PBDNJ-OMONIA: Koço Kokëdhima po ndërton 5 objekte pa leje në Himarë

Deputeti i PS, Koço Kokëdhima është vënë në qendër të akuzave edhe nga PDBNJ e Vangjel Dules. Në reagimin që PBDNJ bëri ndaj prishjes, sipas saj të padrejtë, të 3 objekteve në Himarë, thuhet se këto prishje ndodhin “në një kohë kur deputeti i zonës Koço Kokëdhima, njeriu i besuar dhe fuqiplotë i Kryeministrit Rama ndërton pa leje mbi 5 objekte me impakt mjedisor negativ për turizmin “për të cilin PS interesohet kaq shumë”. Sipas PBDNJ dhe OMONIA, njëri nga objektet e Kokëdhimës është ndërtuar në trojet e kishës dhe askush nuk interesohet apo shqetësohet. Partia e Dules thekson se nuk është e rastësishme që investimi përfundon në objektin e Koço Kokëdhimës. PBDNJ i mëshon faktit se prishjet e ndërtimeve në Himarë janë selektive. “Mjafton të vërejmë investimin tjetër, shëtitoren e Qeparoit, e cila devijohet për të mbrojtur objektin e paligjshëm të z. Kokëdhima, ndërtuar në breg të detit”, thuhet në reagimin e PBDNJ – OMONIA.