Ilir Meta: Të kemi lista të hapura deputetësh në zgjedhje

 

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta tha se do të propozonte që listat zgjedhore të ishin të hapura dhe që ato të mos vendoseshin vetëm nga kryetarët e partive. Gjatë fjalës së mbajtur në tryezën për reformën zgjedhore, Meta tha se kjo formë do të ishte më transparente. “Këtë e kemi ngritur me kohë që kurse ky sistem është vendosur pasi do të forconim më shumë parlamentarizmin. Qytetarët do të kenë mundësi të shprehin preferencat e tyre dhe kjo do t’i detyrojë deputetët të jenë më të lidhur me qytetarët”, tha ai.  Meta u shpreh se kjo reformë duhet të bëhet bashkë me reformën në drejtësi, duke shtuar se korrupsioni zgjedhor vazhdon të mbetet problem jo vetëm nga fituesit por edhe nga humbësit.

“Edhe unë që po flas nuk jam krenar për zgjedhjet e 2001-shit kur isha kryeministër. Por duhet ta themi se ka patur progres në shumë drejtime. Ajo për të cilën biem të gjithë dakord është se korrupsioni zgjedhor vazhdon të jetë një shqetësim serioz. Unë nuk mendoj se të gjithë votuesit e opozitës janë të ndershëm dhe ata të mazhorancës të korruptuar”, theksoi ai.

Kryetari i Kuvendit deklaroi se partitë që humbin zgjedhjet përgatisin edhe një alibi për këtë. “Një problem që ne kemi është se kur e dimë se do të humbim zgjedhjet përgatisim terrenin, duke thënë se po blihen zgjedhjet, ka dhunë korrupsion etj”, tha ai. Gjithashtu, kryetari i Kuvendit kërkoi që partitë politike të jenë transparente. “Ne kemi ngatërruar pak biznesin me politikën dhe ata shpenzojnë edhe nga xhepi i tyre. Dhe kjo krijon përshtypjen se po bëhet ndonjë hata e madhe. Ne do të zbardhim çdo financim dhe buxhetin e partive. Së dyti, çdo aktivitet publik do të zbardhet financiarisht. Ne kemi vendosur që të bëjmë publikë shpenzimet e tyre që para takimit. Gjithashtu do të bëjmë publike edhe shpenzimet e kandidatëve, ato para që shpenzojnë nga xhepi”.

Një tjetër shqetësim nga kryetari i LSI-së ishte numri i lartë i biznesmenëve në radhët e deputetëve. “Problemi tjetër është që kemi shumë biznesmenë në politike. Por ai duhet të jetë një zë cilësor në Parlament dhe jo thjesht një prezencë që mbron interesat vetjake. Për këtë ne kemi menduar që të kufizojmë kandidatët biznesmenë në zgjedhje”, shtoi