Historia e PD-së nuk është anonime, ajo ka emrat e saj

Nga Gjovalin Gjeloshi*

gjeloshi2Rrotull-janari i vitit 2016 është për Partinë Demokratike në rrethe koha (viti) jubilare e 25- vjetorit të formimit të saj. PD në të vërtet qysh se u lind, edhe foshnje njëditëshe, edhe fëmijë 5- vjeçar, lindi dhe ishte e madhe, e fuqishme, e pjekur, e aftë për të drejtuar pushtetin e vendit të vet, e zonja për të udhëhequr popullin. PD-ja nuk pati nevojë për asnjë mami. Ajo nuk lindi në spitale e maternitete. Ajo u lind shesheve edhe pse mes tensionit e frikës edhe pse e survejuar, edhe pse e kundërshtuar prej regjimit që nuk donte të pranonte asnjë parti tjetër veç asaj që kishte sunduar popullin për 45 vite.

Si në të gjitha rrethet e Shqipërisë ku po vijon përkujtimi i këtij përvjetori “të moshës së artë të rinisë”, edhe në Lezhë u përkujtua 12 janari i vitit 1991, dita, ku 25 vjet më parë në “sheshin” përpara vendvarrimit të Gjergj Kastriotit, Azem Hajdari, Arben Demeti dhe Arben Imami të ngritur në një podium të rastit, e panë veten përpara mijëra pjesëmarrësve lezhjanë dhe mes një ngrohtësie ku ishte larguar frika dhe akulli i kohës. Mitingjet që bëheshin nëpër të gjitha rrethet e atë ditë ishte radha e Lezhës, konfirmonin krijimin e degës së PD-së. Pra nuk kishte një listë emërore me një apo shumë faqe, me firma ngjitur ku këta pjesëmarrës ishin dakord që të themelonin partinë. Edhe shpallja e fillimit, se PD do të jetë para së gjithash një parti e intelektualëve, u bë thjesht për t’u kujtuar njerëzve se në Partinë e Punës kishte sunduar injoranca e anëtarësisë së saj. Shpejt u kuptua se, vetëm drejtimi duhej të ishte i prirë prej intelektualëve, partia duhej të ishte mbarëpopullore.

Por për të ardhur në 12 janarin e parë, kush e bëri propagandën, kush u takua me këta njerëz që tejmbushën sheshin e qytetin mbarë? Mos mendon ndokush se njoftimi u bë nëpërmjet titrave në ekranet e televizionit të vetëm shqiptar, i cili shfrynte me propagandë kundër “huliganëve e tradhtarëve”. Se mos bëhej propaganda jonë me shtypin e kohës me “Zërin e Popullit” në krye, që përhapte çdo ditë lajme tmerri për “gogolin” që po dilte në skenën politike të Shqipërisë apo se mos kishim në ndihmë shtypin tonë partiak që nuk ekzistonte akoma?

E pra, Partia Demokratike u lind si parti popullore, por ajo kishte drejtuesit e saj qysh pa u lindur, kishte propaganduesit dhe themeluesit e saj jo vetëm në qendër në Tiranë, jo vetëm në rrethe si Lezha e 25 qendra të tjera administrative të asaj kohe, por edhe në çdo ndërmarrje ku punohej dhe në çdo fshat e qytet, ku jetohej.

Marr shkas të kruaj pak lëkostrën e kujtimeve, të shfletoj bllokun e gazetarit apo t’u hedh një sy shënimeve të marra prej nismëtarëve të asaj kohe, për t’u treguar sot, jo thjesht anëtarësisë së PD, por drejtueseve të saj në rrethe që janë në krye të organizimeve të festimeve të përvjetorit të 25-të, se historia e PD nuk është anonime. Ka themeluesit e saj konkret edhe në atë kohë, që nuk ishte kaq e lehtë sa e sotmja. Në drejtimin e një partie nuk mund të jetë 25 vjet një njeri apo një kryesi (as mos qoftë), se jemi po kaq vjet më vonë: ata që ishin lindur në atë kohë, tashmë kanë këtë moshë dhe mjerë ajo parti që bazën e sajë nuk e ka te kjo kategori popullësie. Por për nismëtarët, themeluesit, anëtarët e parë të seksioneve të partisë, ky së pari është jubileu i tyre. Një parti e kujdesshme nuk duhet ta fshijë memorien e saj, nuk duhet ta harrojë bazën e saj, se atëherë ajo nuk feston 25- vjetor. Le të festojë një apo dyvjetorin.

Shqetësimi që unë ngrejë është se, së paku në moshë jubile, në vitet 20, 25 apo 30 nuk duhet të harrohen emrat e themeluesve deri në çdo strukturë. Është dita e tyre ose më mirë me thënë, është “ora e tyre”. Prej rreth 44 mijë orëve që llogaritet të ketë një pesëvjeçar, këtyre njerëzve duhet t’ua kushtojmë një orë nga tribuna e përvjetorit. Nuk janë pak për t’i harruar, por nuk janë as shumë sa për të përtuar t’i kujtojmë. Dhe ne që drejtojmë sot, në krye të 25 viteve, nuk duhet të na vijë keq se, pse nuk ishim atëherë. Kjo nuk mund të ndodhë; e para se, nuk lindin të gjithë përnjëherë – thotë populli dhe e dyta; nuk mund ta kuptonim të gjithë në një kohë se, pse duhet të rreshtohemi me PD – themi ne.

Nisur nga kjo mangësi që vërehet jo vetëm në Lezhë, gjithkush prej nesh duhet ta shtrydhë kujtesën dhe t’i kujtojmë me aq sa është e drejta themeluesit, deri te seksione të veçanta të fshatrave, të gjithë ata që, edhe pse punonin në ndërmarrjet e shtetit të Partisë së Punës e ndiqeshin prej sigurimsave e policisë, nuk patën frikë të bëheshin bërthamat e para të qelizave që më vonë krijuan trupin e stërmadh të PD.

Duhet të kujtojmë se “strukturat” e para, nëse mund ti quajmë kështu, nuk ishin të zgjedhura prej ndonjë “trupe elektorale”, komisioni nismëtar nuk ishte i emëruar prej ndokujt. Ata ishin burra e gra që ishin afruar vet me komisionin nismëtar të Azem Hajdarit dhe ishin vetëngarkuar me organizimin e partisë në rrethe, me dijeninë e komisionit nismëtar në Tiranë. Për Lezhën këta ishin: Paulin Gjoni mjek, Gjokë Lleshi ndihmës mjek, Gjokë Jaku mësues, Gjergj Gjoni agronom, Esat Myftari jurist, Marie Mirashi mjeke, Marie Sherri mjeke, Lekë Gjergji mësues, Mira Berisha zooteknike dhe Agron Belishova mjek. Pse ishin më shumë mjekë? Punët e para, më së shumti kanë filluar edhe me njohje personale. Duket qartë ndikimi dhe njohjet personale që kishte Sali Berisha, kryesisht me kolegët e profesionit të tij. Edhe “selia” e parë e PD në Lezhë kanë qenë zyrat e Qendrës Sanitare të rrethit në ambientet e spitalit. Edhe pse mitingu themelues u bë më 12 janar, deri në këtë kohë nuk kishte asnjë strukturë të zgjedhur. Të gjithë ishin “të parë ndër të barabartët”. Pas kësaj date, më 17 janar 1991, kryetar i komisionit nismëtar zgjidhet Paulin Gjoni, ku vet Sali Berisha ishte kryetar i komisionit të votimit në atë sallën e vogël të spitalit.

Kjo ishte bërthama e komisionit nismëtar prej 9-10 vetash, por lista që disponohej atëherë, për të cilën më ka ardhur në ndihmë edhe nismëtari Gjokë Lleshi, ishte më e gjerë dhe shtrihej pak a shumë në të gjithë territorin e rrethit: Kolë Ujka infermier në spital nga Rrila, i ndjeri Viktor Gjekmarkaj infermier në spital nga Ishull Shëngjini, Gjovalin Gjeloshi agronom në Stacionin Bujqësor, Ndue Hila nga lagjja Gurra, mësues në Shënkoll, Shtjefën Paloka agronom në frutore, Ali Hasia marangoz në komunale, Petrit Marsea elektricist, Pashk Kadeli e Sandër Vuka mekanikë në Port, Mark Kadeli në fabrikën e letrës, Viktor Përvathi merceolog në Ushqimore, Marjan Buna veteriner në NB Balldre, Paulin Xhani kaldajist në spital, Prend Koka mekanik në spital, Gjergj Frroku shofer në spital, Esat Sadiku mësues në gjimnaz, Gjon Paloka agronom në Balldre, Gjovalin Zef Gjoka e i ndjeri Zef Toma në Markatomaj, Selami Reçi kasap në Lezhë, Pjetër Gjoka Raboshtë, Marjan Marku, nd. Tregëtare, Zef Leka Ishull Lezhë, Llesh Tomë Draga Gajush, Lekë Metohia në Malecaj.gjeloshi3

Përveç komisionit të zgjeruar nismëtar në rreth, pothuaj në çdo ndërmarrje e kooperativë bujqësore, funksionoi komisioni nismëtar që natyrisht kishte lidhje me komisionin e rrethit. Në ndërmarrjen e Bonifikimit ishin: Pashk Përnoj, Vitore Isufi, Zef Ndoci, Lekë Ivanaj, Ferdinant Nika, Nikollë Ameri etj; në SMT ishin: Ndoc Makaj, Spartak Laçi, Kolë Maklaj etj; në Nd. Pyjore: Nik Miri, një person me mbiemrin Molla etj; në Peshkim: Paulin Përndoj, Ndoc Nika, Pjerin Duka, Vesel Gjoklekaj etj; në Nd. Grumbullimit: Luigj Berishaj, Sander Llusku, Pjerin Goga, Pëllumb Taka, Zef Nikolli, Llesh Malota etj; në Fabrikën e Letrës: Mark Frroku, Sokol Vadeja, Erzen Berisha, Abdyl Berisha, Ndoc Doda, Nikolin Sata etj; Parku: Gjovalin Përgega, Fatos Kaçaniku etj; Hekurudha: Gjelosh Miri etj; ndërmarrja e ndërtimit: Prek Hila, Pjetër Gjergji, Alfred Ujka, Luigj Nika, Zef Tusha etj; në komunalen e Shëngjinit: Sadik Sokoli, Ndoc Nikolla, Pal Leka etj; në Frutore: Prek Ivanaj etj; Nd. Farërave: i ndjeri Kolec Grizhaj etj.

Puna e komisionit nismëtar të rrethit të Lezhës u shtri me të shpejtë edhe në të gjitha fshatrat. Pal Bici, Nik Luli, Luigj Shyti, Prek Bici, Gjovalin Syku në Tale; Mark Gjetoja, Dodë Përdoda, Ndrekë Jaku, Tomë Pali në Rrilë; Ndue Prelashi e Pjeter Prelashi në Gajush; Mhill Lesi nga Spiteni; Pandeli Lleshi, Martin Vata, Sander Gega, Dedë Leka, Lec Ivanaj në Ishull Lezhë; Paulin Pati, Luigj Prela në Ishull Shëngjin; Dedë Njeçi e Gjon Ameri në Pllanë; Dodë Bajraktari, Nikoll Boci nga Manatia; Tonin Paloka nga Kolshi; Gjovalin Rusha, Sergei Çaçi, Qemal Hafizi, Artan Emini, Saimir Kraja, Mark Gj. Simoni nga qyteti i Lezhës; Mark Hasani, Shtjefën Doda, Luigj Duli nga Alku; Viktor Sallaku, Hysni Marku, Luigj Nika, Arben Ndoj, Engjëll Luna që punuan në fshatin Blinisht; Kolë Jaci, Martin Gega, Hilë Prendi nga Kallmeti; Nik Tushi, Gjin Gjini nga Raboshta; Viktor Gjoni, Ndoc Moli, Lek Celaj nga Balldreni i Ri, Gjovalin Marpalaj, Zenel Shabani, i ndjeri Rrok Dedgjonaj nga Balldreni; Kol Gjin Ndreca (Kola) nga Kashnjeti; Ndue Koleci, Ndue Ndoka, Petrit Koleci nga Fishta; i ndjeri Zef Ndreca (Ndoci), Fran Kuka e Gjergj Lufi nga Krajni; Kolë Kola nga Troshani; Ndrekë Gazulli, Ndrekë Ndreka, Pjetër Gjushi, Gaspër Miloti, Nikolin Miloti, Shtjefën Gjoni nga Dajçi, Çesk Luigji nga Kotrri; Frrok Kovaçi nga Dragusha; Llesh Prendi nga Kodheli; Pal Marku, Alfons Pali, Myfit Fejzo, Luigj Marashi nga Shëngjini; Nikë Lushi nga Gryka e Lumit; Palokë Coku e Edmond Kaçeli nga Shënkolli, Palokë Gjini nga Zojsi; i ndjeri Gjelosh Narkaj e Dedë Toma nga Kakarriqi; i ndjeri Gjergj Leka, Ndue Marku nga Gjadri; Rrok Marku nga Piraj; Ndue Skuraj e Luigj Simoni nga Merqia; Lekë Lleshi e Anton Lleshi nga Zejmeni, i ndjeri Gjergj Martini, Çesk Martuzi e një grup djelmoshash nga Torovica, që ishin “zjarri” i tubimeve; Bajram Bajrami nga Koljakaj. Natyrisht që mund të kem harruar kadikënd, por nuk besoj se do të më fajsojnë lexuesit.

Në përvjetorin e 25-të të degës së PD në Lezhë nuk mund të mbeten pa u kujtuar djemtë e ekipit të mundjes të “Besëlidhjes”. Vërtet policia në ato momente përpiqej të tregohej asnjanëse, por kjo ishte një asnjanësi që e çonte policinë në mosveprime dhe po të ndodhte ndonjë përplasje me fanatikët e Partisë së Punës që ishin të shumtë, policia ndoshta do të mbronte më tepër përkrahësit e antimitingut. Kjo kishte ndodhur rëndom edhe në rrethe të tjera përpara nesh. Ndaj “marrja e masave vet” ishte një garanci e menduar mirë nga organizatorët. Mirash Shabi, i ndjeri Agustin Kaçeli, Sami Deda, Dedë Syku, Paç Curri e Mustafë Bajrami, ishin “një për të gjithë e të gjithë për një” me trajnerin Nazmi Molla (Zuku) në krye.

Duke menduar se ç’qëndrim mbante ushtria e asaj kohe, duhen vlerësuar e nderuar gjithmonë ushtarakët e parë që u bashkëgjenden me ne si: Muhamet Lika, Vasil Mici dhe një tjetër oficer marine, (një kosovar nga Fieri) të cilit nuk ia mbaj mend emrin. Po kështu gjithmonë kujtoj me respekt një burrë të moshuar, por aktiv që kryente punët e protokollit, arkivistit, financierit e gjithshka që kishte të bënte me rregullat zyrtare të një force politike institucionale: ky ishte i ndjeri Hiqmet Angoni. Pas largimit të tij në mënyrë arbitrare dhe të Muhamet Likës i cili punoi disa kohë pas tij me arkivin dhe protokollin e degës së PD-së, unë nuk di se ç’ndodhi me dokumentacionin që ishte mbajtur me aq kujdes. Puna shkoi deri atje sa rreth vitit 1998-1999 të zhdukej edhe regjistri bazë i anëtarësisë së PD në rreth. Kjo mendoj unë, ishte vepër e ndonjë personi që kërkonte që historia e PD-së të fillonte me emrin e tij, pavarësisht se kur kishte ardhur ai si anëtar apo drejtues i saj.

Ndërsa studentët e parë që na sollën në Lezhë freskinë e moshës së tyre, por edhe atmosferën e ndezur të demonstrative e deri te greva e urisë, ishin ndër të tjerë: Etleva Lika, Alban Bala, Arben Ivanaj, Edmond Pjetrushaj etj, si dhe studenti Zef Luca nga Kakarriqi që mori pjesë në grevën e parë të urisë. Të gjithë, të gjithë duhen kujtuar: nga shoferët e parë të PD-së Pëllumb Tolla, Simon Zefi e Simon Hila e deri te kandidatët e parë për deputetë të PD në zgjedhjet e para pluraliste të 31 marsit 1991: Agron Belishova, Preç Zogaj, Rudolf Marku, Esat Myftari e Gjovalin Gjeloshi.

Në përfundim të këtij shkrimi, që redaktori do ta kujtojë për ndonjë fjalim përshëndetës, mbajtur në festimin e 25 vjetorit të PD, nuk mund të rri pa përmendur dy ndodhi që i kam të pashlyera nga fushata elektorale e 31 marsit 1991. E para ka lidhje me të ndjerin Besnik Kadia. Vetëm kur përfunduan zgjedhjet e mësova se ai mbante me vete një “beretë” pa leje, gjatë të gjithë kohës që më shoqëronte si kandidat në zonën e Kashnjetit. Dhe e dyta që nuk e harroj kurrë, është pritja që më ka bërë fshati i Baqëlit, me të ndjerin Gac Skanaj në krye. Nuk e kisha provuar në asnjë fshat atë ngrohtësi: ndërsa në Kashnjet na pritnin me krisma “molotov” apo në Kallmet e ndokund tjetër njerëzit rrinin si të ngrirë, entuziazmi në Baqël më bëri të lumtur.

Fundin e shkrimit (që në foltore duhet të ishte në fillim) po e rezervoj për një “heshtje një minutëshe” për ata që nuk jetojnë më dhe u përmendën gjatë këtyre radhëve. Është e dhimbshme: përveç të ndjerit Hiqmet Angoni që i ishte afruar disi moshës, të gjithë të tjerët u larguan nga kjo jetë në moshë të re: me sëmundje të pashërueshme apo me aksidente.

*Autori është gazetar dhe ish-kandidat për deputet i Partisë Demokratike më 31 mars 1991