Trajneri De Biasi, të rrijë apo të ikë?

 
 
Nga Nikoll LESI.
 
Shqipëria shkon në Francë në kampionatin europian. Është meritë e veçantë e trajnerit, por mbi të gjitha e futbollistëve shqiptarë. Ata janë profesionistë se luajnë në ekipe të njohura europiane. Gjatë ditëve të fundit ka një seri prononcimesh që kanë të bëjnë me rinovimin e kontratës së trajnerit. Gjithë debati, me pak fjalë, përmblidhet tek çmimi. Pas fitores së kombëtares, duket se Gianni De Biasi kërkon një rritje të shifrave të kontratës, çka është e natyrshme pasi kërkesa vjen pas fitoreve dhe De Biasi në fakt, bastin personal dhe bastin me FSHF-në e ka fituar, e çoi kombëtaren në Europian.  Por nuk gjeti ditën e duhur për ta hapur bisedën e eurove. Ndaj edhe plasi stuhia e parë antiBiasi, pavarësisht se ia futi vetë fitilat zjarrit. Megjithatë ai duhet kuptuar se ka tjetër psikologji, është italian dhe i ftohtë në emocione. Është gëzuar e lumturuar, po si italian. Dhe nuk ka asgjë të keqe sepse nuk mund të ndryshojë genin e tij se erdhi në Shqipëri apo se  ka një pasaportë formale si nënshtetas shqiptar. Në shifra jozyrtare thuhet se trajneri i kombëtares aktualisht merr 300 mijë euro, plus bonuset për ndeshjet e fituara. Në një deklaratë që ka dhënë pas ndeshjes me Armeninë, De Biasi la të kuptohet se shifrat e kontratës së re sillen  diku vërdallë 3 milionë eurove. Gjithsesi, shifrat nuk janë deklaruar në mënyrë zyrtare asnjëherë, por ajo që shihet qartë në qëndrimet e një pjese të FSHF-së është një sherr i hapur për pazarin  e kontratës së re.
Indirekt, Federata Shqiptare e Futbollit duket se i ka shpallur “luftë” të hapur trajnerit Gianni De Biasi. Në vazhdën e sulmeve nga një pjesë e FSHF-së edhe dje anëtari i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Fatbardh Jera, një ish- futbollist i njohur i kombëtares shqiptare, tha se De Biasi ka qenë një trajner pa identitet para se të merrte drejtimin e Shqipërisë. “Nuk ia mohon askush vlerat dhe meritat që ka De Biasi, por një trajner i cili paguhet 300 mijë euro, nuk mund të kërkojë 3 milionë euro. Ne nuk mund t’i japim aq shumë. Përpara se të vinte në Shqipëri ishte një trajner pa identitet dhe nuk kishte drejtuar në nivele të larta”, ka thënë ai. Duke shtuar këtu dhe deklaratat e tjera të ish-trajnerëve apo të ish-futbollistëve që mund të shohin me largimin e De Biasit, pse jo, edhe hapjen e një vendi rë ri pune, deklaratat ndaj trajnerit italian nuk kanë qenë miqësore. Por duket se Jera e ka me sensin e kufirit të shumës së parave që ai kërkon mënjëherë në tavolinë. De Biasi në fakt nuk ka qenë edhe krejt pa identitet, pasi ka drejtuar disa ekipe në Seria A dhe ashtu si me Shqipërinë, ka bërë një arritje të pabesueshme me Modenën, ekip që nga Seria C, e ngjiti në Serinë A. Pas euforisë së fitores në Armeni dhe kualifikimit të Shqipërisë, opinioni është ndarë në “pro” dhe “kundër” trajnerit italian me pasaportë shqiptare. Debati nuk ka të bëjë me cilësitë e tij si ekspert i futbollit, por më mënyrën sesi çështja e pagës kthehet në një presion ndaj Federatës. Si profesionist i futbollit trajneri është në të drejtën e tij të kërkoj më shumë shpërblim, pra pagë fikse. Dhe në të vërtetë, De Biasi duhet paguar më shumë, por mbi të gjithë, duhen paguar shumë më shumë lojtarët  të cilët luajnë në fushë, ata që bënë historinë. De Biasi e ka rritur "stekën" dhe do nga 300 mijë euro, 3 milionë euro! Pak si shumë, janë! Ai bën presion se mund të shkojë në Greqi si trajner i kombëtares fqinje, e cila nuk po gjen qetësi vitet e fundit. Këtu sinqeriteti i një marrëdhënie miqësore dhe bashkëpunimi fillon e merr krisje. Mundet që Armando Duka, presidenti i FSHF-së të tolerojë paksa, ndonëse parmbrëmë në një emision televiziv tha se "De Biasi është trajneri më i mirë i botës për ne", por la të nënkuptohet se po kërkon shumë euro. Bile nëse ai ka plane të tjera, mund ta ndërpresë kontratën pa sanksione nga FSHF-ja. Pra, diçka nuk shkon pas kualifikimit. De Biasi e ka rritur presionin ndaj FSHF-së, por ka mundësi që po kërkon më shumë sesa ka takat Shqipëria dhe pak më shumë sesa ai është në të vërtetë. Nëse De Biasi do të kërkoj një pagë natyrisht me të lartë, por vendos si kusht që nëse kualifikohet në fazën e grupit në kampionatin europian në Francë atëhere mund të thotë, fjala vjen edhe 5 milion euro. Dhe i meriton bashkë me ekipin. Le ta vendos këtë kusht në kontratën e re dhe ka publikun me vete. Të gjithë do të paguanim ,sipas takatit, shumën 5 milion euro apo me shumë nëse De Biasi e kalon grupin e tij në Francë. Por ai nuk ka folur akoma saktë se çfarë kërkon. Ai është trajner i kombëtares së Shqipërisë dhe Kombëtarja është e sejcilit shqiptar, pra në një  farë mënyre sejcili shqiptar është “aksioner” i parave që ka FSHF, pavarësisht se president është Armando Duka.
Për të qenë të saktë ai i ka dhënë kombëtares sonë, por edhe Shqipëria ia rriti emrin atij dhe ia shtoi kuotat në Europë. Ndaj, nëse nuk arrihet një mirëkuptim mes FSHF-së dhe De Biasit, do të ishte më mirë që si marrëveshja dhe mosmarrëveshja të bëheshin si xhentëlmenë dhe jo me kulisa dhe deklarata që më shumë krijojnë konfuzion dhe ulin pikë imazhit të kombëtares shqiptare. Është më mirë që FSHF-ja të deklarojë se nuk e përballon dot çmimin e ri, apo De Biasi të deklarojë se ka oferta të tjera me më shumë euro dhe zgjedh karrierën e tij, sesa të qëndrojë si trajner dhe të punojë pa pasion e me inat për eurot që endërron. Ndeshjet e Europianit sot duken larg dhe trajneri deri në përfundim të tyre ka një kontratë të vlefshme. Por pas tyre nis faza e eliminatoreve për Botërorin dhe ky debat mund ta dëmtojë kombëtaren më shumë sesa financat. Nëse shkohet në ndeshje me një ekip që nuk e ka të sigurt nëse “truri” i skuadrës do të jetë apo do të ikë dhe vetë trajneri nuk dihet nëse mendon për lojën, apo për kontratat e ofertat që i vijnë nga ekipe të tjera, ky është dëmi më i madh që mund t’i bëhet kombëtares. Ndaj çështja e kontratës duhet të zgjidhet shpejt dhe larg pazareve që po zhvillohen me intervista.
 
Ose De Biasi të rrijë, nëse FSHF-ja e vlerëson se ai vlen aq sa kërkon, ose të gjejnë një trajner tjetër për Europianin. Në të gjitha rastet, De Biasi e bëri epokën e tij. E arriti kulmin e karrierës personale dhe më shumë se kaq, nuk bën dot. Me germa të arta do gdhendet tek stadiumi i ri.