalizimit të miratuar së fundi, Ambasada mirëpret përpjekjet e parlamentit për të zhvilluar më tej aktet nënligjore të këtij ligji të rëndësishëm dhe mbështet me forcë zbatimin e plotë të ligjit për dekriminalizimin”, thuhet në deklaratën e amerikanëve.