Alarmi i OKB-së: Ballkani Perëndimor po boshatiset

 

Në fund të shekullit XXI Ballkani Perëndimor do të ketë një ulje të ndjeshme të numrit të popullsisë, thuhet në raportin e fundit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara me titull ”Perspektivat e popullsisë globale”.

Sipas këtij raporti, Maqedonia do të ketë 1,5 milionë banorë ose gjysmë milioni më pak nga sa ka sot.

”Në vitin 1950, Maqedonia kishte 1,2 milionë banorë, ndërsa sot ka 2 078 000, numër ky që do të mbetet i pandryshuar edhe në vitin 2030”, thuhet në raport.

Përsa i përket vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, pothuajse të gjithë përballen me të njëjtën situatë.

Ky raport parashikon që numri i popullsisë në Shqipëri, nga 2,89 milionë banorë aktualisht, në vitin 2100 të reduktohet në 1,75 milionë.

Bosnje-Hercegovina në vitin 2100 do të ketë 1,91 milionë banorë, Kroacia nga 4,24 milionë banorë aktualisht, në vitin 2100 do të ketë vetëm 2,61 milionë.

Numri i popullsisë i Malit të Zi, nga 626 000 do të reduktohet në 437 000 banorë.

”Serbia, që aktualisht ka 8,58 milionë banorë, në fund të shekullit do të ketë 5,33 milionë”, thuhet në raportin e OKB-së.