Basha: Referendum për drejtësinë dhe zgjedhje të parakohshme

Kryetari i PD Lulzim Basha, duke folur gjate nje mbledhje te grupit parlamentar te PD, ku ka komentuar ne lidhje me kontraten e qeverise me agjencine "Crown Agents".

Kreu i PD Lulzim Basha e ka cilësuar Kryeministrin Edi Rama si një tregtar të paskrupullt të politikës, duke ju kundërpërgjigjur deklaratës së tij se “reforma në drejtësi është për të zgjidhur me kurajo e vullnet të mirë një hall kombëtar, jo për t’ia hedhur popullit me një pazar politik të shitur për konsensus”. Kjo deklaratë e Kryeministrit e shprehur edhe në rrjetin social ka ngjallur reagimin e Bashës, i cili ka shtuar se Rama kërkon vetëm kapjen e drejtësisë.

Basha ka ironizuar deklaratën e Ramës se referendumi për reformën në drejtësi është një mundësi që nuk përjashtohet, duke theksuar se referendumi mund të vijë, por në formën e zgjedhjeve të parakohshme.

“Referendumi është vërtet një mundësi e shkëlqyer. Referendumi e ka emrin zgjedhje të parakohshme, shansi që qytetarët të cilët me kohë e kanë grisur kontratën me Edi Ramën, të japin gjykimin e tyre përfundimtar për qeverisjen e tij të dështuar, të korruptuar dhe kriminale.”- shkruan Basha.

Statusi i Plotë i Lulzim Bashës:

Kush e quan pazar, konsensusin që kërkon komisioni i Venecias për reformën në drejtësi?

Tregtari i paskrupullt i politikës, spekulanti më i madh i pazareve më të pista në vend, ai që ka bërë pakt me krimin, themeluesi i aleancës së qelbësirave, ai që i zvarritej Nanos dhe i përkuljes Metës kur ia lypte nevoja dhe sa kalonte lumin ngrinte kurthe për ta, politikani që ska mbajtur një fjalë apo një premtim që ditën e parë e deri më sot.

E quan pazar konsensusin, njeriu që futi kriminelët në bashki, zyra publike e Parlament, erdhi me ta në pushtet e ndau pushtetin me ta.

E quan pazar konsensusin për drejtësinë, kumbari i pazareve me doganat dhe tatimet, me shullazët dhe habilajt, me tenderat dhe koncesionet, me papulët dhe carapulët, nushët e beqët.

Konsensusi që kërkon komisioni i Venecias, është rruga që e shpëton drejtësinë nga kapja politike. Konsensusi zhduk pazarin, është e kundërta e tij.

Pikërisht, kësaj i druhet Rama, ky është temjani që e tremb atë.

Sepse një drejtësi e pakapur është problem serioz për këtë që ndau me CEZ-in 600 milionë euro, për këtë që ka dhënë mbi 360 milionë euro koncesione miqve të tij. Është problem drejtësia e pakapur për përgjegjësin e 777 milionë euro vjedhje në tendera, për 400 milionë dollarë që u vodhën vjet në dogana.

Një drejtësi e pakapur do të ishte në anën e Qamil Zelës, Llazi Nasit, Gjovalin Lazrit, Arif Dodës, Bruna Mekës, Mark Brahimajt, Fluturim Cukut e shumë qytetarëve që korrupsioni, padrejtësia, arroganca e qeverisë dhe bandave të Edi Ramës u mori jetën.

E po kështu, një drejtësi e pakapur do të ishte problem për prengët, ndokët, bushët, roshët, pecët, ndonët e cubat e Edi Ramës, për kokëdhimët, tahirët, beqajt, ahmetajt e gjiknurët e për vetë kreun e bandës së 40 hajdutëve.

Dhe një drejtësi e pakapur, do të zhvlerësonte armën diabolike që ka Rama, dosjet dhe shantazhet që mban për aleatin e tij Meta dhe kundërshtarët brenda partisë e të korruptuarit e politikës kudo qofshin.

Kjo është e tmerrshme për Edi Ramën, ndaj ai këmbëngul të kapë me çdo kusht drejtësinë, edhe pse ashtu si Venecia edhe opinioni vendas e ndërkombëtar kërkon të kundërtën.

Referendumi është vërtet një mundësi e shkëlqyer. Referendumi e ka emrin zgjedhje të parakohshme, shansi që qytetarët të cilët me kohë e kanë grisur kontratën me Edi Ramën, të japin gjykimin e tyre përfundimtar për qeverisjen e tij të dështuar, të korruptuar dhe kriminale.