Ja pse duhet Edi Rama, Kryeministër

 

 

Nga Nikoll Lesi.

Nisur nga titulli i shkrimit  “Ja pse duhet Edi Rama, kryeministër” më duhet që të largoj, me aqsa mundem, hamendjet apo dilemat e ndokujt se “mos ka ndonjë hall ky Lesi që ka vendosur këtë titull”. Po e them që në fillim  se nuk kam asnjë hall, ndonëse në këtë vend pakkush beson në disa të verteta, sepse opinioni publik është dërmuar ka ca vite se kushdo shkruan e cilido derdh mllefet nëpër rrjete sociale, ku ka qindra mijëra “gazetarë interneti”, porse pakkush ka kurajon për të vënë emrin poshtë artikullit. E besoni do të ishte mirë, në të kundërt  as po vras mendjen fare siç thotë një drejtues emisioni televiziv nga Gjirokastra , i cili ka punuar dikur në “Koha Jonë”. Mjafton të them atë që mendoj.

E le të kthehemi tek titulli i shkrimit. Edi Rama është një njeri që ka ambicie për të mbetur në histori siç ka mbetur Ahmet Zogu, Enver Hoxha e Sali Berisha. Po flasim për Burra Shteti ose për Njërëz që vendosin për fatet e një epoke ku ata drejtojnë ose sundojnë. Natyrisht ka Burra  Shteti dhe Diktatorë. Tre të parët kanë mbaruar punë,sepse dy kanë vdekur, një është gjallë porse në ikje; kurse Edi Rama është në kulmin e tij. I pa sikletueshëm, shpotitës, përdorues i tmerrshëm i fjalës shqipe, vetmitar në vendime të rëndësishme e të rrezikshme, i pashpjegueshëm në marrjen e disa operacioneve nervasjellës për popullin, por që  duhen në të vertetë, neglizhues në skajshmëri për efektet  momentale negative  të urdherave të tij, porse ja, ky është Rama.

Cili prej politikanëve të sotëm mund të ndërmerrte në kulmin e popullaritetit të tij personal një mori reformash drastike e të dhimbshme, deri diku antipopuliste, përveçse Edi Ramës? Reformat janë të domosdoshme për një shtet që do të krijojë rregullin e ligjin mbikëdo, ndonëse kur merren mënjëherë si në një operacion urgjent për të hequr një kancer që nuk është vdekjeprurës, por që mund të çojë nga pak e përditë në vdekje; këto reforma krijojnë pakënaqësi të mëdha popullore.  Dhe kanë krijuar realisht. Nuk janë më ato vota që Rama thotë, ndonëse edhe vetë ai e beson se i ka hyrë një udhe që në kushtet e një Shqipërie pa rregulla e ligje, të duket si në një kryqëzim në New York  kur ke dalë nëpër qytetin stërmadh në këmbë, shikon semaforët e nuk di nga të shkosh dhe kërkon dikë të pyesesh,por nuk njeh njeri e as nuk di pak fjalë në anglisht.

Reformat duhet ti ndërmarrë dikush. Jemi të varfër si shtet, porse nuk kemi patur e akoma nuk ka rregulla loje e drejtësi. Ka një gjysëm demokracie, por është pak. Ka kapitalizëm, por nuk njohin ligjin dhe shtetin. Ka media, porse gjysma janë si mafie që ka vënë  kollaren ditën e natën dalin e shesin drogë apo e kanë mendjen se si të marrin leje për pallate. Ka të varfër plot, por nuk dijnë e nuk duan të dijnë se edhe në varfëri paguhen dritat, paguhen taksat nëse ke një biznes, mbahen bilance edhe me tre letra, porse me letra shkrepse nuk mund të marrësh fatura. Ndaj kontrolli me rreptesi duhet bërë, natyrisht jo siç e kanë dramatizuar në disa raste që edhe për shitje misra të pjekur kërkojnë kasë fiskale!

Shqipëria ka specialistë brilantë me shkolla vendi apo që kanë mbaruar jashtë shtetit, porse u bë modë që fjala vjen një “bojaxhi” ka marrë dy diploma në këto vite dhe fiton vend pune përpara atij (asaj) që ka mbaruar në Britani apo Amerikë, në Austri apo në Itali, apo  kudo në Europë. Rama i mbylli këto universitete "pilafi", të cilat shkatërruan arsimin e kulturën. Studentë të tillë të cilët janë diplomuar duke mos hyrë në salla studimi, por duke paguar e ku në çdo pallat ka mbi 10 juristë apo në çdo lagje katundi janë mbi 25 të diplomuar për ekonomistë apo juristo-menaxhim lekësh, sot gjenden akoma si shefa të atyre që studiuan në universitetet botërore. Kjo është shkatërruese për vendin. Këtë operacion drastik në universitete, i cili ka prapë nevojë edhe për një bisturi, e bëri vetëm Edi Rama. Të tjerët para tij nuk e bënë, por hapen livadhet për të blerë kushdo që kishte një kec më të mirë se tjetri, nga një diplomë. Reformë antipopullore duket ky veprim në sensin e votave për PS-në, porse është pa asnjë hezitim një prej vendimeve më të mira që ka bërë ai që quhet Edi Rama. Dhe duhet edhe me tepër operacion në fushën e arsimit.

Që ti hyhej Lazaratit me një ushtri mbi 5 mijë policë ,si në një luftë botërore , e ta nënshtroje përballë ligjit  ku nga të gjithë analistët nëpër klubet elitare thuhej në ditët e para se “ nuk ka b..  Rama të futet se do plasi lufta e do vritet mileti”, asnjë nuk e besonte se do të hynte, por hyri. Ishte policia natyrisht që përdori ligjin, por pa një vendim të Edi Ramës nuk ia mbante asnjeriu të udhëronte operacionin.

Të fusje njërëz në burgje se vjedhin energjinë elektrike nuk ka patur zot nane që e besonte, porse i hyri mbarë  vendit dhe tashmë kanë filluar të paguajnë të gjithë se duhet paguar malli që blenë. Reformë me përmasa popullore antiRama ishte, porse prapë e votuan me 21 qershor. E votuan nga frika? Nuk e besoj krejtësisht, por edhe nëse mund të jetë kështu prapë tregon se rregulli ose vendoset me edukatë ose me ligj-dajak . Se nuk mundet  dhe nuk është e drejtë që pesë veta në pallat paguajnë dritat e 12 familje të tjera nuk mbajnë mend të kenë paguar ndonjëherë faturë dritash. Natyrisht që duhet shteti të ndërtojë strategji se si mund të ndihmojë shtresat në nevojë e që nuk kanë asnjë mundësi pagese. Por që në një fshat paguanin 30 shtëpi e 200 të tjera as që e njihnin fjalën pagesë energjie, ndërkohë që në oborr kanë nga një makinë të bukur të sjellë nga fëmijët e tyre emigrantë, edhe kjo nuk ka kuptim. Ndaj duhej një si Edi Rama që tu thoshte se “paguani , mos vidhni ose  shkoni e flini në qeli dhe bëni shoqëri policit”! E bënte Berisha dhe të tjerë që faleshin faturat para zgjedhjeve dhe njërëzia u mësua të mos paguajnë se “ do na i falin “, ndërkohë që dikush i kishte paguar dhe pjesës tjetër iu faleshin, kjo është padrejtësi .

Edi Rama duhet të zbatojë  politika më të buta fiskale e tarifore, sepse disa janë jashtë realitetit. Porse çfarë është ligj duhet zbatuar, sepse kultura e ligjit mungon në gen në këtë shoqeri. Nëse nuk je dakort me praktikën e Ramës shko në zgjedhje dhe rrëzoje, por ndonëse ai i plasi në burg edhe për fatura të vogla, përsëri e votuan me 21 qershor të këtij viti si në qershorin e vitit 2013. Atëhere pse bëni naze për të paguar ?! E votuat vetë ? Nxitoni  për të paguar !

Duhet pranuar se kemi probleme e defiçite si shoqeri, niveli shumë mediokër i një pjese jo të vogël të popullsisë bën, ndonjëherë, që fiton ai  i cili nuk duhet, por kur vota futet në kuti duhet të pranosh verdiktin që ke hedhur aty brenda. Po ju tregoj një histori personale të para ca viteve kur shkova në një zonë afër Tiranës në një fushatë elektorale. Ishin mbledhur popull jo i paktë për ato katunde. Më pritën mirë, por kur iu thashë se duhet të zgjidhni njeriun që iu përfaqëson më mirë dhe mos dëgjoni me veshë e symbyllur çfarë thonë dy të mëdhenjtë e politikës, në atë moment,  mu ngrit një burrë diku te 50-at:

-Zoti Lesi ! Falemners që erdhe deri ktu, por ne e kemi vendos se gomar po solli Berisha, gomar do të votojmë se nuk ia hamë besën atij!- tha dhe u duartrokit nga të gjithë. E pashë se çfarë niveli votuesish ishin, por për fatin e tyre të keq,ata ishin. U ngrita, u dhashë dorën e u fola duke qeshur: E gëzofshi gomarin pra !- dhe ika. Vota e tyre ishte e barabartë me atë të Andi Bushatit , Armand Shkullakut e natyrisht dhe timen e shumë të tjerëve…

Me thoni ju tani se a jemi shoqeri e emancipuar?

Që shqiptarët të shikonin se në parlament mund të kishte dhe njërëz të krimit të veshur me kollare deputeti këtë vetëm Edi Rama mund ta bënte. E bëri, e pësoi dhe kam përshtypjen se nuk i ofrohet më asnjerit me këtë CV kriminale, të fortësh e kokëboshësh. Edhe Saliu e bëri, e në jo pak raste. Bile më saktë këtë aventurë e nisi Fatos Nano në vitin 2005 për ti kundërvënë Berishës "të fortë përballë të fortëve" . Dhe e bënë lesh arapi parlamentin, sa të vjen zor të thuash se je deputet. Por çdo e keqe e ka një të mirë, shpresojmë  se më asnjëherë nuk do të kandidojnë elementë të tillë.

Për këtë garanci është Lu-ja që rri tek rruga e Elbasanit !

Që të fillojë stuhi mbi gjyqtarët e prokurorët, por sidomos mbi drejtësivënësit eurodollaropërfitues, që janë një batalion rrezikvënës  këtë vetëm Edi Rama mund ta bëjë. Dhe duhet shpartalluar kjo bandë e drejtësisë që bëjnë padrejtësi me drejtësinë e që realisht  e duan burgun, bile pa gjykatë !

Ja pse duhet Edi Rama !

A ka gabime ky Rama do pyesni ose një pjesë e juaja jeni duke u nevrikosur nëse po lexoni këto rrjeshta? Ka plot, një qerre gabime. Por ky duhet! Nuk kemi zgjidhje tjetër në këtë informalitet politik e ekonomik.

Ka edhe prapë reforma të tjera. Por Edi Rama ka një praghumnerë pas këtyre reformave që po bën  e që duhet ti bëjë. Vetëm ky Njeri mund ti nis,sepse kërkojnë paksa “çmenduri”. Praghumnera për Ramën është nëse reformat  nuk sjellin më tepër mirëqënie për popullin. Në të kundërt Edi Rama prapë do hyjë në histori si Njeriu që e filloi me shpatë në dorë historinë e tij e  ra si “hero” me një shigjetë që ia nguli vetes.

Por prapë në histori mbetet, Edi Rama. Për mirë apo për fund të keq politik duhen pak vite ta mësojmë. Por kam droje se me këtë Opozitë ai i kalon 4 vitet e mandatit të parë.