Karikaturat e Bujar Kapexhiut vlerësohen me “Shqiponjë e Artë” (FOTO)

 

Në kuadër të Panairit “Klik Ekspo Group” në moton Biznes-Kulturë-Bashkëjetesë, u zhvillua ditën e djeshme ceremonia e prezantimit të Ekspozitës së Karikaturave të artistit të merituar Bujar Kapexhiu. Ekspozita e Karikaturave të Bujar Kapexhiut në këndin e UET-së dhe Fondacionit Mapo në Panairin Klik Ekspo Group nuk tërhoqi vetëm admirues të shumtë, por u nderua dhe me një medalje nga organizatorët. “Shqiponja e artë” ishte çmimi që iu akordua dje Kapexhiut me motivacionin “Bujar Kapexhiu, mjeshtër i artit të humorit, përcjellës i mesazheve të forta për shoqërinë përmes artit të tij shumëpërmasor, me karikaturë dhe humor të zgjuar e progresist. Një mendje e mprehtë për mendje të mprehta”. Çmimi iu arkodua nga Presidenti i “Klik Ekspo Group z. Luan Muhametaj.Karikaturat e tij për politikën janë bërë të famshme për shkak të rubrikës së tij të përditshme në gazetën Mapo. U bënë 10 vite që Kapexhiu, që mban titullin Mjeshtër i Madh dhe satirizon politikën, politikanët dhe fenomenet e jetës shqiptare. Iniciatori i kësaj rubrike, Henri Çili, botues i MAPO-s, u shpreh se, “në vitin e 10-të botimeve MAPO do të  bëhet një botim dedikuar Bujar kapexhiut me të gjitha karkikaturat e artistit Kapexhiu. Vetë artisti Bujar Kapexhiu e vlerësoi këtë çmim duke falenderuar miqtë dhe organizatorët, ku nuk mungoi edhe satira e tij. Ndërsa Elona Agolli, vajza e shkrimtarit Dritëro Agolli, i përcolli atij një mezash falenderimi nga babai i saj për portretizimin e shkrimtarit të madh në pikturat e tij.