Të vrasësh mizat me top dhe bardh’ e zi

Nga Lorenc Vangjeli

Marrëdhënia mes topit dhe mizave është një zbulim i vjetër kinez që përdoret shumë shpesh në Tiranë. Në thelb ajo nënkupton një raport të papërshtatshëm mes qëllimit që kërkohet dhe mjeteve që përdoren për ta realizuar atë. Shembujt për ta ilustruar atë janë të pafundëm dhe është një sipërmarrje pothuaj e dështuar që në fillim që të tentohet të bëhet një “hit parade” e kësaj muzike që bie papushim. Rreziku i rikthimit të komunizmit ishte një nga këto “avaze” me fyell me vrimë të vetme dhe frymë të fryrë në të njëjtën vrimë. Dikush thotë erdhi fantazma e kuqe, dikush tjetër thotë nuk ka asnjë shans. Qëndrimet janë esktreme, janë thjesht dhe vetëm bardh e zi!

Në fundjavë Shqipëria u mbërthye nga i ftohti polar. Parashihen sërish temperatura shumë të ulta, që do të thotë, vështirësi në jetën normale të vendit, zona të izoluara, trafik i rrezikshëm, probleme në kryerjen e shërbimeve bazë që afron shteti dhe meriton qytetari. Në fillimvit shiu dhe përmbytja ndëshkuan sërish zona të tëra në vend, sipas traditës së ligë që tashmë përsëritet pambarim, kur më shumë se natyra, autor është marrëzia njerëzore e dy dekadave të fundit. Njëlloj siç është varfëria, jo një mallkim, por një peshë e prodhuar sa nga tradita e djeshme e largët – shqiptarët nuk kanë qenë kurrë të pasur – aq dhe nga marrëzitë e sotme të historisë moderne të vendit!

Pati një duel tjetër për dy artikuj paralelë të botuar në anglisht: në të parin lëvdohej Shqipëria kundrejt një pagese të nxjerrë nga xhepi i shqiptarëve dhe në të dytin, Shqipëria trajtohej si një xhep i harruar nga Perëndimi diku në Lindjen e Mesme, që prodhonte Cannabis e nga Cannabis-i shpikeshin miliarda për financimin e terrorizmit ndërkombëtar.

I pari është pasqyra sesi do të duhej të dukej portreti real i vendit. Shpesh vlen edhe një model gjysëm i vërtetë për të qenë një mënyrë për të arritur deri tek e vërteta e plotë dhe e bardhë, (njëlloj si rendja mbas vijës së horizontit në fakt).

I dyti është ana tjetër e pasqyrës që është zakonisht e zezë dhe që dëshmon sesi palaço që kanë anglishten gjuhë të nënës, janë krijesa paralele me të tjerë që flasin shqip dhe që përdorin vetëm katranin për të vizatuar gjithçka ndodh në Shqipëri.

Po të lexohet çfarë thotë opozita, sot dhe dje, po të shihet se çfarë deklamon opozita e sotme dhe ajo e djeshme, ka një Shqipëri të vërtetë si ajo që përshkruhet si oaz terrorizmi. Kur kryeministri është edhe vrasës, bandit, i çmendur, i korruptuar deri në palcë nga njëra anë dhe është kryebaron i drogës, përdorues pervers kokaine, zotëri 200 milionësh nga ana tjetër. Kur ministrat e brendshëm janë thjesht trafikantë zyrtarë të drogës. Kur ministrat e energjisë, nëse do të kishin shtatë shpirtëra si macet, duhet t’i lenë ato njëra pas tjetrës në qeli për të gjithë jetën. Kur ekonomia njëherë është mbas shpinës së Gjermanisë në nivel rritjeje dhe njëherazi është thellë në humnerë. Thjesht dhe vetëm bardh e zi. Ose në majë të pushtetit, ose në burg. Ose lavdi si Mesia, ose turp si Judë!

Me të njëjtin stil e patos, Shqipëria e parë nga syri i sotëm i politikës pluraliste, njëlloj si komunistët dje, është një lavjerës ngjyrash bardh e zi. Një kontrast mizor që Noli dikur do ta parandjente se ajo paprerë e pandalim do ta kishte mënyrë jetese: “Fryn bulçit’ e trumbeton/ që katrani zbardhëllon” dhe anasjelltas, që katranos dhe çfarë është pak e bardhë.

Në fillim të vitit, duke folur për refomën në drejtësi, Meta tha se nuk e preferonte të parit bardh e zi të gjërave.

Një javë më pas, duke shpjeguar reformën në drejtësi, Rama foli për teorinë e ngjyrave, duke thënë se përzjerja e disave prej tyre, bënte të zezën. Teorikisht po! E kuqja, e verdha dhe bluja prodhojnë ngjyrën e zezë, gjithmonë nëse pranohet diskutimi themelor i specialistëve të ngjyrave, nëse e zeza është një e tillë apo është thjesht një vrimë. Njëlloj siç diskutohet nëse ngjyrë është dhe e bardha. E thënë ndryshe, siç kishte dëshirë të citonte Reganin një ish-kryeministër kur qeveriste vendin: qeverisja është gjithmonë problemi. Kur ajo punon mirë (ngjyra e bardhë) nuk është lajm sepse duhet të jetë normalitet, kur dështon (ngjyra e zezë) është fatkeqësi, por jo fatalitet.

Ka një debat të pafundëm nëse Rama e Meta janë në marrëdhënie “dashurie”, miqësie, ndershmërie, shoqërie apo përkundrazi, nëse urrehen dhe janë peng i shifrave elektorale të njëri-tjetrit. Nëse janë identikë në qëndrime apo qëndrojnë bashkë jo nga malli njerëzor, por nga halli i interesave politike. Edhe kritikët, edhe dashamirësit nguten të shohin e t’i shohin vetëm bardh e zi. Në fakt ka dhe shumë më tej se kaq. Varet nga këndvështrimi. Për shembull, Shqipëria padyshim është shumë më mirë sesa ka qenë në të shkuarën e saj, por është shumë më keq sesa do të duhej të ishte. Dhe padyshim do të ishte shumë më e mirë nëse në përditshmërinë e saj, politika nuk do të përdorte topin për çdo mizë në fluturim. Dhe nëse nuk do të shihte vetëm një kontrast bardh e zi, që shkon nga njëra anë tek tjetra si lavjerës budalla ballkanik.