Shembja e pamundur e bunkerit

 

Nga Andi Bushati

Pavarësisht nga loja haluçinante e numrave dhe pjesëmarrjes, opozita në mitingun e sotëm ka arritur në një majë të re: ajo ka mbajtur protestën më të ndezur dhe më të revoltuar të këtyre dy vjetëve e gjysëm.

Simbolika e zgjedhur ka qenë e goditur.

Në njërën anë me fjalimet në podium, u denoncua një qeveri kleptokratësh që i shpërndan paratë që merr borxh për t’ua dhënë koncesione dhe tendera miqve dhe shokëve. Jo më kot Lulzim Basha përmendi edhe njëherë 400 milionët që mungojnë në buxhet, shumat marramendëse të dhëna për klientët e Ramës, faktin se kjo qeveri “ka zhdukur tenderin dhe garën” apo pengimin e hetimit ndërkombëtar për aferën e CEZ.

Ndërsa në anën tjetër, me mësymjen ndaj bunkerit pranë ministrisë së Brendëshme, ajo mëtoi të diskreditojë delirin e kryeministri që po e trajton  Shqipërinë si telajon e maktheve të veta. Sulmi ndaj bunkerit, pavarësisht se u kërkua nga një përfaqësues i ish të përndekurve politikë, më shumë sesa një kundërshti ndaj rikthimit të simboleve të së shkuarës, ishte një mëri ndaj pushtetit të personalizuar që është mbyllur në kullën e hajdutërisë dhe ka humbur aftësinë për të dëgjuar shqetësimin e shoqërisë.

Në këtë kuptim, pas dy vjet e gjysëm të këtij pushteti, PD ia ka arritur të tubojë njerëzit e saj dhe jo vetëm ata, rreth idesë se vendi ka rënë në duar të pasigurta dhe e ardhmja rrezikon të jetë edhe më e zymtë.

Ky miting ishte suksesi i saj për të treguar se Rilindja tashmë është diskretituar.

Dhe kjo nuk është pak.

Por, nga ana tjetër është krejtësisht e pamjaftueshme për rolin dhe qëllimet që ka opozita.

Sepse tjetër gjë është të tregosh se kemi të bëjmë me një qeveri të dështuar dhe krejt tjetër gjë, të ngrihesh në nivelin e një alternative për ta rrëzuar atë. Dhe këtu PD ka ende shumë për të bërë.

Në fjalimin e tij (për fat këtë herë edhe kordat vokale i qëndruan më besnike) Lulzim Basha kërkoi rrëzimin e dyshes Rama- Meta, krijimin e një qeverie teknike dhe më pas zgjedhjet e parakohëshme.

Ai e kërkoi këtë përmes mosbindjes civile dhe ngritjes në këmbë të qytetarëve.

Po si do të arrihet kjo?

Pas suksesit në misionin e saj diskretitues, kjo është sot dilema e madhe e opozitës në pjesën tjetër të mandatit.

Dhe për të ngritur njerëzit në këmbë nuk mjafton që të tregosh se kundërshtari është i keq, por se edhe ti je krejt i ndryshëm nga ai.

Menjëherë pas kësaj proteste, madje që në studiot e mbrëmjes do të ngrihen propagandistët e qeverisë që do të fillojnë rolin e relativizuesit. Ata me siguri do të thonë se ndryshe nga 21 janari, policia nuk u soll si vrasëse. Ata do të vazhdojnë me tej (sikurse bënë ditët e fundit) të tregojnë lejet korruptive të Bashës. Ata do të flasin gjithashtu për tenderat dhe koncesionet e Berishës. Për familjarët e tij. Për Gërdecin gjykatat, zgjedhjet e vjedhura të Tiranës dhe batakun ku u zhyt Shqipëria për tetë vite.

Dhe pavarësisht nga keqbesimi i tyre, në shumë nga gjërat që do të thonë do të kenë të drejtë. Sepse ato i kanë parë dhe jetuar të gjithë.

Prandaj dhe sfida e dytë e opozitës sot është të dijë të përballet edhe me ta.

Të përballet, në fakt, me të shkuarën e saj.

Ky është misioni i dytë i Bashës, pas atij të realizuarit për diskretitimin e kësaj qeverisjeje.

Nga mënyra se si do të angazhohet në këtë proces do të varet edhe suksesi apo dështimi i tij.

Sepse në një farë mënyre kjo betejë e gjatë i ngjan simbolikisht mësymjes së bunkerit këtë 8 dhjetor.

Opozita arriti ta përdhunojë, pa e shkatërruar dot.

Kjo dramë mund t'i ndodhë edhe Bashës nëse nuk kërkon falje për të shkuarën dhe nuk di ta shikojë në mënyrë kritike trashëgiminë berishiste.

Ai do t'i lërë shqiptarët të jetojnë për një kohë të gjatë, nën bunkerin e përmjerë të Ramës./Lapsi.al/