Ilir Meta shigjeton Edi Ramën

 

Lëvizja Socialiste për Integrim ka lëshuar mesazhe të ashpra ndaj nëpunësve abuzues dhe të korruptuar në sektorët e administratës publike. Fillimisht kreu i LSI-së, Ilir Meta, në mbledhjen e Këshillit Drejtues Kombëtar (KDK) të mbajtur  mesditën e djeshme deklaroi se çdo person që kryen abuzime në administratë apo si pjesë e strukturave të LSI-së do të ndëshkohet në mënyrë shembullore. Kështu, në takimin me drejtuesit më të lartë të forumeve të partisë, Meta u shpreh se ka një sulm politik ndaj partisë që ai drejton për ta bërë pjesë të aferave dhe korrupsionit. Ai tha se në këtë parti nuk ka vend për askënd që ka probleme me ligjin. Ndërsa ka vënë në dukje se për LSI-në nuk ka asnjë akuzë për ndërhyrje monetare në caktimin e kandidatëve. “Nuk mund të thotë asnjë kandidat për deputet apo për kryetar bashkie se për të qenë i pari, i dyti, apo i treti në listë ka paguar lekë në dorë apo nën dorë te partia”,- u shpreh Meta. Deklarata e Metës vjen vetëm pak javë pasi një prej kandidatëve të PS-së në Lezhë ,që sot është deputet, deklaroi se kishte paguar deri në 500 mijë euro për t’u bërë pjesë e listës së partisë më të madhe në opozitë. Më tej, kreu i LSI-së theksoi se çdo rast abuzimi në emër të forcave politike do të ndëshkohet në mënyrë shembullore.“Dëgjojmë se flitet poshtë që kërkohen lekë për partinë, të cilat nuk janë gjë tjetër veçse abuzime të individëve të caktuar të cilët kërkojnë para për veten e tyre. Nuk ka nevojë LSI-ja t’u vendosë gjoba biznesve për t’i zhvatur ato me mënyra të shëmtuara e të urryera dhe do të kërkojmë dënimin maksimal të cilitdo individi, i cili jo vetëm s’do të ketë mbrojtje nga LSI, por do kërkojmë që të bëhet shembull”. Lidhur me këto akuza, kreu i LSI-së bëri me dije gjithashtu se çdo qindarkë e shpenzimeve të partisë do të bëhet publike dhe transparente si në asnjë rast tjetër të partive shqiptare.

Një tjetër mesazh i kreut të LSI-së ishte dhe ai për dekriminalizmin. Në mënyrë indirekte, Meta i ka kujtuar PD-së dhe PS-së se në radhët e kësaj force politike nuk ka persona që kanë probleme me drejtësinë.

Ndërsa kreu i LSI-së u fokusua dje edhe tek aktiviteti partiak ku kërkoi qëndrim korrekt të zyrtarëve, në të kundërt sipas tij, do të kenë përballje me ligjin. Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka qenë edhe më i ashpër me zyrtarët e administratës shtetërore. Në takimin e zhvilluar me drejtuesit e hipotekave në gjithë vendin, Manjani u ka kujtuar drejtorëve burgun 313 në Tiranë. “Ne jemi thjesht një magazinë inventari titujsh, që u shërben njerëzve sipas nevojës. Sepse nëse vërtet do të konstatoja që në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ndahen tituj, sigurisht të pamerituar, ju siguroj me bindje që për sa kohë të jem në këtë pozicion, nuk kam për të lënë njeri, me çdo mjet, që të shërbejë në ZRPP. Kemi një godinë tjetër, gjithashtu nën varësinë e ministrisë së Drejtësisë, që është 313-ta, këtu afër, kemi shërbim me çelësa në dorë. Mos mendoni se unë e kam fytyrën më të pastër, nëse ZRPP-ja akuzohet”,-tha Manjani.  

Ai nuk i ka kursyer kritikat ndaj administratës në hipoteka, duke u shprehur se zullumet kanë arritur deri në Komisionin Europian. “Lexoni progres-raportin se çfarë thotë për ju, deri në Bruksel ju ka vajtur nami”,- tha ministri i Drejtësisë. Nisur nga këto të dhëna, Manjani paralajmëroi edhe furtunë shkarkimesh për zyrtarët e korruptuar që shërbejnë në zyrat e hipotekave.

Qëndrimi i djeshëm i LSI-së bën kontrast me pjesën tjetër të mazhorancës. Prej disa muajsh, Partia Socialiste është vënë në mbrojtje tëçdo zyrtari të saj që akuzohet për korrupsion nga mazhoranca. Sigurisht që jo të gjitha akuzat duhen marrë seriozisht, megjithatë jo të gjitha dyshimet duhen hedhur në kosh të plehrave me disa deklarata për shtyp nga selia rozë. Në gati tre vjet qeverisje është e pamundur që  të mos kenë ndodhur shkelje të ligjit me të dyja këmbët. Mirëpo, mesazhi që jep Partia Socialiste duke marrë në mbrojtje çdo zyrtar të akuzuar u jep garanci të tjerëve se çfarëdo që të bëjnë, nuk do të preken. Nuk ka pse Edi Rama të mbrojë secilin ministër apo zyrtarë të tij të lartë, ndërkohë që krijon dyshime për arsyen e mbrojtjes. Ai që ka shkelur ligjin të shkojë para drejtësisë.

Në këtë drejtim, qëndrimi i djeshëm i LSI-së është më korrekt. Të paktën u kujtoi zyrtarëve se tek burgu 313 ka vend për të gjithë ata që shkelin ligjin, qofshin këta edhe nga LSI-ja.

Qamil Xhani