Rama dhe Meta, historia 18 vjeçare e tyre!

?????????????????????????????????????????????????????????

“Ka shumë që besojnë se ata do prishen, por kjo vështirë se do të ndodhë deri më 2017. Ose pak përpara zgjedhjeve, deri atë ditë që të dy bashkë do ulen për të gjetur emrin e Presidentit të ri. Post që Meta e aspiron, por që Rama vështirë se mund t’ja japë”… 

Nga Blendi Fevziu

Histori e gjatë dhe e vështirë kjo mes Ramës dhe Metës. Një histori që nuk nis me koalicionin e tyre qeveritar dhe me gjasë nuk mbaron aty. Një histori mes dy njerëzve që në jetë nuk e kanë duruar njëri – tjetrin, që më gjasë e kanë parë gjithnjë me bezdi e përçmim dhe që zoti i ka detyruar që jo rrallë të shpërndajnë buzëqeshje të përbashkëta, përqafime por edhe shigjeta plot helm. Një histori tipike politike, dashurie për sy e faqe dhe urrjetje të sinqertë, që mbush tashmë thuajse 2 dekada. Dy njerëz që janë të dënuar të bashkëpunojnë për numra, me gjasë, pa rreshtur së menduari momentin kur do t’a flakin përfundimisht tjetrin tutje. Historia mes tyre nis në fillim të viteve ’90 – të…

Edi Rama dhe Ilir Meta asnjëherë s’e kanë rrëfyer se kur dhe si e kanë njohur për herë të parë njëri – tjetrin. Duket ka qenë e parëndësishme, nuk e kujtojnë ekzaktësisht as vetë, ose askush nuk i ka pyetur për këtë. Por edhe kjo s’ka shumë vlerë. Mund të ketë ndodhur në Klubin e famshëm “Cupi” tek Piramida, ku mblidheshin opozitarët e athershëm të Presidentit Berisha, mund të ketë qenë më vonë, në “Bar Uestin” e famshëm apo mbase në një lokal të harruar të një militanti demokrat diku në Pazarin e ri. E rëndësishme është që në momentin e parë që janë ulur me njëri – tjetrin, Rama padyshim që ndjente bezdi nga njerëzit që merreshin me politikë dhe visheshin me kravatë, ndërsa Meta një lloj distance nga publicisti dhe piktori ekstravagant që mbante vath në vesh dhe ecte rrugëve të Tiranës me pantallonat me palën e lëshuar. Me normat e PS që vinte nga PPSH, Rama nuk gjente asnjë mundësi karakterizimi. Ishin dy tipa kaq të ndryshëm që përfaqësonin edhe kategori shoqërore pa asnjë lidhje me njera – tjetrën.

Por nëse shtrëngimi i parë i duarve mes tyre nuk është folur kurrë, takimi i parë politik është i regjistuar në një kronikë televizive dhe madje në një foto në shkallët e selisë së qeverisë, foto e propozuar nga vetë Rama. Ata u ulën në të njëjtën ditë në tavolinën e Qeverisë Nano në Prill 1998, Rama si Ministër Kulture dhe Ilir Meta si Sekretar Shteti për punët e Jashtme. Të dy anëtarë qeverie në të njëjtën ditë, ata po vendosnin mbi tavolinën e kabinetit edhe ambiciet e tyre të pamasa. Ambicie që do të dominonin jetën politike të së majstës që nga 2005.

Bashkëpunimi i tyre real politik nis këtu. Një bashkëpunim plot ulje e ngritje, intriga dhe prapaskena, thelbi i të cilave ka qenë motoja: interesat na bashkojnë gjithcka tjetër na ndan…

Në muajt e parë të Qeverisë Nano, ata nuk ishin të afërt. Meta vinte nga strukturat më tradicionale të PS, ndërsa Rama nga ajo pjesë e shoqërisë që ishte tallur me socialistët ish komunistë. Serioz dhe njeri që trajtonte me kujdes këdo, Meta ishte shumë ndryshe nga Rama që nuk e kursente ironinë dhe talljen ndaj çdo bashkëbiseduesi, në rradhë të parë ndaj atyre që tentonin ta trajtonin me një seriozitet qesharak.

Dallimet mes tyre filluan të rrumbullakohen me fuqinë që të dy po merrnin në pushtet. Rama filloi ta admironte Metën, tashmë zëvendëskryeministër në Qeverinë Majko për vendosmërinë dhe karizmën; ndërsa Meta e admironte Ramën për popullaritetin dhe aftësinë për të bërë lajm me gjithçka. Pak nga pak dy personazhet e ndryshëm nisën të afrohen e të shkrihen në një, duke krijuar një prototip që fare mirë mund të mbante diçiturën: Profili i një politikani shqiptar!

Raportet e prishura të Ramës me Nanon dhe ambicia e afishur e Metës për t’i zënë vendin këtij të fundit, i afruan edhe më tepër të dy. Nano e kuptoi këtë dhe tentoi të godiste Ramën. Në Janar 2000 ai mori anën e Grevës së Artistëve të TOB duke i kërkuar indirekt Metës largimin e Ramës si Ministër Kulture. Meta hezitoi gjatë, por nuk e lëshoi. Ai vendosi ta mbrojë Ramën dhe ky u fundit në shenjë mirënjohje u rendit krejtësisht në krah të Metës.

Meta i fuqishëm dhe Rama kreativ, krijuan një çift që la gjurmë sidomos në atmosferën mediatike të vendit në vitet 2000 – 2001. Gjithsesi, Rama ndihej i dobët. Ilir Meta ka deklaruar në vitin 2008 në emisionin Opinion se ai ruan ende letra të gjata që Rama i dërgonte sa herë që Meta shprehte ndonjë pakënaqësi në kohën kur ishte Kryeministër. Rama as e ka pohuar dhe as e ka mohuar këtë gjë. Vetëm se në atë kohë Rama u bë njeri shumë i afërt i Metës, por njëkohësisht arriti të sigurojë konsensusin e Nanos për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës duke lënë pas kandidaturën shumë të fortë të Pandeli Majkos dhe atë të Ermelinda Meksit.

Edi Rama u zgjodh Kryetar i Bashkisë së Tiranës në 1 Tetor 2000 dhe Meta Kryeministër u bë kumbari i tij. Rama arriti të bindë Metën të investojë shuma të mëdha për kohën në Tiranë duke fituar një popullaritet jo të vogël në transformimin e qytetit. Që nga betajë për çlirimin e hapësirave publike prej kioskave e deri tek shtrimi i akseve kryesore. Ylli i Edi Ramës filloi të ngjitej këtu. Po këtu nis edhe historia e tij mjaft problematike me Metën.

Pas zgjedhjeve të 2001 Fatos Nano ndërmori befas një kthesë. Ai deklaroi se Meta, nuk do të ishte Kryeministri vijues, siç ishte premtuar, por ky do të zgjidhej me garë. Vetë Nano mori haptas anën e sfidantit të Metës, Arben Malaj, ndërsa Rama u pozicionua me Metën. Beteja qe e ashpër dhe Meta e fitoi bindshëm në KPD. Por Nano nuk u tërhoq. Pak muaj më pas ai nisi në emisionin Opinion një betejë publike kundër Metës duke tërhequr edhe një pjesë të grupit parlamentar. Rama qe në ato momente njeriu më i afërt i Metës. Për disa muaj rresht Meta u bllokua dhe në pamundësi të qeveriste vendin deklaroi dorëheqjen e tij më 29 Janar 2002. Dy ditë pasi Berisha dhe Nano kishin konfirmuar ballafaqimin e tyre në një debat televizin në Opinion, debat që u zhvillua më 31 Janar.

Si kundërpërgjigje ndaj goditjes së Nanos, Meta bashkoi votat me PD, shkarkoi Prokurorin e Përgjithshëm Arben Rakipi dhe emëroi një të ri, Theodhori Sollakun. Edhe Nano u bllokua. Në dilemën nëse duhej të bisedonte me Nanon apo të vijonte betejën, Meta vendosi të merret vesht. Ai u takua në 5 Maj 2002 me Nanon në Korfuz dhe mbeti i befasuar, kur Nano i tregoi se një javë më parë e kishte vizituar në spital në Athinë, me një tufë me lule në dorë, Edi Rama. Rama, sipas Metës, nuk kishte qenë në favor të një afrimi me Nanon. Këtu nisi edhe krisja e parë e thellë midis të dyve. Rama po bënte lojën e tij dhe ato momente nuk kërcënohej nga fuqia e Metës.

Meta u rikthye si Zëvendëskryeministër në qeverinë Nano, por iku shpejt prej andej. Ndërkohë Rama i ritensionoi raportet me Nanon dhe nuk e fshihte këtë. Gjithsesi arriti që të merrte në mënyrë konfidente mbështetjen e Metës për zgjedhjet e tetorit 2003 kur u rikonfirmua Kryetar i Bashkis së Tiranës. Në fund të tetorit 2003, ato ditë që Meta po mendonte largimin nga PS, Edi Rama i shoqëruar nga Musa Ulqini dhe Anastas Angjeli trokiti në derën e një seksioni të PS të Tiranës për të marrë teserën e saj. Me këtë teser në dorë, Rama sfidoi Nanon në garën për kryetar partie në Dhjetor 2003. Ndërkohë Meta mbështeti kandidaturën e Meidanit. Të dyja bashkë dështuan dhe Nano arriti një fitore që nuk do të mbante gjatë.

Në shtetor 2004 Ilir Meta krijoi LSI, ndërsa Rama deklaroi hapur se ndarja e së majtës do e çonte atë në humbje të sigurtë. Kur kjo ndodhi, më 3 Korrik 2005, Rama trokiti në derën e PS dhe kërkoi të zinte vendin bosh që Nano do linte me gjasë. Por as Nano as Ruçi nuk kishin besim. Ata mendonin më shumë për Blushin, që në një takim kokë më kokë, i deklaroi Ruçit që kjo ishte rradha e Ramës. Rama erdhi në krye të PS zyrtarisht në Tetor 2005 me një premtim të qartë, të bashkonte të majtën! Pra të rikthente në koalicion LSI. Me gjithë mosbesimin mes tyre, Rama dhe Meta u bashkuan në pranverën e 2006. Ata dolën bashkë në zgjedhjet lokale të shkurtit 2007 duke marrë edhe një fitore mjaft të rëndësishme. Meta dhe Rama dolën bashkë, por kjo nuk do të zgjaste gjatë.

Në pranverën e 2008 Meta mësoi se Berisha dhe Rama po negocionin fshehtas për ndryshimin e kushtetutës dhe sistemit zgjedhor. Ky ndryshim binte në kurriz të LSI. Nuk dihet çfarë kulisash të tjera janë lëvizur, por Meta u largua nga kolicioni dhe deklaroi se formula: një anëtar një votë, ishte shndruar për Ramën në formulën: “një pallat një votë”. Rama nuk u prononcua për këtë largim siç nuk ka folur edhe për shumicën e temave me Metën. LSI hyri në një grevë urie që nuk i ndali dot ndryshimet kushtetuese të Prillit 2008. Në këtë klimë tensioni dhe mosbesimi, PS dhe LSI hynë të ndara në zgjedhje, por nuk morën dot më shumë se 70 mandate. Berisha kishte marrë në anën tjetër po 70. Në këtë klimë, Meta vendosi të bashkojë 4 mandatet e tij me Berishën duke bërë një koalicion pak të çuditshëm ideologjik, por që i dha vendit qeverisje. Rama u tensionua. Ai e akuzoi Metën se kishte trafikuar 80 mijë zemra të majta dhe e shndroi në target kryesor të goditjes. Rasti i erdhi në Janar 2011, kur Fiks Fare trasnmetoi një video ku Meta fliste me ministrin e tij Prifti për afera shumëmilionëshe. Meta e mohoi autenticitetin e videos, por ai e dinte se pas saj qëndronte Rama. Tom Doshi deklaroi një vit më parë se pak netë përpara se video të dilte ai kishte qenë për darkë në shtëpinë e tij me Ramën e Priftin dhe Rama ishte larguar duke i thënë Priftit në anglisht:

Just do it!

Video doli dhe opozita vendosi të thërrasë një protestë masive. Ajo që ndodhi më 21 Janar dihet. Opozita bëri çfarë mundi që të ndikonte procesin kundër Metës dhe ky i fundit bëri çfarë mundi që Rama të humbiste zgjedhjet në Tiranë në korrik 2011. Në këtë kohë, mes Metën e Ramës regjistrohen fyrjet publike më të mëdha, ku protagonizmin e mban sidomos Meta. Ato mund të gjenden shumë lehtë sot në youtube dhe janë postuar edhe nga opinion.al.

Nuk dihet se si mes Ramës dhe Metës, u hap befas një kanal komunikimi në pranverën e vitit 2012. Deklaratat u harruan, mëria mbeti pas dhe më 1 Maj 2012, Edi Rama i shoqëruar nga Leondard Koka u shfaq në shtëpinë e Metës në Gjirin e Lëlzit. Darka sipas vetë protagosnistëve zgjati gjatë dhe ata u përpoqën që ajo të bëhej mënjëherë publike. Po nuk kishte nevojë. Më i befasuari në këtë rast mbeti Kryeministri Berisha, që e kishte Metën aleat dhe që kishte bërë çfarë kishte mundur që ta ndihmonte në konfliktin me Ramën. Këtu nis edhe bashkëpunimi i ri mes tyre. Një bashkëpunim që u finalizua më 1 Prill 2013, 3 muaj para zgjedhjeve. Të dy dolën sërish bashkë në tribunë, u përqafuan sërish, deklaruan se vendit i duheshin reforma dhe shpallën koalicionin e “së majtës së bashkuar”!

Më pak se 3 vjet nga ai koalicion gjërat janë po aty ku ishin. Meta dhe Rama kanë kaluar plot momente mosbesimi, më i thelli prej të cilave ai i shtator – tetorit 2015 dhe ky i fundit. Meta ka folur sërish për aleanca fluide dhe nuk është çudi që të përsërisë taktikën e Gjirit të Lalzit. Nuk dihet kë do tentojë të peshkojë këtë herë, por veprimet e tij janë paralajmërim i hapur dhe publik për Ramën. Ka shumë që besojnë se ata do prishen, por kjo vështirë se do të ndodhë deri më 2017. Ose pak përpara zgjedhjeve, deri atë ditë që të dy bashkë do ulen për të gjetur emrin e Presidentit të ri. Post që Meta e aspiron, por që Rama vështirë se mund t’ja japë. Deri atëherë, raporti mes tyre do dominohet nga mosbesimi, kërcënimi, shfryrjet e hapura dhe të fshehta mediatike e pse jo edhe nga shantazhi. Ka qenë gjithnjë kështu, prej më shumë se një dekade e do jetë, sepse Ramën dhe Metën nuk i lidh thuajse asgjë. As ideologjia e majtë, as interesi intelektual, as ai artistik dhe akoma më pak mënyra se si e shohin të ardhmen e këtij vendi. I lidh një nevojë numrash dhe pamundësia, që njëri, ta elemonojë politikisht tjetrin. Deri atë ditë, do të qëndrojnë në një varkë, duke u përpjekur më shumë se sa për drejtimin e saj, për t’u ruajtur nga njëri – tjetri…

www.opinion.al