Një republikan model si Fan Noli

“Pozicionimin në lëmin e demokracisë konsekuente, Noli e shpalos kudo e kurdoherë, por më dukshëm dhe qartë kjo ndodh në veprimtarinë publicistike. Në mënyrë tepër koncize e shpreh këtë mendësi kur ai bëhet njohës dhe interpret i republikanëve demokratë, mes të cilëve ai radhit edhe veten me krenari”…

Nga Safet Ramolli

Studiuesit dhe kritikët e Nolit pohojnë njëzëri se ai mbetet një figurë mjaft komplekse, e pasur dhe e pastër me të gjithë komponentët: publicist i spikatur, diplomat mbresëlënës, shqipëronjës i rrallë, orator i zhdërvjellët, poet i elegjisë, historian kontemporan, burrë shteti i kompletuar, poliglot potent, shërbëtor besnik e i dijshëm i fesë, atdhetar i ndjerë, bashkëshok e bashkëluftëtar shembullor etj., etj.. Disa personaliteteve të kohës, por edhe më vonë e epitetuan “Peshkop i Kuq”, sidomos pas një vizite që realizoi në Rusinë Sovjetike të pasvitit 1917, edhe pse kjo  me indicie në kuadrin e përpjekjeve diplomatike për të garantuar njohjen e shtetit shqiptar sidomos nga Fuqitë e Mëdha. Por edhe qëndrimi dashamirës i tij ndaj regjimit shtetëror në Shqipëri në vitet 1945-1950, duket se ka shërbyer si “argument” për epitetimin e mësipërm. Posë gjithë këtyre, ai mbetet shembulli i njeriut demokrat në mendime, në qëndrime dhe veprime praktike. Edhe pse ky është një problem mjaft delikat, analiza në thellësi e veprimtarisë së gjithanshme të tij si shkrimtar e poet, si burrë shteti, si publicist elokuent, si personalitet i aftë i ortodoksisë shqiptare, si humanist, e të tjera si këto, natyrshëm të çon në shtratin e tij natyror të demokracisë Fan S. Noli është një republikan i mirëfilltë.

Çështjen kombëtare e ka pasur jo vetëm në boshtin dhe thelbin e publicistikës, por edhe të krijimtarisë letrare, të veprimtarisë fetare, të studimeve historike etj. Ai e ka ndjerë veten gjithmonë shqiptar të denjë e të dobishëm për kombin e vet edhe kur u bë kryetar qeverie, edhe kur u rrëzua nga kjo lartësi e merituar, edhe kur punoi si punëtor krahu, edhe kur shkëlqeu si intelektual poliglot, edhe… Në gjithë fushën e veprimtarisë, të cilën e pati mjaft të gjerë, të mbingarkuar dhe intensive, ai spikati si demokrat konsekuent, si republikan i mirëfilltë. Mëse një herë e pohon drejtpërdrejt dhe pa asnjë ekuivok se, ishte për një qeverisje të vendit në formën e Republikës Demokratike, e cila do të qe njëherësh e vetmja formë efektive, më e mira, më e pranueshmja nga vetë populli shqiptar për shkak të formimit të tij psikologjik, por edhe nga mendësia e Fuqive të Mëdha me tradita të pasura në lëmin e qeverisjes dhe administrimit të vendit dhe popullit në demokraci. E analizon problemin në kushtet konkrete të Shqipërisë, ku mbisundon varfëria ekonomike dhe prapambetja kulturore, ku nuk njihet aspak kultura demokratike dhe s’ ka asnjë përvojë për pluralizmin politik, ku më së shumti ka munguar administrimi i mirëfilltë shtetëror edhe për shkak të pushtimeve të huaja, të cilat për fat të keq kanë rezultuar të shumta dhe me kohëzgjatje, ku nuk njihet veprimtaria parlamentare sepse më së shumti vendi është ndodhur pa qeveri dhe pa qeverisje, kur ka etje të theksuar për kuadro e intelektualë të mirëfilltë e patriotë dhe, sidomos kur, midis mjaft personaliteteve nuk ka ndershmëri atdhetare, e mjaft të tjera si këto, Noli shprehet prerazi e qartë për nevojën e një qeverisjeje me një republikë të popullit si “… republika e Kongresit të Lushnjës, me një komision prej disa vetësh, në vend të një presidenti të njëshme…”. Ai e kishte të konsoliduar fare qartë mendimin se, koha e monarkisë në të cilën sundon me pushtet të gjithëfuqishëm një njeri, që thirret mbret, ka perënduar një herë e përgjithmonë, përfundim logjik që e formulon pas një analize të gjerë e të thellë që i bën këtij fenomeni shoqëror, në truallin shqiptar dhe më gjerë. Ruan mendimin se akti i shpalljes së Shqipërisë në vitin 1928 monarki dhe i A. Zogut mbret, është një akt i shkuar kohe, duke i dhënë kështu material të gatshëm borgjezisë evropiane që të tallet me mbretërinë e fundit të shpallur në jugperëndim të saj. Këtë formë qeverimi mjaft vende që e kanë pasur edhe traditë, e hoqën ose me dhunë apo pas një farë konsensusi mbarëkombëtar, ndërkohë që atje ku ruhet ende, pothuajse kemi të bëjmë me një ritual formal. Kjo sepse veprimtarinë ligjvënëse dhe ekzekutive e zhvillojnë parlamentet pluraliste, ndërsa mbreti dhe oborri i tij, më së shumti për forcën e traditës e të zakonit sesa si domosdoshmëri, kanë pushtet tepër të kufizuar dhe veprimtaria e tyre është plotësisht e kontrolluar nga organet parlamentare, nga aparatet qeverisëse, nga individët e veshur me pushtet, por që të gjitha së toku ndodhen nën pushtetin e votës së drejtpërdrejtë dhe të lirë të komunitetit.

Pozicionimin në lëmin e demokracisë konsekuente, Noli e shpalos kudo e kurdoherë, por më dukshëm dhe qartë kjo ndodh në veprimtarinë publicistike. Në mënyrë tepër koncize e shpreh këtë mendësi kur ai bëhet njohës dhe interpret i republikanëve demokratë, mes të cilëve ai radhit edhe veten me krenari. Përgatitjen sistematike dhe graduale të pushtimit ushtarak të Shqipërisë në të “Premten e Zezë” më 7 prill 1939, Ai e gjykon si një veprimtari për t’i rrëmbyer popullit “… kafshatën,… kasollen dhe tokën…”, pra as më shumë e as më pak, t’i gërryejë dhe ndërpresë atij jetën. Me këtë ngarkese emocionale shtron pyetjen retorike: “Po ne ç’qëndrim do të mbajmë?”, së cilës i përgjigjet po vetë fare qartë, se në këtë çështje nuk mund të ketë qëndrim të dyzuar, nuk mund të bëhet fjalë për qëndrim të paanshëm, nuk mund të veprohet në asnjë rrethanë dhe për asnjë arsye apo edhe shkak “… edhe ashtu, edhe kështu, … edhe me atë, edhe me këtë, … edhe me popullin, edhe me pushtuesit…, nga ana e jonë, kemi zgjedhur prej kohe anën e popullit. Nga ajo anë kemi për të qëndruar deri në fund…”, artikulon F. Noli. Duke qenë kundër monarkisë në përgjithësi, ai është në veçanti prerazi kundër monarkisë zogolliane, e cila, gjithnjë sipas tij, mund të jetë një ndër shembujt e rrallë të një monarkie të prapambetur si nga ana e kulturës së përgjithshme, e asaj politike, administrative, pluripartiake, ekonomike etj., duke krijuar imazhin e një monarkie të vendeve aziatike apo afrikane, e cila e ka të vështirë, për mos thënë të pamundur, të integrohet në Evropë. Në vitin 1931, por edhe më parë, meqenëse A. Zogu ishte i sëmurë dhe pa trashëgimtar, në qarqet politike brenda vendit dhe në kulisat diplomatike të Fuqive të Mëdha të Evropës thureshin intriga si dhe përgatiteshin kurthe kundër vendit tonë. U kristalizua edhe një mendim për rikthimin e Princ Vidit. Por F. Noli si analist i mprehtë politik konkludoi se, në këtë mënyrë vendin e një katili me tipare ballkanase do ta zërë një njeri i butë me tipare evropiane, i cili nuk vret prapa shpine kundërshtarët, vendin e një autokrati shqiptar me tipare të karakterit afrikan do ta zërë një mbret evropian, i cili do t’i japë popullit sado pak liri konstitucionale, por që gjithsesi përfundimi do të jetë fatal, do të vazhdojë rrokullisja abdullahore e vendit deri sa të vijë momenti kur “fundi i tmerrshëm” aktual do të zëvendësohet nga një “tmerr i pafund”.

Kishte si idhuj figura madhore dhe të nderuara të popullit shqiptar si: Luigj Gurakuqi, Bajram Currri, Avni Rustemi, Hasan Prishtina, Zija Dibra, Hoxhë Kadri Prishtina, Faik Konica, e të tjerë patriotë të ndershëm, të cilët i pati bashkëpunëtorë besnikë, por edhe të tjerë atdhetarë shqiptarë me të cilët nuk pati rast të punojë drejtpërsëdrejti. Gjithashtu mbante mbi krye personalitete spikatëse të kohës si Uillsoni në SHBA, Mustafa Qemali (Ataturku) në Turqi, por edhe të tjerë më të hershëm në kohë si Abraham Linkolni në SHBA, e të tjerë, të cilëve u referohet në veprimtarinë e tij të gjerë. Perifrazon Linkolnin, i cili nga ana e vet pati vlerësuar mençurinë e popullit dhe forcën e tij realizuese kur shprehet: “Mund të gënjesh një pjesë të popullit për ca kohë. Mund ta gënjesh edhe tërë popullin për ca kohë. Po kurrë nuk mund të gënjesh tërë popullin për tërë kohën”.

Duke qenë demokrat në gen Noli pohon me krenari se e ka ndjerë veten shqiptar edhe përpara se të bëhej personi numër Një i qeverisë, që kryesoi në gjysmën e dytë të vitit 1924, por edhe kur u rrëzua përdhunisht nga kjo lartësi e merituar, për të cilën shpjegohet se (kryetar qeverie S.R) nuk e zgjodhi dhe as nuk e lakmoi kurrë, por ja ngarkuan bashkëshokët dhe bashkëluftëtarët, pasi i kishin vlerësuar e çmuar atributet që ngërthente, si dhe kishin besim të patundur se ai do ta avanconte popullin shqiptar një shkallë më lart drejt Evropës Perëndimore, të cilës i përkiste edhe gjeografikisht.

Këto koncepte për qeverisjen demokratike dhe për vlerësimin e rolit pozitiv të intelektualëve, e imponuan në vitin 1956, dhe në të pastajmen, që të refuzonte me vendosmëri dhe palëkundje ftesën e qeverisë së Tiranës, atdheut të tij të cilin e deshi aq shumë, për të vizituar Shqipërinë. Me intelektin e veçantë që ngërthente, me autoritetin që gëzonte, me kohë Fan Noli e pati kuptuar shumë mirë politikën antidemokratike që ndiqte qeveria e Tiranës, por edhe përmbajtjen djallëzore të ftesës që i bëhej për të rritur kredibilitetin politik në qarqet politike e diplomatike ndërkombëtare përmes një vizite në Shqipëri të një personaliteti madhor me përmasa më shumë sesa rajonale sikurse ishte Ai, prandaj e refuzoi atë përtej kufijve të neveritjes. Njërës prej ftesave, sikurse mësojmë nga dokumentet e pabotuara, në thelb afërsisht i jep këtë përgjigje: “Njerëz si unë keni në Shqipëri, ke Sejfulla Malëshovën (i njohur me pseudonimin Lame Kodra S.R) të cilin e ke braktisur ferrave të Myzeqesë…”.

Zhvillimet politike, që e mbërthyen popullin shqiptar për dekada të tëra, e lanë atdhetarin Fan S. Noli dhe shokët e tij larg atdheut, në pamundësi që t’i ndodheshin atij pranë në hallet e shumta që ka pasur, të shkaktuara sa nga fqinjët e pabesë aq edhe nga fati i keq që pati qeverisje, që e mbajtën të izoluar, të ndrydhur, në varfëri të tejskajshme ekonomike. Thelbin e shpirtit të tij demokrat dhe të atdhetarit të spikatur e konsekuent e shpreh më mirë se kushdo tjetër vetë Noli, kur në mënyrë konçize artikulon edhe sa vijon: “Jam në këmbë e me ballin lart, në krye të Kryqëzatës për idealet kombëtare demokratike…”. Kjo ka qenë motua e tij, ky ka qenë qëllimi i një jete të madhe, i një zemre atdhetare, që punoi veç për atdhe e popull.