Ngjela: Zgjedhje të parakoshme, kryeministrin e dominon bandiditzmi Meta-Berisha

 

Kreu i lëvizjes Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela propozoi pak kohë më parë shkrirjen e gjykatave të të gjitha niveleve dhe shkarkimin e të gjithë gjyqtarëve në vend, si e mundësia e vetme për të ndërtuar një sistem të besueshëm të drejtësisë në vend. Por ai nuk ka besim se kjo reformë mund të kryhet nga dy forcat politike në pushtet, apo nga kjo klasë politike, prandaj i kërkon kryeministrit Rama të bëj zgjedhje të parakohshme.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Spartak Ngjela i propozon Kryeministrit Edi Rama të shkojë në zgjedhje të parakohshme, nëse do që të ketë sukses edhe te Reforma në Drejtësi.

Ju jeni shprehur dy ditë më parë se partnerët ndërkombëtarë duhet t’i bëjnë presion deri në embargo qeverisë shqiptare për ta detyruar që të bëjë Reformën në Drejtësi me standardet perëndimore. Përse arrini në këtë limit ekstrem?

Ky nuk është limit ekstrem. Më vjen keq si ju nuk e shihni: dy shtetet e mëdha perëndimorë, Amerika dhe Gjermania, dhe bashkë me to, dhe vetë Bashkimi Europian, nuk u përgjigjen kërkesave financiare që ka Shqipëria dhe kjo është arsyeja që qeveria shqiptare ndodhet në një krizë financiare, sepse nuk ka para. Shqipëria ka pasur dhe ka vetëm një shpresë për zhvillimin e saj: Hapja e negociatave për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Bashkimi Europian nuk është një organizëm politik, më shumë sesa një organizëm ekonomik. Hapja e negociatave me këtë entitet ekonomik, që e ka GDP-në e Bashkimit më të madh se Amerika, sigurisht që është momenti kur vetë Bashkimi do të interesohet konkretisht për ndërtimin e parametrave ekonomikë në Shqipëri, në mënyrë që tregu shqiptar të vijë në nivelin adekuat të tregut të Bashkimit Europian. Në kapitalizmin modern ku jetojmë, askush nuk të fal gjë. Interesi është energjia e zhvillimit monetar dhe zhvillimit ekonomik në substancën e këtij qytetërimi modern. Në këtë udhë, për përmirësimin e parametrave, si ndërhyrje perëndimore në tregun shqiptar, shqiptarët sot humbasin 3 miliardë euro në vit. Pikërisht për këtë, duke qenë se politika perëndimore ka ndërprerë çdo lloj ndihme financiare ndaj qeverisë shqiptare, unë mendoj që mund të shkojë edhe më tej presioni ekonomik, deri në një embargo, në mënyrë që t’u japin mundësi shqiptarëve që të reflektojnë realisht për të ardhmen e tyre.

A mund të qëndrojmë më konkretisht dhe më qartë, cila duhet të jetë rruga e ndërtimit të parametrave të tregut Europian në Shqipëri?

Shqipëria ka tre ingredientë të zhvillimit të saj ekonomik, të cilët njihen mirë nga ekspertiza perëndimore: bujqësia, agroindustria dhe turizmi. Të tria janë të mjafta nëse ne do të jemi të aftë t’i përmbushim kushtet, që të sjellim zhvillimin tonë në nivele të larta.

Në funksion të kësaj, Shqipëria sot është e aftë që të përballojë 3 miliardë investime në vit: 1 miliard në bujqësi, 1 miliard në agroindustri dhe 1 miliard në turizëm. Ky është plani edhe i ekspertizës europiane, por qeveria shqiptare deri tani nuk i ka fituar negociatat me Bashkimin Europian, sepse nuk ka mundur dot të bëjë reforma politike. Reformat politike janë: demokracia institucionale, të drejtat e garantuara dhe antikorrupsioni.

Asnjë nga këto të tria nuk ka ekzistencë reale sot në Shqipëri, prandaj BE ka vënë kushtet e veta që janë: Reforma në Drejtësi dhe reforma në institucionet e pavarura. Pa reformë në drejtësi, Perëndimi nuk kooperon normalisht me shqiptarët. Kurse qeveria shqiptare ka mbetur në papërfillje ekstreme marrëdhëniesh financiare.

Atëherë, sigurisht, pyetja është shumë e thjeshtë: Pse qeveria Rama nuk arriti dot të bënte Reformën në Drejtësi, e cila do t’i hapte rrugën antikorrupsionit? Sepse Kryeministri shqiptar u ndesh përballë këtyre dy përplasjeve: ose zhvillimi i reformave të mësipërme për t’i garantuar shqiptarët në një ecuri drejt BE-së me favoret që theksova më lart; ose një kryeministër zvarrë në duart e korrupsionit, për të mos qenë asgjë dhe për të mos bërë asgjë, me përjashtim të faktit që në ecurinë individuale të protokollohet si Kryeministër.

Kryeministri shqiptar nuk ka më kohë, sepse është i dominuar nga banditizmi Meta-Berisha, të cilët i kanë kapur pjesën natyrore të shtetit: pushtetin gjyqësor, Ministrinë e Drejtësisë dhe institutin e akuzës. Unë këtij Kryeministri ia kam bërë të qartë që ditën e parë, kur i refuzova bashkëpunimin sipas skemës së tij. Tani ai s’ka më asnjë mundësi tjetër: ose i varur tërësisht nga segmenti ultrakorruptiv Meta-Berisha, ose zgjedhje të reja.