Lotaria bëhet lëmsh. Posta përplaset me Ministrinë e Financave

Dyshimet për procesin e lotarisë së kuponave tatimorë kanë sjellë replika mes institucioneve shtetërore. Lotaria e hedhur në 15 janar rezultoi me probleme dhe vuri në dyshim disa prej fituesve.

Ministria e Financave, si organizatore e lojës, tha se disa parregullsi kanë ardhur për shkak të procedurës së ndjekur nga Posta Shqiptare.

Sot Posta Shqiptare deklaroi se rregullat e lojës dhe procesi është ndjekur nga Ministria e Financave dhe se Posta Shqiptare nuk ka pasur asnjë përfaqësues të saj pjesëtar të komisionit përzgjedhës të fituesve të kësaj lotarie.

Njoftimi i plotë i Postës Shqiptare

“Duke marrë shkas nga pasqyrimet e fundit në media, Posta Shqiptare kërkon të sqarojë publikun mbi lotarinë e kuponit tatimor se i gjithë sistemi informatik për përzgjedhjen e fituesve është zhvilluar nga Ministria e Financave dhe po i njëjti institucion ka vendosur edhe rregullat dhe kushtet e lojës.

Për sa i përket rolit të Postës Shqiptare në këtë proces, ajo ka përmbushur me mjaft përpikmëri dhe korrektesë marrëveshjen dypalëshe duke vendosur në dispozicion informacionin e mbledhur mbi bazën e vetëdeklarimit të klientit për numrin e kuponave tatimorë në copë dhe në vlerë. Në asnjë moment Posta Shqiptare nuk ka pasur të drejtën për të verifikuar apo për të ndërhyrë në përmbajtjen e zarfave të pranuar në sportelet e saj.

Pas dorëzimit të zarfave nga qytetarët, Posta ka vijuar me dorëzimin e tyre pranë Shqypshkronjës së Letrave me Vlerë duke përmbyllur ketu të gjitha detyrimet e saj në lidhje me këtë proces. Gjithashtu, kërkojmë të theksojmë se Posta Shqiptare nuk ka pasur asnjë përfaqësues të saj pjesëtar të komisionit përzgjedhës të fituesve të kësaj llotarie”.