Europa nga dje nuk është më ajo që ishte pardje! Praktikisht,lufta ka nisur.

 

 

Pas sulmeve të së premtes së 13 nëntorit në Paris, bota nuk është si më parë. 129 të vrarët dhe 355 të plagosurit e masakrës së ndodhur në kryeqytetin francez, që cilësohet si zemra e Europës, janë shenja e parë se lufta ka nisur. Për herë të parë nuk është një luftë kundër shteteve, por kundër ideologjisë ekstremiste që nuk ka as shtet dhe realisht as fe. Është vetëm një shtrembërim i besimit fetar mysliman, që me gjuhën e urrejtjes dhe errësimin e arsyes e ka vënë sot qytetërimin europian përballë një lufte të hapur. Ai, siç thoshte dje Mero Baze, është një islamizëm politik që nuk ka asgjë të përbashkët me islamin si fe.

Ngjarja që ndodhi në rrugicat dhe lokalet e Parisit është një alarm jo vetëm për Francën. Tashmë furtuna e urrejtjes dhe dhunës ka mbërritur në Europë, SHBA, Azi e gjithë botën dhe pyetja që të gjithë bëjnë është: Kush e ka radhën pas Parisit? Dhe çka është më e keqja, përsëritja e terrorizmit në Francë, një nga vendet model të demokracisë, shton dyshimet se kjo që  ndodhi është vetëm fillimi. Terrorizmi praktikisht i ka shpallur luftë Francës, por njëherazi gjithë vlerave që mbart bota perëndimore. Vendi i demokracisë për herë të parë pas 50 vjetëve që nga Lufta e Dytë Botërore, dje mbylli kufijtë dhe kaloi në gjendje gati shtetrrethimi. Rreziku është kudo në Europë, sidomos SHBA, Britania dhe Italia, madje dhe Shqipëria nuk është jashtë zonës së kuqe.

Sulmi u cilësua si një akt lufte. Presidenti i Francës François Hollande deklaroi se autorë të sulmit ishin militantët e Shtetit Islamik dhe premtoi hakmarrje dhe luftë ndaj ISIS. Ai tha se “lufta filloi”, pra që do të hakmerret egër ndaj shtetit islamik. Si rrallëherë, reagimet e liderëve ndërkombëtarë që kanë peshën kryesore në vendimet globale, kanë qenë në një linjë. Presidenti i SHBA-ve, Barak Obama nuk la vend për keqkuptim lidhur me rolin që do të ketë Amerika në fushatën kundër ISIS-it. “Dua të jem shumë i qartë se jemi së bashku me ta në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit”, – tha ai në një deklaratë urgjente nga Shtëpia e Bardhë. Gjermania, vendi që ka peshën kryesore në vendimet e Bashkimit Europian u rreshtua në krah të Francës, duke e cilësuar sulmin si një shpallje lufte jo vetëm kundër Parisit, por kundër gjithë Europës. “Ky sulm ndaj lirisë nuk pati objektiv vetëm Parisin, por të gjithë ne. Na shkaktoi dhimbje të gjithëve. Prandaj do t’i përgjigjemi së bashku”, tha dje kancelarja gjermane Merkel. Edhe Rusia, një nga dy superfuqitë botërore, ka vendosur të zbresë në arenën e zhvillimeve globale duke folur hapur. Prej dy muajsh, presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar sulmet kundër ISIS-it në Siri. Janë më shumë se 600 operacione ushtarake në pak ditë nga ushtria ruse. Ndaj dhe deklarata e tij dje dukej sikur thoshte se atë që ndodhi në Paris e kishte paralajmëruar me kohë. Pavarësisht mosmarrëveshjeve që Rusia ka me BE dhe SHBA, dje Putin foli për bashkim aleancash kundër ISIS. “Kjo tragjedi është një tjetër dëshmi e barbarisë së terrorizmit. Kjo tragjedi kërkon prej nesh që të gjithë të bashkohen në luftën kundër ekstremizmit, për reaguar me një përgjigje të fortë ndaj veprimet e terroristëve”,- thuhet në telegramin e ngushëllimit që Putin i dërgonte homologut të tij Hollande.

Rreziku i terrorizmit ka bërë që SHBA dhe Rusia të harrojnë për pak kohë divergjencat për çështjet ndërkombëtare. Një takim jo i rastësishëm për këtë çështje është zhvilluar dje mes Sekretarit të Shtetit Amerikan, Xhon Kerry dhe ministrit të Jashtëm Rus, Sergei Lavrov. Mes SHBA dhe Rusisë ka shumë gjëra për të cilat nuk bien dakord, por dje dy diplomatët ishin në një zë teksa folën për përgjigje urgjente ndaj Shtetit Islamik. Dhe nëse bashkohen të dy supërfuqitë e botës kundër shtetit islamik, atëhere shteti në fjalë që po terrorizon botën , zhduket.

Bazat e ekstremistëve janë në Irak dhe Siri. Ndaj në këtë zonë fuqitë ndërkombëtare praktikisht dje kanë shpallur aleancën e parë më të madhe kundër ekstremistëve. Por pjesa e sulmeve me avionë, madje dhe një zbarkim trupash në zonën e konfliktit është më e lehta. Problemi real tashmë është brenda vetë Bashkimit Europian. Të dhënat e para flasin se disa prej terroristëve që sulmuan në Paris kishin ardhur nga Siria dhe Iraku. Pra, janë pjesë e më shumë e 150 mijë emigrantëve që kanë zbarkuar në vendet e Bashkimit Europian. Greqia konfirmoi dje se një prej autorëve kishte mbërritur në këtë vend në muajin tetor si emigrant dhe më pas ka lëvizur drejt Francës. Çështja që shtrohet tashmë është se si do të garantohet se mes 150 mijë emigrantëve që janë në vendet e BE-së nuk ka të tjerë terroristë? Por të tillë janë prej vitesh në shtetet e Europës ku jetojnë lirisht. Nga dje ka filluar lufta ndaj këtij kontigjenti  dhe shtetit islamik. Europa nga dje nuk është më ajo që ishte pardje!

Praktikisht, lufta ka nisur.