Rama e Blushi, duel pa Kaubojs në mes

Kur doli “Kaubojsi” që tentoi ta bëjë qesharake, hyri Blushi për ta bërë serioze. Eshtë fjala për garën ende të supozuar për postin e kryetarit të PS-së, që mbahet prej më shumë se dhjetë vjetësh nga Edi Rama. Dhe që nëse shihen ambicjet, tenton të jetë edhe rreth gjashtë vjet të tjerë në pushtet.

Të enjten Ben Blushi shpalli ftesën e tij për të qenë kreu i socialistëve shqiptarë. Me pretendimin dhe arsyen më të thjeshtë të mundshme: e bëj më mirë se Rama. Ky mund të jetë titulli i paraprak i mtimit të karriges partiake dhe më pas, edhe argumentet që do të bindnin socialistët që të votonin për kandidaturën e tij. Por për të mbërritur deri këtu ai duhet të bindë të parin dhe të vetmin individ që vendos në parti, vetë kryesocialistin, që të shpallë garë për kreun e partisë. Gjithë të tjerët që bëjnë sikur mendojnë dhe gjykojnë për mundësinë apo pamundësinë e garës, e dinë dhe vetë që e kanë me sikur.

Të premten Edi Rama nga Vlora dha përgjigjen e tij për kunjat me helm të kandidatit të parë të një gare që ende është kandidatgarë: “Ka kritikë që e kanë të lehtë ta bëjnë këtë sepse qëndrojnë në pozicionin komod të sehirxhiut. Që na thonë se ku po gabojnë ata që kanë marrë në dorë fatet e vendit…”.  Por çfarë la Rama pa thënë për garën e mundshme, e thanë një sërë socialistësh të tjerë të rëndësishëm ose jo që përgjithësisht mendojnë pa ndryshime edhe në nuanca, si vetë Rama.

Deri në këtë moment ka një dilemë dhe një opinion. Një pjesë të zëshme dhe të dukshme që pretendon se gara është e panevojshme; se ajo është harxhim i kotë energjish dhe mbi të gjitha, kryetari i partisë që fiton zgjedhjet, rikonfirmon postin pa garë dhe i dyti, pothuaj vetëm me zërin e Blushit, që argumenton të kundërtën. Pjesa e parë ka shumë zëra dhe emra, pjesa e dytë, si, siç pretendon Blushi është ende një front pa emër dhe pa kurajo për të nxjerrë zë.

Në dobi të argumentit që duhet apo jo gara për kryetar në partinë më të madhe në pushtet përdoren shembuj që shkojnë që nga demokracitë evropiane të sotme e deri tek diktatura e djeshme shqiptare apo e sotme koreanoveriore. Ato i bashkon në një pikë vetëm pushteti. Eshtë e qartë se kush kontrollon partinë, do të kontrollojë herët a vonë edhe qeverinë që do të krijojë ajo. Ka ndodhur vetëm në një rast dhe vetëm me Partinë Socialiste, në vitin 1999. Koha kur Pandeli Majko, kryeministër, humbi në garën për kryetar partie përballë Fatos Nanos dhe vetëm pak ditë më pas u detyrua të japë dorëheqjen nga posti ekzekutiv. Deklarata proverbiale: Ndjehem i cënuar në legjitimitetin moral dhe jo në legjitimitetin institucional ishte tërësisht e vërtetë, por shpesh morali i pashkruar është më i fortë se çdo ligj i votuar.

Gati 17 vjet më pas, kur Blushi kërkon garë për postin e kryetarit të PS-së, në të vërtetë është në punë e njëjta teknologji: ai  është duke synuar zyrën e Ramës në kryeministri. Dhe nga ky moment ka dy nëse. E para, nëse ka garë dhe e dyta nëse kryeministri e humb këtë garë. Në një situatë të tillë, ai do të ishte direkt i cënuar në legjitimitetin moral për të vazhduar më tej qeverisjen e vendit, çka është në thelb dhe nguti dhe dëshira e Blushit. Që të enjten duke pretenduar se e drejtonte PS-në më mirë se Rama, në fakt donte të thoshte se qeveriste vendin më mirë se ai.

Megjithatë ndoshta ka një të vërtetë të tretë mes dy të vërtetave që kundërshtojnë njëra-tjetrën dhe që pretendojnë në distancë dy kundërshtarët: duke pasur garë, në thelb dhe realisht fitojnë të dy!

Ky do të ishte rasti përjashtimor kur mtonjësi është fitues në të dy rastet, edhe kur fiton, edhe kur humb. Sepse duke humbur ai ka bërë po atë akt inteligjent që bëri vetë Rama dikur në vitin e largët 2003 kur garoi në një garë të kompromentuar kundër Fatos Nanos dhe fitoi duke humbur. Vetë Blushi gaboi në 2009-ën, kur pothuaj në të njëjtat rrethana ju shmang një gare që me gjasë mund ta nxirrte humbës, por që sot i jepte legjitimitet moral më të fortë kur i kërkon garë Ramës.

Ky do të ishte gjithashtu rasti përjashtimor kur Rama do të ishte fitues pikërisht në momentin kur nuk do të lejonte më askënd t’i cënonte legjitimitetin moral në krye të partisë së tij duke lejuar një garë me rezultat të kompromentuar që në fillim. Një garë që ngjan më shumë me një duel “kaubojsish” batutash, që me ikjen e “kaubojsit” milanez që refuzoi të garojë, bëhet së paku një akt më serioz. Ende në tentativë. Si dhe vetë demokracia në Shqipëri: një proces ende në duel me grishjen e fortë të së shkuarës. (Java)