Redi Jupi dhe Arjan Bellaj, trajnerë të përfaqësueseve të moshave

Redi Jupi dhe Arjan Bellaj do të jenë trajnerët e rinj të ekipeve përfaqësuese së moshave. Redi Jupi, i cili deri më tani ka mbajtur detyrën e shefit të zyrës së zbulimit të talenteve në FSHF, do të marrë drejtimin e Kombëtares U-21, duke zënë në këtë mënyrë vendin e lënë vakant nga Skënder Gega. Ajo e trajnerit do të jetë një eksperiencë pothuajse e parë për ish- mesfushorin e Dinamos dhe të kombëtares që gjithsesi e ka provuar drejtimin në stol për një periudhë disa mujore në vitin 2006 kur ishte njëkohësisht trajner dhe lojtar i Dinamos.  Gjithsesi zgjedhja e tij duket se ka të bëjë me vetë faktin se duke qenë në këto vitet e fundit drejtor i zyrës së zbulimit të talenteve në FSHF  me një kontribut të çmuar në zgjedhjen dhe afrimin e shumë futbollistëve në ekipet përfaqësuese. Jupi pretendon se njeh nga afër shumë nga prurjet e reja në ekipin kombëtar te shpresave. Për sa i përket Arjan Bellajt, CV e ish-mbrojtësit të krahut në kombëtaren shqiptare si trajner është më e plotë, pasi  44-vjeçari ka drejtuar si trajner i parë ekipin e Luftëtarit , ndërsa ka qenë ndihmës trajner edhe në ekipin grek të PAS Janinës. Bellaj është i integruar plotësisht me 19-vjeçarët pasi deri më tani ka qenë ndihmësi i trajnerit Altin Lala. Ish kapiteni i kombëtares mësohet se e lë detyrën e trajnerit të 19- vjeçarëve për shkak të impenjimeve të shumta në bizneset e tij. Altin Lala pritet të befasojë në këtë fushë me hapjen e një biznesi gjigant në Shqipëri.