Donald Lu-Basha-Meta bashkë kundër draftit “Vlahutin-Rama”?

 

Reforma në drejtësi duket se kam marrë një tjetër drejtim pas mbërritjes së rekomandimeve të plota të Komisionit të Venecias në Tiranë, rekomandime që sot janë shpërndarë nga vetë ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Donald Lu i cili është një ndër aktorët kryesorë që ka ndërmarrë këtë nisëm në vendin tonë.

Por cilat janë fazat në të cilat ka kaluar ky draft?

Drafti “Xhafa”

Partia Socialiste në pushtet me në krye Edi Ramën vendosi që të nisë reformën në drejtësi. Detyra iu besua Fatmir Xhafës. U krijua një komision në të cilin opozita nuk mori pjesë asnjëherë. Ambasadorët ishin të ndarë në lidhje me bërjen e reformës në drejtësi, me praninë apo jo të opozitës. Kreu i Delegacionit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin ka qenë këmbëngulëse që reforma në drejtësi të bëhej pa pjesëmarrjen e opozitës.

Drafti tek Komisionit të Venecias

Mazhoranca bëri një draft për reformën në drejtësi dhe opozita kishte një sërë sugjerimesh dhe kundërshtimesh. U desh thirrja e krerëve të Komisionit të Venecias për marrjen e opinionit të tyre. Këta të fundit e morën draftin me vete dhe vetëm pak ditë më parë shprehën mendimet e tyre. Drafti “Xhafaj” në shumicën e tij u hodh poshtë, duke dhënë një sërë rekomandimesh, mes të cilave edhe një radikalizim të reformës në drejtësi, për shkak të gjendjes së rëndë.

Donald Lu tek Berisha e Basha

Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu ka zhvilluar sot dy takime. Ish-kryeministrit  Berisha dhe kreut të PD-së, Lu u dorëzoi rekomandimet e plota për reformën në drejtësi. Gjatë bisedës me ta është diskutuar pikërisht për rekomandimet dhe mënyrën e bërjes së kësaj reforme me përfaqësimin e të gjitha palëve.

Basha: Reformë sipas Venecias

Kreu i PD-së Lulzim Basha ka bërë thirrje për një reformë të shpejtë dhe të thellë në drejtësi. Duke folur për median, Basha ka prezantuar edhe rekomandimet e Komisionit të Venecias. “Ky mesazh i drejtoret Ramës e Metës dhe gjithë qytetarëve. Ky është drafti i Komisionit të Venecias. Kjo është harta që duhet ndjekur për të bërë reformën në drejtësi. Në emër të PD-së i ftoj të bëhen pjesë e një përpjekje për një reformë të shpejtë dhe të thellë në sistemin e drejtësisë. PD do ti përmbahet të gjitha rekomandimeve të Komisionit të Venecias”, u shpreh Basha.

LSI: Venecia gjyqtari më i lartë

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili në një deklaratë për mediat vlerësoi se rekomandimet e Komisionit të Venecias do jenë faktori kyç për reformën në drejtësi. “Komisioni i Venecias, gjykatësi me i lartë i reformës në drejtësi. Profesionalizmi standardet dhe transparenca ku duhet të bazohet kjo reformë.”- theksoi Vasili. Gjithashtu ai përshëndeti edhe njëherë arritjen e konsensusit për miratimin e ligjit për dekriminalizimin duke shtuar se mbështet kryerjen e kësaj reforme sa më parë dhe me cilësi.(syri.net)