Tatimet, 10 bashki pranë falimentimit

 

Njësitë e reja të pushtetit vendor duket se janë zhytur në vështirësi të thella financiare.

Madje 10 prej tyre janë të listuara në listën e tatimpaguesve të këqij nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Bashkia e Fushë-Krujës, ajo e Krujës, Kavajës, Divjakës, Rrogozhinës, Memaliajt, Përmetit, Policanit, Libohovës dhe Tepelenës janë në prag të falimentit dhe ndaj tyre kanë nisur ekzekutimi i detyrimeve tatimore me forcë.

Detyrimet e njësive vendore janë akumuluar si të tilla nga mospagesa e kontributeve për punonjësit dhe të tjerave të krijuara nga ndërmarrjet në varësi të këtyre njësive.

Me ndarjen e re administrative dhe shkrirjen e komunave një pjesë e detyrimeve të tyre i kanë kaluar njësive të mëdha (bashkive) duke i rënduar edhe më tej situatën financiare të tyre.

Të 10 bashkitë debitore ndaj shtetit janë të përfshira në listën e tatimpaguesve me detyrime të papaguara në afat, ndaj të cilëve Administrata tatimore, në zbatim të nenit 91 të Ligjit nr.9920, datë 19.05.2008 “Për Procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, ka vendosur marrjen e masave të sigurimit mbi të gjithë pasuritë për ekzekutimin e detyrimeve dhe se ka filluar procedura e mbledhjes me forcë të tyre.

Sipas burimeve zyrtare në Tatime, njoftimi e subjekteve debitore bëhet që personat e tretë të marrin dijeni për fillimin e këtyre procedurave dhe që organet apo institucionet të cilët kanë bëre regjistrime të pasurive të luajtshme apo të paluajtshme të tatimpaguesve debitorë, të regjistrojnë detyrimin tatimor të papaguar si barrë mbi këtë pasuri dhe të mos lejojnë kryerjen e transaksioneve për transferimin e pasurive të tatimpaguesve debitorë, deri në momentin që detyrimi tatimor i papaguar të arkëtohet.

“Ky publikim bëhet që të njoftojë të gjitha palët që kanë interesa me këta tatimpagues. Me pagimin e plotë të detyrimit, të dhënat e subjektit fshihen nga kjo faqe” sqaron më tej Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

 

Bashkitë ndaj të cilave ka nisur mbledhja e detyrimeve me forcë

1-BASHKIA FUSHE KRUJE

2-BASHKIA KRUJE

3-BASHKIA KAVAJE

4-BASHKIA DIVJAKE

5-BASHKIA RROGOZHINE

6-BASHKIA MEMALIAJ

7-BASHKIA PERMET

8-BASHKIA POLIÇAN

9-BASHKIA LIBOHOVE

10-BASHKIA TEPELENE

/Monitor/