Andi Bushati sulmon Edi Ramën e Aleksander Frangaj për “Laguna Blu”. Përgjigjet Nikoll Lesi

 

 

Gazetari Andi Bushati ka bërë këto ditë disa reagime lidhur me zaptimin e paligjshëm që i është bërë mjediseve sportive të "Laguna Blu" në fshatin Qerret nga pronari i TV Klan, Aleksandër Frangaj. Ne e pyetëm për të mësuar më shumë për atë që po ndodh….

Pak ditë më parë ju e keni akuzuar kryeministrin Rama për lejen në bregdet që i ka dhënë pronarit të Klan, Aleksandër Frangaj. Përse drejtuat gishtin pikërisht aty?

Mendoj se bëra gjënë e duar sepse duke huazuar një shprehje të vetë Ramës mendoj se ai është lidhur tashmë si M…pas këpucës me pronarin e TV, Klan. Kur bëra shkrimin që ju i referoheni dija shumë më pak. Kisha biseduar vetë më Ramën dhe më kish thënë se nuk dinte gjë, se në atë zonë as ai, as askush tjetër s’mund të ndërtonte kurrë. Ma kishte përsëritur këtë disa herë edhe në sy të kolegut tim Baton Haxhiu që i përsëriste pareshtur se kjo që po bënte ishte një çmenduri dhe se ai nuk mund ta kompromentonte në mënyrë aq selektive aksionin e tij kundër ndërtimeve pa leje. Ai na gënjente si fëmijë. Që në shkollën fillore nuk kam parë njeri të gënjejë aq paturpësisht dhe aq naivisht i bindur se shumë shpejt do të diskretitohej. Madje e mbaj mend si tani kur na tha shprehimisht me një frazë të denjë për Musolinin: “nëse kryetari i komunës së Golemit e ka dhënë atë leje unë do ta fus në burg”. Tani vetëm tani nga gazeta juaj e mora vesh se ai e kish urdhëruar vetë kreun e komunës Golem ta jepte atë leje për Frangajn.

Prapë nuk po përgjigjeni, pse e akuzuat atë, qeveria mohoi ti ketë dhënë leje Frangajt…?

Po me pak fjalë, në faqen online ‘mashtrimi.al’ qeveria shqiptare tha se Rama s’ka firmosur gjë. Po pse duhej të firmoste kur vuri një ushtar të tij në komunën Golem ta bënte këtë gjë? Po pyetja nuk shtrohet kështu. Pyetja është mirë që nuk ka firmosur, po a duhet të veprojë shteti i korruptuar deri në palcë që ka instaluar? A duhet të vepronte policia kur bandat e Frangajt thyen derën e "Laguna Blu" me fadroma? A duhej të reagonte kur të njëjtët policë privatë që i shërbyen Sali Berishës në 21 Janar për të vrarë demostruesit, tani i shërbyen pronarit të Klan për të dhunuar një mjedis të përbashkët? A duhet të ndërhyjë INUK dhe INUV kur sheh se leja e ndërtimit ka skaduar prej një muaji? A duhet të ndërhyjë kur kontrata e shitblerjes së tereneve sportive është e fallsifikuar, nuk ka as taksa as gjurmë të këtij transaksioni? A duhet të ndërhyjë kur edhe Aluizni i kohës së Saliut (mendoni i asaj kohe) refuzoi t'ia hipotekojë tokën Frangajt? A duhet të ndërhyjë kur një gjyqtar nga ata që kryeministri thotë se do t'i kapi reforma në drejtësi, bën një proces me vetëm 4 seanca, dhe i jep një tokë që nuk ia jepte dot as Shaban Memia? Pikërisht për këto arsye vura gishtin tek Rama. Më mirë të kish dhënë me firmën e tij një firmë të paligjshme, sesa të korruptojë gjithë shtetin duke bërë sikur nuk e sheh gjithë pushtetin e përmjerë të Berishës ti spërkasë fytyrën e vet të rilindur?

Pra sipas jush Rama po mbyll sytë me verbëri përpara kësaj morie shkeljesh nga Frangaj?

Po pikërisht këtë po bën, sepse është i kapur. Shiheni sot një listë të botuar tek lapsi.al se si bëhen emërimet në administratën e tij. Shikoni tenderat në shëndetësi, në CEZ, në vetura, në kontroll mjekësor, në hemodializë. Ka plasur vjedhja sheshit. Ndaj në këtë shllafari edhe Frangaj ka të drejtë ta shantazhojë: të tjerëve po u jep miliona, mua nuk më lë të ndërtoj një shtëpi?! Unë po e ndërroj bahcen time me heshtjen kundër vjedhjeve të tua! Ky është pakti që e ka bërë Ramën të mbyllë sytë…prandaj ai nuk ka forcë ta shohi morinë e shkeljeve që përmenda…

Nga sa thoni duket sikur Lulzim Basha ka pasur të drejtë kur e sulmoi Ramën se po i jepte leje Frangajt për të kapur televizionin e tij

Po, Basha, kishte kohë që e dinte se një nga mbështetësit e tij të dikurshëm tani gjendej në shtrat me armikun. Ai gjeti këtë moment për ta shpallur. Ai e di prej vitesh se TV Klan është një vegël e pushteteve dhe nuk mund të priste gjë tjetër. Pastaj ai është edhe i interesuar direkt. Me të njëjtën logjikë për të cilën Rama prishi pallatin e tij me leje në Vlorë, ai po toleron Frangaj të ndërtojë po buzë detit. Ndoshta ka reaguar në këtë rast, i nxitur edhe nga konflikti i interesit sepse ai ka vetë një apartament në hapsirën që po përdhos Frangaj….

Meqë jemi në konflikt interesi edhe ju keni një shtëpi tek Laguna Blu….

Po kam një garsonierë 38 metra katrorë që më ka bërë me të bukura me dhjetëra fundjava. Kam përballë fushat e sportit ku luajnë qindra fëmijë (edhe ata të shkatërruesve) që tani janë kthyer në kandahar nga bultozerët e shoqëruar nga policët privatë të 21 janarit….

Përmendët fushat, pse revoltoheni, kur Frangaj thotë se me paratë e tij do ti bëjë tre të tjera komunitetit…

Ha, ha, ha, edhe ju keni rënë pre e kësaj mendësie banditeske…Po si do ti bëjë? Ku do të marrë leje? Apo edhe për këtë e ka të sigurtë se të tredhurin Rama e ka në xhep? Si mundet një njeri të shkatërrojë pa leje dhe pastaj ta sigurojë komunitetin se edhe mund të rindërtojë po pa leje. Më duket absurd ky pretendim.

Ju nuk e mohuat që jeni në konflikt interesi sepse keni një apartament tek Laguna Blu. A e dini që shumëkush në mediat sociale i jep të drejtë Aleksandër Frangajt duke e parë si një lloj "Robin Hudi" (por të pasur) që po përdhos një kastë që është barikaduar atje.

Po i kam dëgjuar këto reagime. Edhe shkrime kolegësh. Dhe në një farë mënyre kanë të drejtë. Në vendet e qytetëruara banorët i zgjedhin dhe komshijtë. Neve që na qëlloi ky lloj i veçantë "Robin Hudi" (Sandri), në pamundësi për ta larguar atë, duhet të ishim larguar vetë me kohë. Nuk e bëmë dhe po paguajmë. Në një farë mënyre në atë komunitet ne jemi bashkëpronarë me Frangajn dhe po pësojmë fatin e bashkëpronarëve të tij të mëparshëm si Nikollë Lesi tek "Koha Jonë" dhe Marsel Skëndo e Julien Roch tek TV Klan….

Nga sa përshkruani duket sikur nuk keni shpresë se drejtësia do vihet në vend?

Jo nuk kam. Aspak. Sa kohë që Edi Rama të jetë në pushtet, shantazhuesit, ata që kanë fuqi mediatike për të nxjerrë vjedhjet galopante të qeverisë, ata që mendon ti përdori sipas radhës, kundër Bashës apo Metës, do të bëjnë kërdinë në këtë vend.Kjo është koha e tyre. Koha e veglave të rilindura të pushtetit të Berishës…

(marre nga Tema)

 

 

Sqarim për kolegun tim Andi Bushati

Nga Nikoll  LESI

 E lexova intervistën tënde në gazetën e nderuar të kolegut tjetër Mero Baze. Jam dakort me ty në shumë gjëra; edhe si gazetar, edhe si qytetar, porse edhe si banor i këtij fshati që është kthyer në qendër të vëmendjes këto ditë për arësyen se Samir Mane dhe Aleksandër Frangaj morën terrenet sportive  për t’i bërë vila për vete apo për t’i shitur.

Kam botuar shkrimet apo komentet në “Koha Jone” në lidhje me këtë absurditet, por akoma nuk kisha folur, ndonëse i kam shkruar bordit drejtues të fshatit tonë në “Laguna Blu” se jam me protestën dhe reagimin e tyre, sepse jam një prej tyre jo vetëm në interesa komunitare, por kryesisht kundër  ndodhisë si veprim jo komunitar e që ka nevojë për hetim.

 Por ti Bushat më bëre të flas për një rrjesht nga fundi i intervistës, kur thua se “…..Në vendet e qytetëruara banorët i zgjedhin dhe komshijtë. Neve që na qëlloi ky lloj i veçantë "Robin Hudi" (Sandri), e  në pamundësi për ta larguar atë, duhet të ishim larguar vetë me kohë. Nuk e bëmë dhe po paguajmë. Në një farë mënyre në atë komunitet ne jemi bashkëpronarë me Frangajn dhe po pësojmë fatin e bashkëpronarëve të tij të mëparshëm si Nikollë Lesi tek "Koha Jonë" dhe Marsel Skëndo e Julien Roch tek TV Klan….”.

Besoj se nuk ke harruar se ke qenë ,dikur, pjesë e stafit të gazetës “Koha Jone” dhe nuk mund të më krahosh kurrë me Marsel Skendon dhe Julien Roch , ndonëse janë njërëz të nderuar, por ata janë tjetër gjë nga unë. Bile, po ta përsëris prapë:janë krejtësisht tjetër gjë në media, ata. Jemi dy botë të ndryshme me emrat që më krahasove. Dhe nuk kam pësuar fatin e tyre në raport me Aleksandër Frangaj. Ata kishin 66,6 përqind të aksioneve në TV Klan dhe Sandri 33.3 përqind dhe vetëm ata, të tre, i dijnë se si i kanë zgjidhur sherret e tyre, ndonëse kolegu ynë i dikurshëm, Frangaj, sot ka 100 përqind të TV Klan.

Është punë e tyre, ndonëse edhe ti ke qenë atje në Klan,dikur, apo jo? Mund t’i dini më mirë punët atje se si kanë rrjedhur. Porse bën gabim kur më përmend mua në sensin e një njeriu që ka përfunduar keq me Sandër Frangaj . Ne e kemi bërë, të dy, atë gazetë që u kthye në simbol. Më vonë udhët u ndanë, natyrshëm. Ndaj më lejoni t’ju them se po mbaroj librin për historinë e së parës gazetë private e të pavarur në Shqipëri, pra për “Koha Jone” e që do dali në botim ( i ripunuar këto ditë) vitin e ardhshëm kur ështe 25 vjetori i themelimit të medias "Koha Jone" ku edhe ti punove e u rrite, natyrisht duke rritur edhe gazetën me emrin tënd e me shkrimet tuaja të shkëlqyera profesionalisht e kurajoze.  Aty, në libër, është edhe Sandri. Siç ka qenë, me pranga apo pa pranga në duar nga pushteti i Berishës i viteve ’92-’96.

Por që të kthehem prapë tek historia e “Laguna Blu”.Besoj  e shpresoj se, siç u tërhoq sot Samir Mane, bashkëpronari i vilave me Frangaj, nesër do të tërhiqet edhe kolegu ynë i dikurshëm, Aleksandër Frangaj. Pjesën e drejtësisë në lidhje me këto veprime të ALUIZN-it, gjykatës, komunes, lejes, Saliut e Edit tonë do t'i firmos si gjithë banorët e tjerë.

Duke përfunduar miku im Andi mos më fut në një “thes” me ata që ke përmenduar, pasi jemi tjetër gjë unë, ti dhe shumë kolegë të gazetës “Koha Jone”. Ne nuk e kemi nisur gazetën si biznes apo për biznes, si ata që keni përmendur. Ne ishim idealistë, kurajozë, “aventurierë” të së vertetës, nxënës të fjalës së lirë e që u bëmë tani “profesorë”.

Kaq për sonte, Andi !