Zëri i zemrës të Sabit Brokaj

Prof. Dr. Ago Nezha

Labëria është një minierë ari ku jo rrallë kanë dalë njerëz të shquar, patriot dhe dijetar që kanë bërë emër në zërin e kombit. Çdo kohë ka heronjtë e vetë. Njerëzit i bën të respektueshëm sjellja dhe vepra në shërbim të shoqërisë. Fshati i lindjes të Dr Sabitit, Brati dhe trungu familjar nga janë ngjizur cilësitë karakteriale të tij janë një binom që kanë përcjellë në breza traditën dhe zakonet e Labërisë si trimërinë, burrërinë, bujarinë dhe mençurinë popullore. Nuk është e rastit që gjyshi i Sabitit, Muhamet Brokaj, ka marrë Medaljen për “Veprimtari Patriotike”. Dhe si katarakt zbret lavdia në luftërat për liri e pavarësi duke kaluar te fisi e te babai e nëna e Sabitit, që janë veteran të Luftës Nacional-Çlirimtare. Nga ky mjedis familjar erdhi në jetë Sabiti në 7 Janar 1942. Nisi shkollimin në shkollën e fshatit Brataj ku mbaroi klasën e parë dhe vazhdoi shkollën 7 vjeçare në shkollën “1 Maji”,  në skelë të Vlorës. Ai edhe pse u largua fëmijë nga vendlindja, nuk ju nda për asnjë çast simfonia e zërave të bukur të natyrës së fshatit. Në vitin 1955-1959, kreu Politeknikumin Mjekësor Tiranë. Pasi mbaroi shkollën e mesme në vitet 1959-1964, ka punuar si Ndihmës/Mjek oficer në Brigadën e Nëndetëseve Pashaliman. Aty tregoi jo vetëm profesionalizëm por edhe korrektesë dhe dashuri për detyrën dhe njerëzit. Ishte ky motiv që u dërgua për studime të larta në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë. Fakultetin e kreu me rezultate të larta në vitet 1964-1969 dhe për rrjedhojë u mbajt në fakultet për specializim në sektorin e Kardiologjisë. Njeriu me zemër të madhe, u testua nga profesorët më në zë të kardiologjisë se do bëhesh një mjek që në të ardhmen do shëronte shumë pacient të sëmurë nga organi më delikat i trupit të njeriut, zemra. Opinioni i tyre nuk gaboi. Doktor Sabiti ndoqi specializimet njëri pas tjetrit nga Tirana në Paris ku shkoi dy herë në vitet 1979 për Kardiologji dhe 1982 për Echokardiografi. Ndërsa në vitin 1989, shkoi për specializim në Gjermani, për Echo-Doopler. Këto specializime të njëpasnjëshme bën të mundur që të rriten aftësitë dhe kompetenca profesionale.

Në autostradën e shkencës

ProfesorSabiti, i ka ngjitur shkallët e shkencës duke kombinuar dhe vënë në garë brenda vetes studimin me eksperimentimin shkencor. Veprimtaria e tij shkencore ka qenë shumë e pasur nëpërmjet referimeve në institucione kombëtare dhe ndërkombëtare, brenda dhe jashtë vendit. Ai, është përfshirë në disa forume me aktivitete shkencore me studime, ku ka drejtuar simpoziume, seminare, e séanca shkencore në Konferenca Ndërkombëtare. Me punën e tij krijuese ka mundur të jetë autor dhe bashkautor i disa librave e monografive në fushën e Kardiologjisë. Kontributi i tij shkencor është i larmishëm duke qenë pjesëmarrës si autor dhe bashkautor në shumë artikuj të publikuara në revista dhe buletine shkencore brenda dhe jashtë vendit. Kontributi i gjerë në fushën e botimeve është edhe privilegj i njohjes së disa gjuhëve të huaja me akses ndërkombëtar si Anglisht, Frëngjisht dhe Rusisht. Këto gjuhë të huaja nuk i ka parë si stoli, por si një kapital intelektual për t’i vënë në shërbim të shoqërisë. Profesor Sabiti ka një karrierë të pasur edhe në fushën e arsimit mjekësor. Atë e gjen si profesor në mësimdhënie në auditorët e universitetit, si drejtues katedre dhe dekanati, si udhëheqës shkencor i disa doktoraturave si dhe recensent dhe oponent i mjaft punimeve shkencore në fushën e kardiologjisë. Doktori i zemrës Sabit Broka,  ka ndihmuar shumë koleg të rinj për tu orientuar e afirmuar në autostradën e shkencës mjekësore. Shkallët e shkencës i ka ngjitur  me vullnet dhe punë, pa pasur asnjë përkrahje politike apo shoqërore. Në vitin 1982 fitoi titullin Kandidat i Shkencave Mjekësore, duke vijuar me Docent, Doktor i Shkencave Mjekësore dhe duke marrë titullin e lartë Prof. Dr. në vitin 1990. Bilanci i punës së tij në fushën e mësimdhënies është tejet i pasur. Ai ka qenë afërsisht 40 vjet pedagog në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës. Fillimisht karriera e mjekut ka nisur në shërbim të formacioneve ushtarake si Shef i Shërbimit Shëndetësor në Brigadën e Shijakut në vitet 1969-1972. Prej aty është transferuar si Mjek Kardiolog në Spitalin Ushtarak të Tiranës, që ka punuar për 12 vjet, në vitet 1972-1984, ku është aktivizuar edhe si  pedagog i jashtëm në Fakultetin e Mjekësisë. Në vitin 1984-1991, ka punuar si pedagog efektiv në Fakultetin e Mjekësisë, ku për disa vite ka kryer edhe detyrën e Zv/dekanit dhe Dekanit të këtij Fakulteti. Pra, siç shihet karriera e tij pedagogjike është e pasur jo vetëm numerikisht por edhe cilësisht.

Jeta Politike

Me ndryshimet post komuniste, me vendosjen e pluralizmit politik dhe ardhjen e demokracisë, Profesor Sabiti ka dhënë një kontribut të shquar në situata të turbullta kthese, si intelektual me vizion të qartë dhe ekuilibër qëndrimesh ndaj ekstremizmit të djathtë, që u përfshi në shkatërrimin e ekonomisë kombëtare. Gjithmonë ka qenë pikë referimi i qetësisë në gjykime, mençurisë në veprime, dhe i saktë në vendime. Krahas aktivitetit të pasur pedagogjik dhe shkencor, Dr. Sabiti ka edhe një aktivitet të admirueshëm dhe të pastër politik. Rrallë kanë shpëtuar pa u ndotur politikanët tanë të majtë apo  të djathtë qofshin, në këto 25 vjet “demokraci” apo anarshi, që i shkon më shumë për shtat. Në fillimet e demokracisë në muajt Shkurt-Dhjetor, ka kryer detyrën e Ministrit të Shëndetësisë. Njëkohësisht është zgjedhur deputet në pesë legjislatura nga viti 1997-1998, ku ka dhënë një kontribut të çmuar si intelektual për të emancipuar veprimtarinë e Parlamentit. Ka marrë pjesë si rrallë kush në mënyrë aktive për shëndoshjen e politikës dhe demokracisë së brishtë shqiptare, nëpërmjet shkrimeve publicistike me frymë kritike dhe shoqërore duke botuar mbi 1000 shkrime dhe vazhdon të shpreh mendimet intelektuale edhe për zhvillimet e sotme politike.  Gjatë viteve 1997-1998, ka qenë Ministër i Mbrojtjes për ringritjen e ushtrisë, që u shkatërrua në vitin zisë për shqiptarët. Në vitet 1998 deri në 2004, ka qenë Këshilltar për Sigurinë Kombëtare pranë Presidentit të Republikës, si një ekspert i certifikuar me diplomë për sigurinë kombëtare në Kolegjin e sigurisë në Stokholm të Suedisë. Jeta e tij e pashtershme në dobi të shoqërisë ka pasur dhe vlerësimet e nderimet e çmuara për kontributin e dhënë gjatë dy epokave, para dhe pas 1990. Është nderuar me medalje e urdhra si me Medaljen dhe Urdhrin “Për shërbim në të mirë të popullit”, “Flamur i Kuq i Punës”, “Qytetar Nderi” në Oklahoma të SH.B.A., “Personalitet i Shquar i Labërisë”,”Qytetar Nderi i Vlorës dhe “Veteran U.Ç.K, etj.

Njeriu Model

Dr. Sabiti ka qenë gjithmonë vetvetja, në çdo koniunkturë politike që ka kaluar. Ka një individualitet superior të shprehur nëpërmjet punës, pa poza e pretendime për tu dukur. Pasuria më e madhe e profesor Sabitit është personaliteti njerëzor dhe sjellja e kulturuar, që i japin lumturi dhe mirëqenie shpirtërore. Dituria profesionale dhe intelektuale, janë vellua e artë që ja zbukurojnë personalitetin e tij shoqëror. Në një kohë aventurash si kjo e sotmja ku njerëzit kanë rendur pas fitimit për tu pasuruar me çdo çmim moral duke braktisur diturinë. Ata që mbetën njerëz janë të pakët. Zilia e të tjerëve ja ka prishur ndonjë herë lumturinë, por ai ka ruajtur qetësinë. Postet e larta, përfitimet heriarkike, ofiqet e privilegjet e pushtetit, nuk e kanë larguar kurrë nga burimi i brendshëm i lumturisë, që e ka gjetur në familje dhe shoqëri. Ka një shpirt pranverë, që e transmeton nëpërmjet fjalës, mimikës, paraqitjes dhe mirësisë. Është i dashur me të vërtetën dhe i rreptë me padrejtësinë. Nuk ka bërë kompromis me karakterin e tij dhe kur ka qenë përballë përfitimeve të mirave materiale e famës shoqërore, tepër tunduese. Dr. Sabiti është pajisur me dhunti shpirtërore të tilla që e bëjnë të lumtur kur dhuron lumturi dhe te të tjerët. Pasuria shpirtërore është pasuria më e madhe që bën dallimin mes njerëzve. Lumturinë e vet veç të tjerash e sheh të përfshirë te ushtrimi i profesionit për t’u shërbyer qytetarëve me përkushtim. Shija e lumturisë është e lidhur me botën shpirtërore të individit, se çfarë preferencash ka ai për jetën. Njerëzit me ndjenja të thella shpirtërore dhe madhështi profesionale, kanë një ndjeshmëri tejet të mprehtë ndaj humanizmit shoqëror. Botëkuptimi dhe qëndrimi ndaj fenomenit të lumturisë është i ndryshëm në njerëz të ndryshëm. Edhe vetë filozofi i lashtësisë greke Sofokliu, është kontradiktor në veprat e veta ku lumturia ka konotacion të dyfishtë. Te “Antigona”, thuhet se “Dija është kusht i parë i lumturisë”, ndërsa te vepra tjetër “Ajaksi”, shkruan se “I lumtur është ai që s’mendon për asgjë”.  Dr. Sabit Broka, ka një botë të pasur shpirtërore intelektuale, që rrezaton ëmbëlsi, dashuri, e mirësi. Por sot gjejmë jo rrallë njerëz që s’kanë asnjë ndjesi shpirtërore si rezultat e zbrazësisë karakteriale, mangësisë dhe vulgaritetit të përmasave të kufizuara intelektuale. Njeriu që sheh deri te pragu i interesave të tija të ngushta e shpërdoron dhe e përdor jetën si një send pa vlerë. Shoqëria e sotme këta të dytët i ka me bollëk, të parët me kursim. Zilia dhe urrejtja janë motra që kanë të njëjtën rrënjë, por që s’kanë gjetur shtrat në karakterin e Profesor Sabitit. Ai, e ka gjetur veten te e vërteta, dituria, mirëkuptimi, inteligjenca, shpirtgjerësia, që e kanë bërë të sfumojë vulgaritetin, arrogancën e provincializmin, që ka pushtuar sot shoqërinë tonë “demokratike”. Si doktor i zemrës, doktor Sabiti ka një zemër të madhe, që shëron çdo sëmundje që buron nga ligësia njerëzore. Është një mjek sa human aq edhe vlerësues e nderues ndaj njerëzve që kanë karakter të fortë dhe vlera intelektuale e humane. Nderimi dhe vlerësimi për miqtë dhe shokët e ka një cilësi morale që trashëgohet nga tabani familjar, që e ka përsosur edhe në anën profesionale.

Duke përshkruar portrete me penë për individë të ndryshëm e kam ndier veten në vështirësi, sepse gjykohem dhe jam në provim para familjarëve dhe opinionit të gjerë shoqëror. Ndërgjegjësisht mundohem të jem realist sa më afër cilësive dhe veçorive të individit. Shpresoj që këtë provë ta kaloj me sukses. Më jep qetësi dhe siguri opinion shoqëror që ka qenë sa më afër këtyre personazheve të mi. Për profesor Sabitin flasin me shumë respekt të gjithë ata persona që kanë punuar nga afër me të. Unë po shkëpusë njërin prej tyre, Agim Rrapaj, për të transmetuar konsideratat e veta nga puna në kabinetin e Ministrisë së Shëndetësisë.         

Me Prof. Sabitin njihemi prej 30 vjetësh. Njohja ime me profesorin është shumë planesh. Kemi punuar sëbashku në Ministrinë e Shëndetësisë në vitet 90 kur po bëhej tranzicioni i vendit. Ai si Ministër e Unë Drejtor në Departamentin e Ekonomisë. Shqipëria në fushën e shëndetësisë po kalonte në atë periudhë një situatë nga më të vështirat krahasuar me disa nga degët e tjera të ekonomisë.

Prof. Sabiti me njohuritë shumë të mëdha teorike dhe praktike, që kishte në shumë fusha si në atë politike dhe të jetës sociale, të ndërtimit, drejtimit dhe organizimit të shtetit, veçanërisht në disa sektor si arsimi, mjekësia dhe ushtria ka dhënë një kontribut të çmuar në periudhën e  tranzicionit në Shqipëri. Politikisht kontribuoi shume për vendosjen e pluralizmit në Shqipëri. Ai nuk e pengoi krijimin dhe konsolidimin e Partisë Demokratike. Përkundrazi në atë periudhë e mbështeti dhe nuk largoi asnjë nga puna në Ministri të Shëndetësisë, që ishin deklaruar hapur si anëtarë të PD. Por në të njëjtën kohë prof. Sabiti ishte mjaft i ashpër dhe ndëshkonte pa kompromis veprimtarinë tyre denigruese e mohuese ndaj çdo arritjeje, veprimtarinë e tyre sabotuese e shkatërruese të institucioneve, metodat jo humane që përdornin për të arritur qëllimet e tyre politike gjoja në emër të ndryshimit.

Ai kontribuoi me shumë dëshirë dhe ndihmoi pa asnjë rezervë edhe në krijimin e PSD. Por nuk vazhdoi të punoj shumë kohë për konsolidimin e saj si parti mbasi disa nga themeluesit e PSD  nuk e pranuan propozimin e Tij që, PSD të ishte një parti ku me statut të ndalonte anëtarësimin në radhët e veta të ish anëtarëve të PPSH. Ai e konceptonte PSD në atë periudhë si një parti të intelektualëve të pa angazhuar më parë në parti, ku të përfshiheshin personalitete të botës akademike të shkolluar në perëndim. Personalitete të fushës së ekonomisë, student, të rinj e të reja që kërkonin ndryshimin e sistemit.  

Prof.Sabiti ishte mjaft i qartë dhe largpamës në atë periudhë edhe për disa nga partnerët strategjik, që mund ta ndihmonin vendin tonë të realizonte një tranzicion e zhvillim të shpejt politik, ekonomik e social të Shqipërisë.

 Gjermania mendonte Ai, ishte partneri duhur për transformimin e sektorit të shëndetësisë. Turqia ishte në atë periudhë një tjetër partner strategjik për të cilën  Prof. Sabiti tregoi një kujdes të veçantë. Fal kontributit dhe kujdesit të Tij Shqipëria importoi nga Turqia kontingjentin prej 120 autoambulancash. Ky ka qenë edhe kontingjenti më i madh që ka importuar sektori i shëndetësisë mbas viteve 90.

SHBA ishin një tjetër partner strategjik me shumë rëndësi për Shqipërinë dhe sektorin e shëndetësisë. Për kontributin e Tij në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe në atë periudhë prof. Sabiti mori edhe titullin “ Qytetar Nderi”.

Opinioni shoqëror është matësi më i mirë dhe i saktë për tu ballafaquar dhe kontrolluar veten çdo njeri me parametrat moral më të lartë.