KOTËSIA PARA FURTUNËS

Nuk e shikoni që po na fusin në një sferë të përbashkët dhe aty do të rrotullohemi pa fund duke parë sa te ata, sa edhe njëri tjetrin….

Cilët, ata?

Ata që, pak nga pak,  na kanë mbledhur një nga një dhe na kanë futur aty brenda. Aty në sferën gjigande ku ka ngjyra surprizë, ka parulla, ka lojra, ka fshehje, fasada, piktura, shkarravina, grindje dhe më në fund darka. Edhe këta që quhen “ata”, në më të shumtën qëndrojnë brenda sferës së madhe.

Po ne që quhemi “njëri- tjetri”?

Ne shikohemi sy më sy. Shumë prej nesh janë akoma të mahnitur me ngjyrat brenda sferës. Disa qeshin si fëmijët dhe disa të rritur- si me sindromin “down”. Të tjerë, pak më të maturuar, flasin e nxehen sa me grindjet aq edhe me darkat. Këta mendojnë se diçka kanë kuptuar më shumë se të tjerët, por megjithatë bien e zgjohen me lojërat brenda sferës. Të tjerët, disa të tjerë, janë të paguar për të mbajtur sferën në gjendje të pa plasur. Këta janë njerëzit e mediave dhe të xhamive e të kishave si dhe shërbëtorë të tjerë.

Kjo është Sfera e Kotësisë. Njësoj si në gjysmën e shekullit të kaluar kur të gjithë u panë të strukur te njëri -tjetri, në Fermën e Kafshëve, sipas Orwell.

Sfera e Kotësisë ka të njëjtët personazhe, ka të njëjtat sjellje dhune dhe mashtrimi, ka të njëjtën “ministri  të të vërtetës”, dmth., të gënjeshtrës. Edhe në Sferë ka të njëjtin korrupsion, ka të njëjtën qasje se “pushteti korrupton, por pushteti absolut korrupton absolutisht”, siç u vërtetua sipas Orwell.

Edhe ata që po na fusin në Sferën e Kotësisë, këtë qëllim final kanë. Qëllimi është që të na korruptojnë absolutisht, njësoj si disketën, duke na krijuar idenë fondametaliste se në kotësi jetohet më mirë; duke na krijuar stereotipin se ne jemi viktima të përjetshme të korrupsionit të tyre. Në fakt ne e kemi ngrënë mashtrimin sipas klimës së brendshme të Sferës. A mendoni veç një fakt!? Veç faktin që kryeministri ka ndërtuar një vilë që kushtoi më shumë se një milionë euro, dhe këtë e ndërtoi me “lekët e një libri”. Pas pranimit të kësaj dëshmie, të gjithë e kanë futur fantazinë dhe intelektin në sferë. Shtëpia një milionëshe është gjëja më e vogël. Por që po të ishim jashtë sferës, do të ngjiteshim deri në Dajt të gjithë së bashku, të vizitonim vilën dhe të gjykonim sa shumë gjak ka marrë kryeministri nga gjaku ynë.

Ne jemi në Sferë dhe nuk kemi pse memdojmë sikur jemi të aftë të bëjmë rrugë për te objektet e tragjedisë sonë ose për te vendi i krimit; ne nuk jemi të aftë as të bëjmë pyetjet e thjeshta: pse? si?çfarë?

Ja kjo është Sfera e Kotësisë?

Nganjëhere ata hyjnë në sferë dhe luajnë në kotësi. Jo nganjëherë, por thuajse gjithë kohës, përveç kohës kur kryejnë komplotin e korrupsionit ose të krimit të vjedhjes së hapur ndaj nesh. Një ministër i kësaj qeverie ka grabitur të gjithë tenderat shtetërorë për kompaninë e tij private. Asnjë gjemb në këmbë!, sepse ne jemi në Sferë, ndërsa ai është atje ku janë paratë… Kryeministri udhëton në vendet më luksoze të botës dhe nuk tregon ku i mori paratë. Institucionet e Perëndimit tregojnë se ky ka depozituar në Amerikë mbi 200 milionë euro, aq sa Shqipëria do të dilte nga varfëria… Megjithatë “nuk ka problem” sepse ne jetojmë në kotësi. (Kur tregojmë këto fakte, duhet të vemë shënimin “për shembull”, sepse fakte të tillë ka mijëra,  as mund të rënditen).

Tjetër gjë nuk ka:

Nuk ka vëmendje për të varfërit, nuk ka kujdes për të vobegtit, nuk ka pikë vemendje për punë, shoqërinë e kanë futur në vathën e varfër të tregut dhe i kanë prerë rrugën shoqërisë industriale. Qeveria mbahet me vjedhjen e xhepave dhe të sëndykëve nëpër shtëpi dhe biznese. Investimet i kanë trembur, për të vetpunësuarit kanë hapur burgjet, farkëtohet  njeriu i raskapitur që nuk mund të mendojë asgjë jashtë Sferës…

Këta, për veten e tyre, edhe kur hyjnë në sferë, hyjnë për të mashtruar.

Dje në mbrëmje kryetari i Qeverisë dhe kryetari i Kuvendit bënë një spektakël publik. Para se të shkonin në një darkë njoftuan mediat që t’u vinin pas. Diku pranë vendit ku ndodhet restoranti, i thanë policit që të ndalojë mediat. Taktika: as në Sferë, as jashtë Sferës! Të gjithë njerëzit brenda Sferës u mahnitën me spektaklin e “darkës së pajtimit”.Gjatë gjithë natës njerëzit në sferë pritën çfarë po dilte nga darka; njësoj si para derës së maternitetit. “A u takuan?”. A folën?” “A u nxehen?” “A i dhanë dorën njëri- tjetrit?”… Prej kaq kohësh mediat po thonë se “të dy janë në një mosmarrëveshje të madhe”. Këta në Sferë herë tronditen, herë gëzohen, herë çuditen me trimëritë e atyre ballë- përballë.

Veç një vit mundi të mbijetojë koalicioni qeverisës si koalicion politik. If… Pas një viti u duk se ishte teatër, jo qeverisje. Ka mbetur edhe një vit e gjysmë deri në ndërrimin e qeverisë, sipas një mënyre normale kushtetuese. Qeveria, me siguri ka menduar se kjo do të jetë periudhë jermi, dmth., e lehtë. E lehtë, sigurisht, përderisa të qeverisurit i kanë futur në sferë, në Sferën e Kotësisë. Kështu qeveritarët rrinë të qetë; edhe këta ndërtojnë qetësi në Kotësi.

Të gjitha janë në lojën e Kotësisë. Në kotësi është mosmarrëveshja, në kotësi marrëveshja, në kotësi Reforma! Në kotësi deklaratat, madje edhe deklaratat e ambasadorëve; në kotësi marrëdhënia me Perëndimin.

… Të qetë!? Të gjithë të qetë!?

Jashtë Sferës duket se po vijnë stuhitë.

Ja pse:

Sepse, së pari, Sfera nuk mund të rrojë gjatë. Ajo mbahet veç me bojra, shkëlqime të rreme,  me parulla dhe me përqeshje. Kur të plasë sfera dhe njerëzit të shikojnë realitetin me ngjyrat, me urinë, me “ministrinë e gënjështrës”…, atëherë do të fillojnë së pari pyetjet. Pastaj ragimet.

Sepse, së dyti, sa kohë që kemi qëndruar në Sferë, (ne dhe ata bashkë me ne), jashtë në realitet kanë ndodhur shumë gjëra. Ka ndodhur që është thelluar hendeku mes atyre që vidhen dhe atyre që vjedhin në emër të pushtetit. Ka ndodhur që pushteti të ketë guxuar më shumë, njëjmijë herë më shumë, që të grabisë e të poshtërojë njeriun e qeverisur. Ka ndodhur që krimi i fabrikuar enkas për të mbajtur pushtetin, të jetë bërë aq i fortë sa të kërkojë hapësirat e veta në pushtet.

Sepse, së treti, në Europë dhe rreth nesh po ndodhin ngjarje shumë të mëdha, ngjarje që po trondisin themelet e organizimit politik të pas Luftës së Dytë Botërore. Herë duket se po mohohet Konferenca e Potsdamit, herë se po ringrihet Muri i Berlinit. E drejta e lëvizjes së lirë, vlera më e madhe e shqiptarëve, mund të mos jetë më nesër. Dmth., mund të mos jetë në çastin kur të çahet Sfera e Kotësisë.

E papritura që do krijohet nuk do të jetë në dobi të askujt.

E papritura do të jetë si çasti para Furtunës.