Mazhoranca, dakord “të mos jenë dakord”!

Takimi i Komisionit të Posaçëm për Reformës në drejtësi, në vend konsensusit tregoi edhe më qartë ndarjet mes palëve për reformën në drejtësi. E vetmja pjesë për të cilën palët ranë dakord është që nuk bien dot dakord me njeri-tjetrin, ndaj kërkuan edhe një herë këshillat e Komisionit të Venecias.

Në Komisionin e Venecias, Parlamenti do të dërgojë për rekomandime të reja tre draftet. Draftin e ekspertëve të PS, atë të LSI-së dhe draftin e Partisë Demokratike. Veç vërejtjeve të Partisë Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim prezantoi qëndrimin e saj në të paktën tre pika ishte qartësisht kundër Partisë Socialiste. Për LSI një reformë pa konsensus të gjerë politikë do ishte e padobishme. Vërejtja tjetër ka të bëjë me ndryshimet në Kushtetutë. Nga 183 nene të saj, Partia Socialiste propozon ndryshimin e 57 neneve. Pra pothuaj 1/3 e saj ndryshon. Për LSI një ndërhyrje e tillë do të ishte njëlloj si një ribërje nga e para e Kushtetutës. Pika e tretë lidhet me institucionet e reja që do ngrihen në sistemin e drejtësisë. Sipas qëndrimit të LSI-së, disa institucioneve të propozuara do të dublojnë ato ekzistueset. Pra një mish-mash që do ta ngatërrojë drejtësinë.

Ndërsa për Partinë Demokratike drafti që mbrohet nga PS-ja është jo vetëm i hartuar keq dhe i pa votueshëm, por edhe një tentativë e Kryeministrit për të kapur drejtësinë. Në këtë pikë kur mbledhja e djeshme nuk solli asgjë të re, përveç idesë së referendumit që tashmë qëndron si opsion. Kryeministri Edi Rama, dy ditë më parë sfidoi palët në proces kur tha se “nëse nuk arrihet konsensusi ishte gati të shkonte në referendum”. Dje kreu i PD-së, Lulzim Basha, e cilësoi idenë e Ramës si “një mundësi të shkëlqyer”, por me një kusht. Për kreun e PD-së, Basha referendumi të jetë me zgjedhjet e parakohshme, në një ditë. Por pa Edi Ramën kryeministër në zgjedhje.

Ligjërisht më të mundshme janë zgjedhjet e parakohshme, sesa referendumi. Për mbajtjen e referendumit duhet jo vetëm konsensus në parlament me 2/3 ose 93 vota , aqsa duhet për të votuar ndryshimet e sistemit të drejtësisë në sallën e Kuvendit, por ka edhe disa pika në Kushtetutë që e çojnë larg në kohë mbajtjen e tij. Sipas kushtetues, për çdo referendum duhet të votojë pro një e treta e zgjedhësve në listë. Në listat e zgjedhësve janë 3 milionë shqiptarë, por rreth 1 milionë ndodhen jashtë vendit. Ndërsa në të gjitha zgjedhjet e fundit marrin pjesë jo më shumë se 1.5 milionë. Pra duhet të ndryshojë një herë Kushtetuta në nenin për referendumet dhe më pas të shkohet në referendum. Një rrumpallë e madhe ! Se kështu i bënë ndryshimet në Kushtetutë në vitin 2008 Sali Berisha me Edi Ramën në kohën e “dashurisë së parë”, mes tyre.

Në këtë situatë, kur PD-ja e ka bërë një herë një “sallatë” me Kushtetutën, mundësia më e mirë janë zgjedhjet e parakohshme. Ndaj dhe Basha teksa foli për reformën nuk ka hezituar të bëjë diversion mes koalicionit të majtë dhe marrëdhëniet Rama-Meta. “Një drejtësi e pakapur, do të zhvlerësonte armën diabolike që ka Rama, dosjet dhe shantazhet që mban për aleatin e tij Meta dhe kundërshtarët brenda partisë a të korruptuarit e politikës kudo qofshin”,- tha ai.

Pavarësisht diversionit të Bashës, marrëdhënia Rama-Meta në koalicion nuk është në ditët e saj më të mira. Reforma në drejtësi ka nxjerrë në sipërfaqe ndarjet dhe problemet që ekzistojnë mes koalicionit qeverisës. Mes aleatëve ka mosbesim, luftë nervash dhe deri kërcënime. Kërcënimet vijnë në mënyrë jo zyrtare, qarkullojnë në tavolinat e partive dhe mbledhjet e forumeve, por sinjalet për humorin e prishur të koalicionit janë të qarta. Deri tani qëndrimet takimet e heshtura dhe të shpeshta Rama-Meta nuk i kanë larguar dyshimet. Ndërsa qëndrimet e ndara për reformën vetëm sa lënë më shumë hapësira për keqkuptime. Nëse kriset koalicioni më i humburi duket se do të jetë Edi Rama. LSI mban prapë këto kuota ose pak më shumë, porse nuk pranon më Ramën për kryeministër, ndonëse mund të qëndrojë me PS-në bashkëqeverisje. Por ka edhe skema mediatike të cilat nxorën dje një pakt të ri: Lulzim Bashën kryeministër, Sali Berishën si President Republike dhe Ilir Metën kryetar parlamenti , por me shumë ministri se sa ka sot.

Parashikimet janë të zymta. Klima atmosferike e këtyre ditëve ku temperaturat do jenë në minus 10 gradë po ndikon dhe te politika. Moti i ftohtë duket se ka ngrirë dhe politikën.