Besar Likmeta: Ja pronarët e vertetë që fshihen pas menaxhimit të TVSH

Pronarët e vërtetë të kompanisë M.POS, e cila ka sjellë një propozim për një koncesion të pakërkuar për menaxhiminin e TVSH-së, fshihen pas kompanive guackë në parajsa fiskale dhe janë të panjohur për publikun, ndërsa autoritetet thonë se nuk mund të tregojnë emrat e pronarëve për shkak të “mbrojtjes së sekretit të biznesit”

Nga Besar Likmeta – BIRN

Ministria e Financave pritet të hapë së shpejti një tender ndërkombëtar, për përzgjedhjen e një kompanie koncesionare për një periudhë 10-vjeçare, e cila do të ofrojë një sistem teknologjik monitorimi dhe transmetimi të dhënash për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, TVSH, por kompania që ka shumë gjasa ta fitojë dhe që ka bërë ‘propozimin e pakërkuar’ është e regjistruar në një parajsë fiskale dhe është nën pronësinë e dy kompanive të tjera, gjithashtu të regjistruara në parajsa fiskale me pronarë të panjohur.

Sipas Ministrisë së Financave, ajo ka marrë një propozim për koncesion të pakërkuar nga një kompani e quajtur M.POS me seli në Hong Kong, dhe ka për qëllim marrjen e të dhënave tatimore në kohë reale, gjurmimin e mallit dhe mundësinë e organizimit të lotarisë së kuponit tatimor.

Ministria e Financave nuk ka dhënë asnjë informacion shtesë mbi kompaninë që ka propozuar të ashtuquajturin partneritet publik-privat për TVSH-në, duke specifikuar vetëm se pas marrjes së ofertës në vitin 2014 ajo ka ngritur një grup pune i cili ka bërë një studim fizibiliteti mbi termat e koncesionit.

Megjithatë, dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë që kompania e regjistruar në Hong Kong, nuk është transparente për sa i përket strukturës së saj të pronësisë. Ajo rezulton se është nën pronësinë e dy kompanive të tjera, të njohura si ‘kompani guackë’ dhe që janë të regjistruara në ishuj tropikal, të njohur si parajsa fiskale.

Vendet që njihen si parajsa fiskale kanë një nivel të ulët taksash si dhe sisteme financiare jotransparente, të cilat përdoren shpesh nga krimi i organizuar dhe politikanë të korruptuar për të fshehur fitimet e tyre të paligjshme.

Edhe pse nuk ka të dhëna që sugjerojnë se regjistrimi në parajsa fiskale i M.POS është i lidhur me aktivitete të paligjshme, mungesa e transparencës mbi pronësinë e saj ngre pikëpyetje mbi sigurinë e të dhënave tatimore që ajo do të administrojë, në rast se ajo do të shpallet fituese e koncesionit, siç ndodh zakonisht me koncesionet e pakërkuara.

Ministria e Financave dhe Kryeministria nuk ju përgjigjën pyetjeve të BIRN mbi strukturën aksionare të kompanisë M.POS dhe as nuk dhanë shpjegimi nëse regjistrimi i saj në parajsa fiskale përbënte rrezik për taksapaguesit shqiptar.

Pyetur se kush është pronari i kompanisë që ka kërkuar koncesionin, zëvendësministrja e Financave Irena Beqiraj tha para pak kohësh në një takim me gazetarë se nuk mund ta jepte emrin për shkak të nevojës së ruajtjes së sekretit të biznesit.

Gjithashtu, Ministria e Financave refuzoi një kërkesë me shkrim të BIRN për një kopje të kërkesës fillestare të koncesionit të pakërkuar si dhe të një kopjeje të studimit të fizibilitetit të përgatitur nga grupi i punës së ministrisë për të njëjtat arsye.

“Propozimi i pakërkuar, i dorëzuar nga propozuesi, është i klasifikuar si informacion konfidencial dhe për sa kohë është i trajtuar me një status të tillë, nuk mund t’i vihet kërkuesit në dispozicion,” shkroi Ministria e Financave në përgjigjen për BIRN. Drejtuesi i menaxherial i kompanisë M.POS, Allen Cheng, gjithashtu nuk ju përgjigj pyetjeve të detajuara të dërguara nga BIRN nëpërmjet postës elektronike.

Kompanitë guackë

Gjatë një interviste televizive në televizionin Ora Neës, midis të tjerave Ministri i Financave Shkelqim Cani lajmëroi që tenderi ndërkombëtar për sistemin e transmetimit të të dhënave dhe monitorimit të TVSH-së pritet që të hapet në mesin e muajit Shkurt.

Duke qenë që kompania M.POS është dhe propozues i pakërkuar i koncesionit, shanset që ajo do shpallet fituese e tenderit të hapur nga qeveria shqiptare janë shumë të mëdha. Në të shkuarën, koncesionet e pakërkuara janë vënë nën kritika për shkak se, megjithëse teorikisht ato ofrohen në tender të hapur, formulimi i kushteve të tenderit imponohen nga kërkesa e pakërkuar, gjë që në shumicën dërrmuese të rasteve tenderët kanë nxjerrë fitues kompaninë që ka bërë kërkesën.

M.POS group përbëhet nga disa kompani me qendër në Hong Kong, por me rezidencë fiskale në vende të ndryshme të botës. M.POS limited, kompania e cila ka avancuar dhe propozimin për autoritetet shqiptare, është regjistruar në Hong Kong në vitin 2002, dhe e prezanton veten në faqe e saj zyrtare si një “lider” në sistemet e pagesave mobile.

Kjo kompani është regjistruar për herë të parë në Hong Kong me 16 korrik 2002, dhe ka dy aksioner. Në momentin e parë të regjistrimit M.POS Limited shfaqet nën pronësinë e Smart Advance Holding Limited dhe Noble Union Inc, të cilat zotërojnë secila nga një aksion, apo 50 % të kuotave.

Më vonë kompania Smart Advance Holding Limited zevëndësohet nga kompania M.POS Holdings Limited. M.POS Limited ka një kapital të nënshkruar prej 10,000 dollarësh të Hong Kongut, të cilat konvertohen në 1,183 euro. Drejtori i regjistruar i kompanisë quhet Chun Man Cheng ndërsa sekretari Ëai Ping Chu.

M.POS Holding Limited si dhe paraardhësja e Smart Advance Holding Limited janë të regjistruara në kutinë postare 901, në Tortola, të Ishujve Britanik Virgjin.

Kompania tjetër që zotëron 50 % të aksioneve të M.POS Limited, Noble Union Inc, është e regjistruar në Apia të ishullit Samoa. Si Ishujt Britanik Virgjin si edhe Samoa – që është një ishull në pjesën jugore të Oqeanit Paqësor – janë të njohura si parajsa fiskale.

Të dhënat e regjistrit të bizneseve në Hong Kong, tregojnë Chun Man Cheng, nuk është vetëm drejtor i M.POS Limited por edhe përfaqësues i kompanive që e kanë në pronësi aksionet e saj, respektivisht M.POS Holding dhe Noble Union Inc.

Në regjistrin e bizneseve në Hong Kong, Cheng Chu Man, shfaqet si drejtor i të paktën 22 kompanive të mbyllura apo ekzistuese, nga të cilat disa janë pjesë përbërëse e M.POS Group. Listimi i tij si drejtor në një numër të lartë kompanish mund të sugjerojë që ai është një “drejtor i emëruar nga palë e tretë,”- një individ që përdoret shpesh nga kompanitë guackë për të fshehur pronarët e vërtetë.

Faqja në internet e kompanisë M.POS Limited liston si drejtor manaxherial, z. Allen Cheng. Një tjetër drejtues i listuar i kompanisë është Gary Cheung, i cili më parë shquhet si CEO i M.POS Group dhe tashmë drejton eGames Solutions, një nga kompanitë e M.POS Group.

Pak eksperiencë me taksat

Nga të dhënat e publikuara në faqen e saj zyrtare, por edhe raporte të palëve të treta mbi aktivitetin e M.POS, kompania me qendër në Hong Kong ka një eksperiencë të gjerë që shkon pas një dekadë në sistemin e pagesave mobile dhe atë të lotarive.

Ndryshe, interesi i kompanisë për të ndërtuar sisteme menaxhimi për Tatimin e Vlerës së Shtuar, TVSH, është më i vonë. Në 15 Janar 2014, në cilësinë e tij si CEO i M.POS Gary Cheung njoftoi në faqen e saj zyrtare se do të investonte më shumë resurse në sistemin e saj për menaxhimin e TVSH-së, të quajtur M.Tax Raffle.

Është pikërisht ky sistem që pritet të jetë pjesë e koncesionit që qeveria shqiptare pritet t’i japë kompanisë. Në njoftimin e Janarit 2014, kompania thotë që duke shtuar resurset për kërkim dhe zhvillim në M. Tax Rafle, ajo shpreson ta kthejë atë në një sistem të fjalës së fundit për mbledhjen, menaxhimin dhe monitorimin e TVSH-së, me një sistem të integruar lotarie.

M.POS thotë se koncepti i lotarive për TVSH-në përdoret nga Malta, Kina, Sllovakia dhe Taivani, dhe ka për qëllim luftën kundër evazionit fiskal. Kompania nuk ka specifikuar nëse ka arritur t’ia shesë produktin e saj ndonjë vendi apo institucioni, por nënvizon se qëllimi i saj është t’ia ofrojë atë agjencive të të ardhurave ose ministrive të financave.