Ilir Meta nuk pret Edi Ramën

Edi Rama u përgatit të nisej në këmbë drejt Ilir Metës. Ishte bërë gati krejt serbez,veshur bukur, kishte prerë qimet e kokës në mëngjez herët dhe ishte nisur.  Takimi mes dy aleatëve në qeveri ishte parashikuar të zhvillohej këtë mëngjes, në zyrën e kreut të Kuvendit. Garda mori masat. Rrethoi perimetrin, kreu kontrollet e nevojshme në ambjentet e kryesisë së Kuvendit dhe përgatiti terrenin për mbërritjen e Edi Ramës.

Edhe Ilir Meta u paraqit në kryesinë e kuvendit, herët në mëngjes. Por krejt papritur, sipas informacioneve, kreu i parlamentit i ka thënë sekretarisë së tij që të njoftojnë Edi Ramën se nuk ka kohë ta presë sot. Ndërkohë kryeministri sapo është njoftuar, kur ishte duke kaluar vijën e bardhë tek bulevardi, ka bërë një shikim nga qielli duke parë zyrën e Metës e cila iu duk vërbuese, mori kthesën për nga bunkeri afër Kryesisë së Kuvendit dhe bëri sikur po shijonte aromën e barit tek vila 30. Dhe iku.

Por kjo ndërprerje e komunikimit vjen në një moment kyç, kur dy aleatët në qeveri prej disa javësh nuk po gjejnë gjuhën e përbashkët për reformën në drejtësi. Negociatat po përfundojnë me tre palët, të ndarë.

Si të mos mjaftonte kjo, në mediat pranë Ramës publikohen mesazhet që Ilir Meta, sipas tyre, i niste Kastriot Ismailajt. Ka lajme se pala kundërshtare, për ta dërmuar Ilir Metën këto ditë, ka hedhur në lojë shuma të mëdha duke krijuar situata të sajuara nga ndonjë media, e cila ka përfituar përherë nga maja e prehrit të çdo kryeministri, nga ku kanë  dalë edhe milionat e eurove për të sulmuar.

Ndërkohë Ilir Meta thirri Ylli Manjanin. Mbaroi takimin me të dhe priti Luan Ramën, Petrit Vasilin dhe Edmond Haxhinaston. Komunikoi me zyrën e shtypit që të njoftohen mediat. Në orën 13:00 do të mblidhet kryesia e LSI. Një takim i paparashikuar, ku pritet të ketë edhe një mesazh për publikun.

Në mëngjes ishte parashikuar takimi me kryeminstrin Edi Rama, por takimi u anullua në momentin e fundit. Kryeministria nuk ka njoftuar asnjë aktivitet zyrtar që mund të kushtëzonte praninë e kreut të qeverisë në takimin me Metën.

Diçka po ndodh mes dy aleatëve, por nuk duket diell. Vetëm re shiu, të zeza.