Manovra e Ramës: Referendum për drejtësinë dhe zgjedhje të reja

Kryeministri Rama po luan poker politik,ndonëse nuk e njeh pokerin në praktikë si lojë bixhozi. Ai po pranon çdo lloj skeme për reformën në drejtësi tek ambasadori Lu dhe ambasadorja e BE Vllahutin, sikurse synon të fus me çdo kusht në komisionin përkatës edhe PD-në, e cila konteston përditë , në mënyrë që kur të fillojë debati në sallën e Kuvendit ta sjelli manovrën që PD-ja të mos e votoj. Shpreson që dhe LSI të mos e votoj ose së paku të abstenoj. Dhe mënjëherë sapo të ketë hyrë pranvera, pasi në dimër nuk lejohet me Kushtetutë zgjedhje  parlamentare apo vendore dhe kur të jetë gati me strukturat e tij socialiste e çon vendin në zgjedhje të parakohshme gjoja prej mosmiratimit të reformës në drejtësi prej parlamentit. Pra i ngre kuotat e tij politike të cilat janë në minus prej reformave ekonomike, i bën qytetarët të jenë me kryeministrin, pasi të gjithë janë kundër kësaj drejtësie 25 vjeçare dhe mëqënëse edhe Lulzim Basha ka kërkuar zgjedhje, thotë “ hajde të shkojmë në një ditë: Edhe referendum për sistemin e drejtësisë, edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare”. Ndërkombëtarët duket se i ka pas vetes. Krejt fushatën zgjedhore për 45 ditë e mbingarkon duke nxitur elektoratin se “unë si Edi Rama dua reformë drejtësie që t’ju jap të drejtë qytetarit dhe të arrestohen kapot e politikës, kurse këta pra Berisha, Basha apo edhe Meta nuk e duan reformën!”. Lojë përfekte populiste, por edhe djallëzore. Pjesa e shumicës së popullsisë që duhet pranuar nuk kanë ndonjë shkollë apo nivel kulture të pranueshëm shkon e voton si në kohën e Enver Hoxhës kur rrëzoi kishat e xhamijat (!), duke bërtitur “Poshtë tradhtarët!”. Njëlloj është vota në kuti si ajo e Fatos Lubonjës, ashtu edhe një personi që ka katër klasë shkollë në një fshat të harruar nga historia! Kryeministri Rama duhet pranuar se është mjeshtër në fushata, në uzurpimin e mediave duke i mikluar në interesa private e personale, se di të flasë si orator  dhe në fund do ti fitojë zgjedhjet. Pra flet kryesisht për Referendumin për drejtësinë, dhe populli do t’ia votojë variantin e tij në kutitë e votimit, por gjithashtu del dhe parti e parë në zgjedhje. Pra merr qeverinë,pavarësisht se nuk do ta pranojë LSI-ja rizgjedhjen e tij si kryeministër, pas këtyre dy viteve me “thika në dhëmbë”prej PS-së. Por ama edhe kryeministër tjetër PS e gjen dhe rëndësi ka që përsëri nga Rama do të drejtohet si kryetar i PS-së. Me këtë rast justifikon moszhvillimin e kongresit të PS-së për të cilin po bëhet zhurmë dhe fill pas fitimit të Referendumit bën edhe kongresin,ku pasi të fitojë referendumin, asnjë në PS nuk ka guxim të ngrihet kundër tij. Bën edhe një manovër tjetër që gjatë referendumit vendos Ben Blushin në krye të listës së deputetëve të Tiranës, i heq Blushit të drejtën e kundëreagimit me këtë veprim dhe e fut në qeverinë e re. Zgjidh një rrugë e tre punë!

Natyrisht që nuk fiton numrin e nevojshëm të deputetëve për të krijuar qeverinë, pra merr me pak se në qershor 2013, por ama  duke patur edhe Referendumin për drejtësinë del parti e parë. Nëse do të shkonte në zgjedhje vetëm politikisht, i detyruar nga situtata ekonomike, e humbiste pushtetin dhe rrezikon të mos dal parti e parë. Por loja e tij është se po përdor reformën në drejtësi për të mbuluar krizën ekonomike,duke prekur ndjenjat e popullit të cilët janë të revoltuar me drejtësinë e cila në shumë raste iu është kthyer në padrejtësi dhe vuajtje. Nëse e keni shikuar me kujdes Kryeministri në shumë raste ka theksuar se kjo drejtësi e korruptuar është kthyer në fatkeqsi edhe për mirëqënien e tyre. Pra, me marifet, ka lenë të kuptohet se qeverisja është e mirë, por nuk kemi ç’ti bëjmë kësaj drejtësie që po na bllokon e merr shpirtin.

Kjo duket se është loja në kokën e Edi Ramës. Dhe nuk e ka keq skemën, sipas tij. Por nuk dihet se ç’mendon Ilir Meta! Kjo e mundon kryeministrin që shkon çdo javë tek zyra e kryeparlamentarit.

Mund të ketë tjetër skemë kreu i LSI. Nëse e luan këtë kartë Edi Rama, duke shfrytëzuar reformën e drejtësisë si pikavarazh populist për veten e tij, mundet që edhe LSI, PDIU e një pjesë e PD-së ta votojnë reformën, siç duan ndërkombëtarët, por e çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme për arësye ekonomike e mungesë premtimesh.

Kjo i djeg dhe e djeg kryeministrin.