Shqiptaro-amerikani Gjon Juncaj.Gati për arrestimet e politikanëve shqiptarë

 
 
 
Prej gati dy vitesh kryefjala e politikës është dekriminalizim dhe dënim i politikanëve e gjyqtarëve të korruptuar. Por, përveç dy nismave për dekriminalizmin nga PS dhe PD, që ende nuk janë miratuar në Kuvend, të tjerat kanë qenë vetëm fjalë. Janë paditur tre deputetët, Tom Doshi, Mark Frroku dhe Armando Prenga, por këto raste nuk bëjnë pjesë në goditjen e korrupsionit kryesor. Ata dolën spontanisht dhe ranë në “rrjet” vetë. Më shumë sesa ndonjë nismë e qeverisë kanë qenë rrethanat personale që i kanë çuar këta deputetët të përballen me ligjin. Në radhët e administratës ka drejtorë të niveleve të ulëta, nëpunës dhe sekserë të rëndomtë të pazareve korruptive që kanë rënë në pranga, por peshq të mëdhenj, nga ata për të cilët flasin çdo ditë ambasadorët dhe vetë politikanët, deri më sot, nuk kanë rënë ndonjë në rrjetën e drejtësisë. Dhe janë vertetë “peshq” të mëdhenjë që po të kapen në rrjetë ushqejnë popullin për 10 vjet !
Në situatën ku çdo parti kryesore kur nuk ka ardhur në pushtet premton se do luftojë korrupsionin dhe në gjysmën e mandatit ka aq shumë halle se nuk i mban mend as premtimet, ndaj duket se ndërkombëtarët kanë vendosur të ndërhyjnë. Konkretisht aleati strategjik i Shqipërisë, SHBA, një nga vendet që ka investuar më shumë për sistemin e drejtësisë në vend ka vendosur të vërë dorë vetë në çështjen e korrupsionit në Shqipëri. Një prokuror federal shqiptaro-amerikani, Gjon Juncaj, prej një jave ka nisur punën në njësinë “Task Forcë” në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Dje erdhën të tjerë . Ai dhe ata janë nga juristët që kanë eksperiencë të gjatë në Departamentin Amerikan të Drejtësisë dhe që janë marrë posaçërisht me  hetimin e korrupsionit të zyrtarëve dhe pastrimin e parave. Kryesori i tyre Gjon Juncaj përveç se është një hetues amerikan i specializuar është dhe një njohës i mirë i mentalitetit shqiptar për shkak të origjinës së tij. Juncaj është pjesë e ekipit të prokurorëve shqiptarë që gjithashtu janë trajnuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Thënë ndryshe, hetimi për veprën e korrupsionit do të ketë një mbështetjen e fuqishme të amerikanëve. Një fakt tejet i rëndësishëm ky, po të kemi parasysh se dhe më parë organet e drejtësisë u janë afruar politikanëve të lartë për arrestim, por për një mijë e një arsye, çështjet janë mbyllur. Këtë herë  institucionet e drejtësisë kanë një garanci më shumë për t’u shkuar hetimeve deri në fund.
Dhe Adriatik Llalla i ka dhënë mandat të plotë prokurorit amerikano-shqiptar Gjon Juncaj për të bërë firmosur arrestime të niveleve të larta. Këto ditë shumë politikanë mundohen të pyesin ndonjë prokuror shqiptar nëse janë në listë për t’u arrestuar.
Dhe vertet nuk janë pak në listë për pranga.
 
 
Po dje ambasadori amerikan Donald Lu edhe një herë i është kthyer çështjes së korrupsionit në sistemin e drejtësisë. Në fjalën e mbajtur në përfundim të Projektit për Forcimin e Sistemit të Drejtësisë, Lu ka qenë i qartë teksa ka thënë se detyra e gjyqtarëve dhe politikës është të kthejnë besimin tek drejtësia. “E dimë që populli shqiptar sot nuk i beson sistemit të tij të drejtësisë. Kemi kaluar muaj të tërë duke folur për gjykatës dhe prokurorë të korruptuar dhe të paaftë dhe për një sistem ku të duhet të paguash para për të marrë drejtësi”,- tha ai. Por ka shtuar se është koha që të kalohet në veprim.
Pra pranga !
 Ambasadori Lu është ndër diplomatët e pakët që ka vendosur të flasë hapur dhe në mënyrë të ashpër për korrupsionin në nivelet e larta dhe politikanët e inkriminuar. Tashmë, nga deklaratat po kalohet tek veprat duke monitoruar vetë procesin e hetimeve dhe ndëshkimi të gjyqtarëve e politikanëve. Dhe kjo nismë që për disa mund të quhet edhe “ndërhyrje” është mëse e domosdoshme. Së pari, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe institucionet e BE janë donatorët kryesorë për forcimin e drejtësisë. Vetëm projekti që është përmbyllur dje nga ambasada e SHBA ka kushtuar më shumë se 10 milionë dollarë. Duke shtuar këtu dhe asistencën përhershme teknike për Prokurorinë dhe Gjykatat, si dhe trajnimet e pafundme të gjyqtarëve, SHBA është një nga vendet që ka dhënë më shumë për drejtësinë. Por siç duket gjyqtarët shqiptarë ndryshe e mësojnë teorinë e drejtësisë dhe ndryshe e praktikojnë atë në sallat e gjyqeve. Në këtë situatë ku gjyqësori jep drejtësi sipas trashësisë së zarfit  se eurove dhe ku gjyqtarët përziehen me politikën apo anasjelltas, SHBA ka vendosur të ndjekë me ekspertët e saj proceset kundër korrupsionit.
Kryeprokurori Adriatik Lalla paralajmëroi disa ditë më parë se do të ketë arrestime zyrtarësh të lartë. Koha duket se ka ardhur. Çështjen e të korruptuarve e kanë “marrë në dorë” edhe amerikanët.
 
Adriatik Llalla ka gati në tavolinë fletë arreste të nivelit të lartë.