PD-LSI-PS-PDIU Gati për zgjedhje! 

 

Po zien kazani në politikë. Tema kryesore e debatit politik është miratimi i reformës në drejtësi. Ambasadori amerikan Lu do të jetë deri në fund i angazhuar për ta mbyllur këtë histori, pas 25 viteve pluralizëm. Natyrisht që, fjalën tani e kanë vetëm specialistët e fushës së drejtësisë, pasi politika dhe interesat e secilës parti vetëm sa prishin atë që është projektuar nga Komisioni i Venecias. Paralel me këtë PD, LSI, PDIU dhe PS janë duke menduar se si të shkojnë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, por nuk dinë muajin e saktë. Por këtë vit do shkohet në zgjedhje parlamentare. E sigurt është kjo, sa mbetet e garantuar që Edi Rama është në SHBA në një vizitë familjare këto ditë, siç thotë edhe zyra e shtypit e Kryeministrisë, e jo në Majami për plazh siç akuzojnë mediat online.

Secila nga selitë partiake është duke punuar për skenarin e zgjedhjeve të parakohshme, pavarësisht se bëjnë sikur nuk duan apo se nuk do të shkohet drejt zgjedhjeve. Pozitë dhe opozitë kanë mobilizuar strukturat në bazë, bëjnë takime gjoja për hir të reformës, për punësimin, për vreshtat, për bujqësinë, për varfërinë, për mitingje etj, por pikësynimi mbetet që zgjedhjet e parakohshme të jenë këtë vit. Sipas PS-së, Edi Rama synon të mbarojë reformën e sistemit të drejtësisë, por realisht ai do të ketë kontrollin në emrat që do të zgjidhen në këto institucione kushtetuese. PD kërkon të bllokojë qeverinë me synim gjallërimin e demokratëve në mbarë vendin, pas humbjes tragjike në qershor 2013, kurse LSI duket se është e gatshme në çdo moment për t’u futur në zgjedhje parlamentare. Ka sigurinë e votave të qershorit 2015. Po të shikosh me kujdes të gjitha lëvizjet e kreut të LSI-së, Ilir Meta janë edhe në këtë funksion, pasi duke ditur se “vëllai” bashkëqeverisës mund ta çojë vendin për 45 ditë në zgjedhje e ka si synim t’i gjejë të papërgatitur të gjitha partitë, selia e LSI-së ka gati skemën e zgjedhjeve, nëse ato bëhen pa mirëkuptim, thotë një burim nga zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj force politike. I pyetur nga “Koha Jonë” për këtë skenar të PS-së, kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili tha se, “ne duam të bashkëqeverisim për të mbajtur premtimet, për të rregulluar ekonominë, porse nëse dikush nga maxhoranca i do këto zgjedhje të parakohshme, ne jemi gati që nesër. Dhe fitojmë shumë më shumë se sa kemi sot vota”.

Edi Rama ka si qëllim të largojë peshën e LSI-së dhe të ketë krejt pushtetin në dorën e tij. Lulzim Basha e Sali Berisha e dinë se nuk dalin për momentin parti e parë në zgjedhje, ndonëse bërtasin përditë për zgjedhje, por  rrinë e hedhin një sy, sa nga Rama e po kaq edhe nga Meta. Qeveria e re e paszgjedhjeve nuk bëhet pa koalicion. Asnjëra parti nuk kap dot më mbi 60 deputetë. Tre janë variantet e qeverisë së re: ose PS me PD, e mbetet LSI jashtë qeverisë. Ose PS me LSI, por me kushte të reja që nuk do t’i pëlqejnë aspak Ramës, sepse Ilir Meta nuk do të pranojë më për Kryeministër Edi Ramën. Ose skema LSI-PD-PDIU-PR, por që LSI të marrë zv/kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm. E pikërisht, Ylli Manjanin si ministër të Brendshëm dhe numrin dy të qeverisë. Ndërsa Shpëtim Idrizi zv/kryeministër dhe ministër Financash, meqenëse e njeh sistemin se ka qenë dikur edhe drejtor Tatimesh e Doganash. LSI merr edhe disa ministri me shumë se sa drejton sot. Por lëshon si kompensim Kryeministrin që ia kalon Lulzim Bashës dhe President Republike në vitin 2017 mandaton Berishën. Me këtë skemë LSI mbetet forcë e sigurt politike, kalon PS-në në opozitë dhe i jep hakun e pabesisë së deritanishme. Kurse për Ministër të Jashtëm emërojnë një prej figurave më emblematike të së majtës, pikërisht Ben Blushin; diplomat, shkrimtar, politikan, ideolog i së majtës moderne.

Me përzgjedhjen e Sali Berishës si President, nga ku ai mbyll karrierën e tij politike me postin e lartë, edhe Lulzim Basha ndjehet më i qetë për ndonjë rikthim të beftë të tij nëse PD-ja mbetet përtej “kanalit” të pushtetit. Ndërsa Ilir Meta qëndron në karrigen e Kryetarit të Parlamentit. Mundet që të ketë ndonjë manovër të Edi Ramës me PD-në, duke zhbërë LSI-në, duke u dhënë çelësin e Presidencës, por jo “kërpudhën” e Kryeministrisë. Natyrisht që, në këtë lobim, për t’ia futur njëri- tjetrit, në fund mundet që LSI-ja të nxjerrë “asin” nën mëngë: përveç Presidentit dhe Kryeministrit, të cilat ia jep  PD-së, indirekt i kalon Berishës edhe Prokurorin e Përgjithshëm. Sistemi i ri i drejtësisë që do të miratohet nuk do të lejojë kollaj marrjen e Kryeprokurorit nga Presidenti, por palët kur duan e gjejnë gjuhën  dhe siç dihet bëhet kompromisi. Marrja e Kryeprokurorit të ri të Përgjithshëm nga Berisha dihet fati i disa ministrave të sotëm të PS-së. Sirena policie, arrestime dhe dënime.

Në fund të fundit të gjitha palët politike janë duke bërë gati “çizmet” për fushatën e pritshme parlamentare dhe llogaritë për numrin e votave.