“Nga makina dola pa njërën këmbë”, rrëfimi tronditës i ushtarakut, pas atentatit

 

Isha vetëm në makinë dhe kur ndodhi shpërthimi, kam mundur të dal prej andej e kam ecur për disa metra me një këmbë.

Pastaj më ndihmoi një shofer furgoni që nuk e njihja fare” shprehet Elton Imeri, 34­-vjeçari me profesion oficer i Policisë Ushtarake, të cilit dy ditë më parë iu bë atentat me lëndë plasëse në makinën e tij.

Në një intervistë për “GSH”, i riu rrëfen tmerrin që ka kaluar në pak sekonda si dhe i bën thirrje policisë që të zbardhë sa më parë këtë ngjarje.

Elton, si ndodhi ngjarja? Çfarë mban mend nga shpërthimi?

Sapo kisha dalë nga shtëpia dhe isha duke shkuar për në punë. As vetë nuk e di se si ndodhi ngjarja. Në makinë isha i vetëm dhe kam qenë në ecje kur automjeti shpërtheu. Sapo ndjeva shpërthimin, jam hedhur nga makina vetëm që t’i shpëtoja asaj tronditjeje të fortë. Mbaj mend vetëm që në rrugë kishte shumë pak njerëz dhe pothuajse asnjë makinë që të kalonte. Di të them vetëm që është fat që jam ende gjallë.

Kush jua dha ndihmën e parë, kush ju solli në spital?

Nga makina kam dalë vetëm me një këmbë. Tjetra më kishte mbetur atje. Nuk e di mirë se sa metra rrugë kam mundur që të eci vetëm me një këmbë që të largohesha pak nga makina që shpërtheu. Kam mundur të dal deri në afërsi të rrugës kryesore. Në atë gjendje që isha, nuk mund të ecja më shumë. Kam bërtitur me të madhe që të lajmëronin policinë apo ambulancën, çfarëdo që të ishte. Në ato momente për fat ka ardhur një furgon i bardhë. Nuk e njihja fare se kush ishte shoferi, por ai më ndihmoi. Më hipi në makinën e tij dhe më pas më solli në spital.

Elton, si është gjendja juaj tashmë?

Tani jam më mirë. Një këmbë e humba, por jam me fat që jam gjallë pas gjithë asaj që ndodhi. Ju jeni me profesion oficer i Policisë Ushtarake.

Mendon se atentati që ju bë dje (pardje) ka lidhje me profesionin tuaj? Keni pasur kërcënime më parë nga ndonjë person?

Është e vërtetë që unë jam oficer i Policisë Ushtarake, por kjo që më ndodhi mua nuk ka të bëjë fare me profesionin tim. Jam treguar shumë i ndershëm që nga momenti që jam punësuar dhe kështu do të vazhdoj të jem. Madje, kushdo që dyshon se atentati ka lidhje me punën time, mund ta vërtetojë që nuk kam bërë asnjë veprim të gabuar në profesion. Nëse do të kishte ndodhur e kundërta, nuk do të isha ende në punë. Madje dua të them që sot (dje) në spital më kanë ardhur edhe drejtuesit më të lartë të Policisë Ushtarake, si Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, ashtu edhe komandanti i Policisë Ushtarake, Xhevdet Zeneli. Të dy këta janë persona shumë të nderuar dhe më ofruan mbështetje në çdo problem apo shqetësim që mund të kem unë dhe familja ime.

Po ndonjë konflikt apo hasmëri familjare, keni pasur?

Absolutisht jo! Ne jemi familje e rregullt dhe gjithmonë merremi me punët tona. Nuk i hyjmë në hak njeriu. Këtu ka një gabim për diçka që është thënë se familja ime është në hasmëri me një familje tjetër. Kjo nuk është fare e vërtetë, pasi këtu ka ngatërrim mbiemrash. Ne jemi me mbiemër Imeri dhe jo Ymeri, sikundër është familja për të cilën është folur më parë.

Atëherë, sipas jush, kush mund të jetë shkaku i atentatit dhe kush fshihet pas kësaj?

Unë dyshoj se shkak i ngjarjes mund të jetë një grabitje e bërë në Tepelenë mesnatën e 31 marsit të këtij viti. Di që kanë qenë 4 persona të maskuar e të armatosur që grabitën banesën e një të moshuari nën kërcënimin e armës dhe të dhunës. Një nga autorët ka qenë shoku i vëllait tim, Ervisit. Vëllai sapo ishte kthyer nga Maqedonia kur autori e ka marrë në telefon dhe i ka kërkuar që të shkonte ta merrte me makinë. Kur ka shkuar e ka marrë, tre personat e tjerë kanë qenë me maska dhe e kanë kërcënuar me armë vëllain tim që të shkonte ku t’i thoshin ata dhe të mos tregonte asgjë. Më pas ngjarja është zbuluar nga policia, pasi autorët në banesën e të moshuarve kishin lënë makinën dhe çantën me dokumente brenda. Ndërsa, vëllai im është në “Arrest me burg” për moskallëzim krimi. Ai është i pafajshëm në atë ngjarje. Kjo gjë është vërtetuar edhe nga policia, pasi nga tabulatet telefonike është vërtetuar që Ervisi ka shkuar në orën 2 e gjysmë me makinë dhe pa e ditur se çfarë kishte ndodhur më parë. Por, kjo që më ndodhi mua nuk është atentati i parë që na është bërë. Në korrik vëllait tim i është vënë rreth 600 gr tritol poshtë makinës së tij, por fatmirësisht nuk shpërtheu, pasi ai e konstatoi në kohë. Madje, edhe gjatë kohës që ka qenë në burg, persona të ndryshëm kanë tentuar t’i bëjnë keq. Nuk e di se kush fshihet pas gjithë këtyre gjërave, por di të them vetëm se çdo gjë ka lidhje me grabitjen në Tepelenë.

Keni dëshmuar në polici? Çfarë keni thënë?

Kam thënë të gjithë këtë që po jua them edhe juve. Dua që ngjarja të zbardhet sa më parë, pasi në rrezik nuk është vetëm vëllai im dhe unë, por edhe familja imë. Kërkoj mbrojtje nga policia, si për vete dhe vëllain tim që ndodhet në paraburgim, ashtu edhe për familjen time. Nuk dua që ngjarja të mbetet në harresë nga policia, por të zbulojnë se kush janë autorët dhe të dënohen.