Kadare i anatemuar

Nga Albert Vataj

Në këtë përvjetor të 80-të të lindjes, Ismail Kadare, më shumë se vitet ai mban mbi vete kohën. Pena që nënshkroi vetëdijesimin ndërkombëtar të shqiptarëve vazhdon të mbetet sfidues. Koha dhe ai rendin. Përreth, shtjella mendësish dhe mllefesh, inatesh dhe xhelozish, kuturisin refuzimin për të. Kolegë dhe lexues janë ndarë në kampe. Ithtar dhe dishepuj, glorifikues dhe anatemues, hedhin e presin rrufe gjuhësh të helmëta. Pjesa më e madhe është vendosur në transhenë e kundërshtarëve. Gjithnjë ka zjarr në këtë front. Gjithnjë ka luftë. Gjithnjë ka rekrutë që i bashkëngjiten kësaj ushtrie të vdekurish që ndjellin mort e kuja. Vetëm e vetëm se fati vazhdoi ta mbajë ende në jetë dhe talenti ia kurseu jetën. Ai vazhdon të mëkojë qëndrestarin. Ende atë e gjen në mes kësaj kacafytjeje. Ngatërresë që duket… më shumë se ideologjike është përfituese. Megjithatë, është ende e vështirë të ndash kush ka ardhur ta mjelë dhe kush ta rrjepë këtë sakrificë të perëndive arbërore.

Vepra gjithqysh ndërkallet dhe shungullon përmes kësaj atmosfere “tymi” dhe “baruti”. E rishtazi ai është aty, në mes, duke ecur. Krah për krah vepra dhe fama. Edhe në këtë ditëlindje ai është këtu, me penën që vazhdon të skalisë me zemër e mendje faqe të historisë së letërsisë shqipe. Ai na ofron pa pushim lëndë për të kumtuar. Dhe rend, rend si një Maratonomak me anatemën e njeriut dhe shkrimtarit. Është fakt se, që nga vitet ’60, Kadare ka qenë dhe është protagonist i jetës politike dhe i mendimit shqiptar. Ai i ka shërbyer gjeneratës dhe ka mëkuar bashkëkohjen. Kjo jo dhe aq për të ikur nga memuari i një kohe prej nga vjen ende kundërmim mëdyshjesh, se sa për të sprovuar në jetësore të ndryshten.

Saora, akti krijues e lidh shkrimtarin Ismail Kadare me një shumësi prurjesh dhe bujari e talentit dhe të pazakontës në të vetvetishmen e tij. Me kryqin e realsocit në shpinë, ai heq rrugën e mundimshme të Golgotës. Edhe pse kanë kaluar 25 vite tranzicion vijojnë t’i zënë pusi, ta qëllojnë, t’i rrethvijnë përplot tërsëllimë e pezëm shtjellë anatemash. Megjithëse nuk është shmangur asnjëherë përballjes, ai duket se nuk ka gjetur tamam gjuhën e duhur, me të cilën t’u përgjigjet kësaj lukunie hienash të etur për gjak e kufoma. Falja për fajin e pabërë duket se nuk është pranuar. Urat e komunikimit më gjas nuk po i shërbejnë sa dhe si duhet ndërtimit të një dakordësie aprovuese.

Ky korife vazhdon të mbetet në anën e përtejme… dhe përballë, një masë e pamasë gurëhedhësish e baltëgatuesish. Ato shamatojnë e çuçurisin, kërcëllijnë dhëmbët e zgurdullojnë sytë. Në gurë të rëndë të inateve që i marrin me vete kudo shkojnë, ata mprehin thonjtë e rreken të çjerrin taftin shndritës të famës që e fillëron si një breror mbi krye. Shajnë me të parë e të prapmë, vjedhin helm e vrer me kaq afsh si në një lojë të shpenguar pasioni rishtarësh. Duket se hera-herës nuk i dëgjon, por piskama e tyre është frymë, është gjendje, është ajër që i vihet nga pas duke ia përshkuar me trazim gjithkund udhën që ai heq. Një luftë e “viktimave” të komunizmit apo një makth ziliqarësh e zullumqarësh, ende nuk dihet se çfarë e përbën në të vërtetë këtë masë tumorale që i është ngjitur shtatores së gjallë të këtij shqiptari dalzotës. Ndryshe nuk ka se si të kuptohet një zell kaq i mbarsur me mllef e inat.

Ismail Kadare, të cilin bota e vlerëson jo vetëm si një prej shkrimtarëve më të mëdhenj, por gjithashtu, edhe një prej intelektualëve më të shquar të saj, vazhdon të befasojë me romanet dhe esse-të e tij. Ai gjithnjë e ka mëkuar penën e krijuesit me atë të dëshmuesit. Lartësia e tij e mendimtarit ka qasje dhe triumfalisht ia ka dalë të zbulojë rrënjët europiane të Shqipërisë dhe përkatësinë europiane të saj. Ai i referohet flamurit, himnit, gjuhës, Skënderbeut, Nënë Terezës, racës.

Çështja identitare është bërë shpesh objekt i historishkruesve, siç ndodh me popujt në faza kalesash historike. Në fazën delikate të drejtimit historik që do të marrë Shqipëria. Dhe ai gjithnjë ka qenë në kohën dhe vendin e duhur. Ka bërë dhe vijon, atë që shumë prej nesh ende nuk e çmojmë. Nesër, do të jetë vonë për pendesa. Ai nuk pretendoi asnjëherë të ishte shenjtor, por gjemia e anatemës lëshuar mbi ‘të duket se e ka shuguruar tashmë, pa mundur ta martirizojë.

Vepra e Kadaresë është e sunduar prej mitit të së kaluarës, dhe evokimit të lavdisë së dikurshme. Kadare synon ta çlirojë njeriun shqiptar prej akuzave që e ndoqën ndër shekuj, përfshirë këtu edhe akuzën si popull i lindur me instinktin e luftës dhe të mercenarizmit, binjak me armën, dhe peng i saj. Dhe kjo ishte dhe është gjithçka që një njeri i penës mundi të bënte dhe ai e bëri si pakkush tjetër, pavarësisht se u shpërblye me zemërthyerje.