Dedë Gjo’ Luli, prijësi legjendar i “Malësisë së Madhe”

 

Falë një aktiviteti mbi gjysmë-shekullor në shërbim të përpjekjeve për liri, pavarësi e bashkim kombëtar, Dedë Gjo’ Luli padyshim rreshtohet midis personaliteteve më të shquara të kombit. Nisur nga një ngjarje tashmë kthyer gati në legjendë, e lidhur me nismën e tij që në moshën 22 vjeçare për t’i shkuar në ndihmë Oso Kukës në Vraninë dhe duke vazhduar në sa e sa vepra të tjera patriotike, kreshniku i Alpeve Veriake na vjen i pranishëm me një aktivitet të ngjeshur e të kthjellët si ujët e Cemit, në të gjitha ngjarjet e mëdha që do të pasonin.

I pajisur me pikëpamjet më të avancuara të rilindasve tanë të shquar, Dedë Gjo’ Luli qysh në vitet e Lidhjes  së Prizrenit do të ishte jo vetëm vojvoda i Traboinit, prijësi i lufërave, por i shquar  do të mbetej ai edhe si drejtues i  forcave të Lidhjes në luftë për mbrojtjen e viseve të prekura nga vendimet arbitrare të Kongresit të Berlinit e të sulmuara nga fqinj agresivë, gjë për të cilën kryengritja e fuqishme e Malësisë së Madhe e mars-gushtit 1911  do ta afirmonte atë përfundimisht si prijësin e shquar, në plan deri kombëtar. Aq e vërtetë është kjo sa,  e ke të vështirë të flasësh për këtë lëvizje pa patur parasysh udhëheqësin e saj, ashtu sikurse është e pamundur që kur të kesh zënë në gojë personin e tij, pa iu referuar asaj kryengritjeje të madhe të cilën e udhëhoqi me guxim, urtësi dhe më e rëndësishmja, me aq largpamësi ku Malësia e Madhe do të përballonte në këtë luftë forcat  dhjetëmijëshe xhonturke të komanduara nga njëri prej gjeneralëve më në zë si Shefqet Turgut Pasha, i cili pas disfatës së turpshme, do detyrohej të pranonte se “kryengritja e Malësisë së Madhe ishte një kryengritje “thjesht shqiptare, mbi baza kombëtare”!

Përveçse udhëheqës me armë në dorë tue u pri çetave të malësorëve, por edhe në takime ku e lypte e mira e vendit, anëtar i xhibalit të Shkodrës. Në mbledhjen e Cetinjës në mars 1911 si dhe në  Greçe do ta gjejmë atë  përkrah prijësave tjerë të Malësisë së Madhe si, Uc Turku e Prekë Cali të Kelmendit, Baca Kurtit të Grudës, Dodë Preçit të Kastratit, Vatë Marashit të Shkrelit e mjaft drejtuesëve të tjerë të bajraqeve të Malësisë. Ishte padyshim personaliteti, pjekuria e tij dhe e atdhetarëve  tjerë të shquar miq e bashkëpunëtorë të tij si, Ismail Qemali, Isa Boletini, Luigj Gurakuqi, Hilë Mosi, Sali Hoxha etj, të cilët dukshëm do të ndikonin për t’a nxjerrë kryengritjen e Malësisë së Madhe nga kuadri i një lëvizjeje thjesht lokale, duke i dhënë  asaj ngjyresa të forta kombëtare.

Por vlerat e Dedë Gjo’Lulit si prijës ushtarak popullor e si atdhetar marrin edhe më tepër dukë nëse do t’i shohim ato të lidhura me disa dhunti gati proverbiale, dhunti të cilat do ta mbanin emrin e tij të lidhur kaq ngushtësisht, por dhe kaq të freskët sot e kësaj dite me ata banorë dhe  me gjithë ato rrethina ku lindi, luftoi e punoi fund e krye, një jete të tërë. I njohur deri në të pabesueshme për urtësi, pleqnar me nam, njohës i hollë i së drejtës dokësore, paqtues i mençur i gjaqeve i cili do të kishte burrërinë ta shtrinte dorën e pajtimit tue  falë i pari gjakun e kushërinit të vet, besëlidhësi i fisëm që për qëllime atdhetare do të dijë t’i kalojë me elegancë ndasitë fetare, zënka e prishaqejfe me të cilat do të ishte e mbushur asokohe jeta e banorëve të maleve, Dedë Gjo’Luli do të kujtohej gjatë edhe për thjeshtësinë e admirueshme, drejtësinë e kulluar,  qëndrimet e prera e pa anësi që ai do të mbante ndër pleqnitë e përditas, gjykime, gode e kuvende. Ja dy-tri momente të cilat na e sjellin Prijësin të përkorë e të drejtë, ashtu siç pati qënë me të vërtetë në trup e në shpirt e siç e pati falun zoti.

***

Në luftë me ushtrinë e Turgut Pashës në qafë të Kushnes me 1911, bashkë me trima të tjerë pati mbetë i vrarë dhe Gjergji, djali i vogël i Dedë Gjo’ Lulit. Por erdhi mbrëmja e kur njerëzit e shtëpisë kanë mbetun vetëm, Kola djali i madh i Dedës paska lidhë shaminë e zezë. Kur ia sheh, Deda po i vikatë të birit:

-Çka asht ajo që më ke vû në krye?

-Shamia babë, ruba e zezë sepse im vëlla, sot është varrosun! – ia kthen përlotshëm djali.

Deda atëhërë siç ishte çohet vrik në këmbë, ia merr shaminë prej kreje, ia hedh matanë e burrçe, por jo pa iu dridhun mjekrra, do t’i drejtohet tashmë djalit të vetëm që i ka mbetë në konak:

-Ka mbetë Hoti biri im, e jo yt vëlla. Se edhe ata djem nanash po janë! E pra, të mos më kish ra njëri djal në këtë luftë, unë sot do të kishe mbetë i koritun! – dhe u çua, muar shaminë e kuqe e ia lidhi në krye, djalit të vet.

Historia botërore po dhe ajo e Shqipërisë ka regjistruar në kujtesën e saj se në rrethana të caktuara udhëheqës të ndryshëm kanë tradhtuar kauzën, vendin dhe ideale për të cilat kanë luftuar, për arsye nga më të ndryshmet ku ndër ngasjet më kryesore ka qenë pasuria. Nisur nga eksperienca dhe fakte të mëparshme në marrëdhënie edhe me figura të lëvizjes kombëtare të cilët do të ishin hedhur në krahun e autoriteteve turke, gjë të cilën Porta e Lartë do përpiqej ta arrinte edhe me Dedë Gjo’ Lulin, me qëllimin për t’a korruptuar atë. Por trimi i maleve edhe pse me ngushtica të mëdha e me të mungueme deri për bukën e gojës, do dijë t’i përgjigjet përfaqësuesit osman i cili sapo do të kish lidhur në oborr mushkun ngarkuar me verdhushkat, na i qenka drejtuar Dedë Gjo’ Lulit, duke i thënë:

-Shihi pra, trimi i Traboinit, se të gjitha për ty janë! – dhe Deda tue dalë në prag të derës, pa u mendue gjatë, do t’ia kthente turras:

-Hami dreq paret tua, se unë Shqypninë as e shes, as s’e fali!

Por i dërguemi i “naltmadhnisë”, si me marifet, do të ngulte këmbë përsëdyti:

-Merri, bre Dedë! Merri po të them. Merri se je në nevojë për to se veç shpirtit, asgjë tjetër s’të ka mbetë!…

Por burri i Traboinit i rrin gati e atypëraty, ngultas do  t’i shpërvilet Bedri Pashës, të dërguemit të Hyqymetit:

-Paç faqen e bardhë ti lum zotnia, që po e “ankon” këtë hallin tim. Po merre vesh mirë pra edhe një herë, ti e gjithkushi, se ky Dedë Gjo’ Luli, me kurrgja nuk po e ndërron sot lirinë e Shqypnisë. Jo ma për 500 lira, po as për 500 miliona sosh!.

Dhe  vetëm mbaspak, do t’i drejtohet djalit të vet:

-Hajt bir, shko e na e lyp ndër kojshi nji koshiq kollomoq, se mielli në magje ka sosun!…

Djali muer të largohet, por si eci nja dy-tre hapa ndali e po e sheh babën e vet, mu në qole të synit. Deda atëherë i avitet dhe si ia vuri dorën në parzmë, do t’i thoshte ëmblas:

-Hajt të pastë baca, shko e mos u vono! Se nuk ka jo pare turku, për me e “thye” Dedë Gjo’ Lulin…!

***

Flitet se qysh më 1906, prijësi legjendar do të qe vënë në kërkim të një flamuri për luftëtarët e vet dhe për shkak të përpjekjeve të mëdha për t’a siguruar atë flamur, Zef Peci i pati thënë atij një ditë:

-Po pse me kaq axhele (me kaq ngulm) po kërkon për atë flamur more Dedë, kur sot na po jena në ngushllëk për shumë sende tjera?… Dhe burri i Traboinit, me të butë, do t’i ishte përgjigjë:

-Sepse flamuri more të pastë Deda, po i ka të gjitha: ka besën, ka edhe pushkën. Ai ka brenda krejt Shqipninë. Atij i falemi e atë po e ndjekim përmbrapa të gjithë, lum Zefi!…

Kryengritja do të kurorëzohej me sukses dhe do të ishte pikërisht ky flamur me emblemën e Skënderbegut që pas plot 432 vjetëve dominim të perandorisë osmane, lumnisht do të ngrihej ai në majën e Deçiqit për të mos u ulur më kurrë, derisa të flitet shqip nën këtë qiell! …

Dedë Gjo’ Luli bën pjesë në atë plejadë prijësish popullor i cili bashkë me patriotë  tjerë të mëdhenj do të jepnin një ndihmesë të pallogaritshme për shkrirjen e programit të Rilindjes Kombëtare me luftën e armatosur të dhjetra-mijëra kryengritësve të Malësisë së Madhe që me atdhetarizmën, aftësitë organizative e luftarake, autoritetin dhe mendjen e tij të ndritur, mbetet edhe sot e gjithmonë një shembull, një lloj klasiku, një asi modeli të papërsëritshëm jo vetëm për njerëzit e thjeshtë, por edhe për intelektualë, patriotë e hartues të politikave nacionale, një monument i gdhendur bukur i shqiptarësisë, ndera e gjallë e krahinës së vet, siç do t’a kish cilësuar që në gjallje, Ismail Qemali: “Pushkë e ngrehun për Shqipninë”. Apo patrioti demokrat  Avni Rustemi, kur do t’a cilësonte atë, si “burrin e pa frikë dhe të pa njollë të Maleve tona”.

Në malësitë tona të veriut thoshim dikur, se “gjithkushi në këtë shekull përpiqet me zgjedh sadopak prej imshtës së kësaj bote. Se njashtu siç një ditë e kalueme mirë sjell gjumë të ëmbël, edhe një jetë e përdorur në mënyrë fisnike sjell një vdekje të mbuluar me lavdi”! Se kështu paska qenë në të vërtetë ky burri në shenjë, kushtimtari i paepur i Malësisë së Madhe: njëri prej princave më patriot, mendçar, më të ditur, më popullor por dhe më të pa frikë ndoshta, të Shqipnisë mbarë. Heronjtë lindin, perandoritë bien, legjendat flasin. Ato jetojnë përgjithmonë, edhe kur të zotët e tyre (ata që i krijuan), do të jenë larguar nga kjo botë… Nuk mund të ketë fakt më inkurajues, më të shenjtë sesa dhuntia e njeriut për t’a lartësuar jetën vet. Dedë Gjo’ Luli do të ishte njëri sish: nji dritëz e këtij visari që veçse e madhështon, e përtërin, e hijeshon denjësisht rodin shqiptar, racën njerëzore!… Dhe na lejoni t’i mbyllim këto radhë me dy fragmente poezish, kushtuar patriotit legjendar. Së pari, janë tre vargje shkëputur nga “Lahuta e Malcisë” e të madhit, At Gjergj Fishta:

“Se me djelm që ka mbas veti/S’i ka krajli as s’i ka mbreti/S’i ka toka, s’i ka deti…”. Ndërsa kjo e dyta është pjesë e një poezie shkruar që në vitin 1913 prej kronistit të kryengritjes së Malësisë së Madhe, mik e bashkëpunëtor i Dedë Gjon Lulit, poetit të mirënjohur Risto Siliqi:

“Ah, prap po duan t’na ndajnë copa/ Prap mendimi i par’ asht gjallë/ Por t’a marrë pra, vesh Evropa/Dedë Gjo’ Luli asht, prap gjallë!…”

Dedë Gjo Lulit sot pas njëqind vjetëve iu përjetësua lavdia! Nderim për ata që punuan për t’a ngritur në piedestal, aty ku e meritoi.

Gjergj Shyti dhe Gjovalin Gjeloshi