Erkandi & Tedi, “Dashnia jonë mban aromë Shkodre”

– Në një rrëfim ndryshe nga herët e tjera, kampioni shqiptar ndan me lexuesit karrierën, jetën private, si dhe planet e së ardhmes    –

Intervistoi: Sidorela Lepuri

 

Më 8 Prill 2014, në Europianin e Peshëngritjes, Erkand Qerimaj mori medaljen e artë në kategorinë  –77 kg, duke lënë në vendin e dytë patriotin e tij Daniel Godelli. Në të njëjtin kategori, ai mori medalje të bronztë në tërheqje. Në total, ai mori medaljen e dytë rresht të artë duke lënë sërish në vend të dytë Godellin. Ky ishte një ndër dhjetëra sukseset e tij ndërkombëtare, si peshëngritës. Kampioni nga Shkodra, i ka siguruar Shqipërisë disa medalje në arenat ndërkombëtare, duke u shndërruar kështu në një ambasador sporti për vendin tonë. Synimet e tij të së ardhmes janë që të fitojë medaljen e parë për Shqipërinë, në një Olimpiadë. Erkand Qerimaj e ka arritur suksesin edhe atëherë kur nuk e priste shumëskush, pavarësisht kushteve të stërvitjes që gjithnjë linin për të dëshiruar. Në një intervistë për suplementin “Koha Tjetër” Qerimaj rrëfen detaje mbi karrierën ndër vite, si një ndër kampionët e paktë që ka Shqipëria në garat ndërkombëtare, por ai ndalet e flet edhe për jetën e tij private, raportin me të fejuarën, pasionet më të mëdha si edhe planet e mëvonshme.

  

Kampion Europe në Peshëngritje, rezultati më i madh i njohur nga Federata Botërore për Shqipërinë. Me çfarë po merreni aktualisht, Erkand?

Aktualisht po merrem me jetën time private dhe profesionale. Në veçanti vëmendje po i kushtoj stërvitjes në mënyrë që të kem rezultate të mira në garën e botërorit që zhvillohet në Amerikë.

Prej disa kohësh, dukeni sikur jeni në një periudhë pauze. Vazhdoni me stërvitjen ndërkohë?

 

Periudha e pauzës është ajo kohë që njeriu ka nevojë për qetësi shpirtërore dhe fizike. Megjithatë, stërvitja më ka shoqëruar çdo ditë edhe pse të jesh sportist me rezultate ka vështirësi, po aq sa kënaqësi.

 

Objektivi juaj i radhës pas problemeve të shumta që keni kaluar me gjykatat?

 

Problemet e mia me gjykatat për sa i përket dënimit tim janë mbyllur që në momentin që dënimi ka mbaruar. Unë kam ardhur fitues si Kampion Europe. Shqipëria një Kampion Europe ka në peshëngritje dhe pikërisht objektivi im është ta nderoj sërish Shqipërinë e madhe në garat e ardhshme, në veçanti një medalje në Olimpiadë do të gëzonte shumë zemrat e sportdashësve. Unë në çdo garë pretendoj shumë, por këtë do t’ia lëmë kohës dhe mundësive që do më krijohen nga drejtuesit që kushtet e mia të jenë të mira, në mënyrë që edhe unë fizikisht dhe psikologjiksht të jem në formë. Nuk resht së thëni se, është sakrificë të jesh sportist me rezultate botërore. Kushtet janë primaret që duhet të të paktën të pranueshme për të arritur majat e botës. Ne në Shqipëri nuk i kemi si vendet e tjera, megjithatë shpresojmë për mirë.

 

Titulli që synoni?

Gjithmonë në çdo garë synoj titullin Kampion, jo më kot jam rritur me këtë titull. Megjithatë edhe një medalje mjafton të ndihesh krenar dhe mirë, sepse flasim për gara botërore dhe evropiane. Rekorde Europiane e Botërore.

 

Ju udhëtoni shumë Erkand, parë kjo edhe nga fotografitë që publikoni në rrjetet sociale. Është një pasion i juaji udhëtimi, apo i shihni si një urë lidhëse për njohje të reja, qoftë edhe profesionale?

 

Udhëtimet më pëlqejnë shumë realisht. I kam pasion, sepse shkëputem nga përditshmëria,  shoh dhe njoh kultura dhe tradita të ndryshme. Pse jo vlen edhe për njohje të reja miqësore dhe profesionale.

 

Prej disa kohësh keni ndarë me publikun një pjesë të jetës suaj private, pra jeni fejuar. Si shkon marrëdhënia mes jush?

 

Po ka një vit e pak që jemi fejuar me të dashurën pas 3vitesh lidhje. Marrëdhënia shkon shumë mirë, komunikojmë shumë bashkë dhe çdo ditë ndjejmë emocione dhe dashuri.

 

Ku jeni njohur me të?

 

Njohja me të fejuarën ka qenë shumë e veçantë, sepse ka qenë dashuri me shikim të parë. Jemi parë në një lokal në Shkodër dhe sikur ta dinim si do vijonin gjërat më pas. Pastaj miq të përbashkët kanë bërë të mundur njohjen. I kujtojmë me nostalgji shikimet e para.

 

Çfarë mendoni se e bën speciale lidhjen tuaj?

 

Një marrëdhënie besoj se është speciale kur natyralizmi është pjesë e ditës, pa u sforcuar për ta bërë gjithçka perfekte. Por duhet thënë, e gjej veçantinë në marrëdhënien tonë tek komunikimi, situatat e njëri-tjetrit i përjetojmë me përkujdesje dhe respekt. Gjithashtu kemi shumë të përbashkëta. Na pëlqejnë shumë librat, muzika, filmat, shëtitjet në këmbë, ose me biçikleta. Thjeshtë tek ne ka funksionuar kimia edhe tek dashuria dhe dëshirat e përbashkëta. Edhe udhëtimet kanë vlejtur për të analizuar shijet tradicionale dhe kulturore.

 

Njeh xhelozi raporti juaj i dashurisë? Kush më shumë e kush më pak?

 

Një çift kur dashurohet edhe xhelozi ka, prandaj edhe tek ne ndodh të jemi pak xhelozë, por kur është me kufi ka lezetin e vet. Masën nuk e kalojmë, sepse do të kthehej marrëdhënia në bezdishmëri.

 

Keni plane për dasmën së shpejti?

Ka një vit e pak që jemi fejuar, po e shijojmë fejesën njëherë. Kohën para e kemi.

 

A ka miq realë në jetën  e Erkandit?

 

Kam miq të mirë dhe ndjehem shumë mirë për këtë fakt. I kushtoj sa kohë kam mundësi, sepse ndjehem edhe unë mirë, por jam i mendimit se nuk kam miq jo realë. Nuk ka vend për ta në rrethin tim shoqëror.

 

Jeni zhgënjyer ndonjëherë nga miqtë?

 

Nga njerëzit që i konsideroj vërtetë miq nuk jam zhgënjyer. Përkushtimi im në shkollë dhe sport më ka bërë të qëndroj larg problemeve dhe zhgënjimeve shoqërore.

 

Çfarë do të thotë për ju miqësi e vërtetë?

 

Miqësi e vërtetë do të thotë që edhe kur takohesh pas një periudhë të gjatë kohore ke të njëjtën kënaqësi dhe dëshirë për të qëndruar me atë shok. Unë kam shumë shokë,  pavarësisht faktit që nuk kam shumë kohë të lirë mundohem që ta gjej dhe sa herë dalim flasim për shumë gjëra, qeshim shumë dhe kalojmë mirë bashkë. Kjo është shoqëri e vërtetë, ajo që i reziston kohës, pavarësisht rrjedhës që merr jeta.

 

Keni një moto, filozofi për jetën?

 

Motoja ime është, “E vështira nuk është e pamundur, duhet të luftosh fort dhe çdo gjë bëhet e mundur”. Kur ke dëshirën, vullnetin dhe kurajon përballon çdo vështirësi. Besimi në Zot më çon përpara çdo ditë dhe këtë them sa herë qe fle dhe zgjohem… Faleminderit Zot!

 

Kohën e lirë si e shfrytëzoni?

Kohën e lirë mundohem ta kaloj bukur, sepse nuk kam shumë kohë të lirë, prandaj ia dedikoj familjarëve të mi. Na pëlqen të shohim filma në kinema me të fejuarën, apo të bëjmë shëtitje. Gjithashtu më pëlqejnë librat dhe sa herë mundem futem në botën e tyre, e cila më relakson shumë.

 

Përsa i përket pushimeve, ku po i kaloni?

 

Pushimet po i kalojmë në bregdetin tonë të bukur. Më pëlqen plazhi dhe gjatë verës po shëtisim plazhet e Shqipërisë.

 

Planet për të ardhmen?

 

Sot shijo ditën, por planifiko gjithmonë diçka me vlerë për nesër, këtë ia them gjithmonë vetes. E në fakt planet e së ardhmes i kam menduar pozitivisht, përveç faktit që unë i jam përkushtuar sportit i jam dedikuar shumë edhe shkollës. Kam kryer dy universitete. Profesor për Akademinë e Sporteve dhe Avokat. Normalisht në planet e së ardhmes mendoj të praktikoj degët, për të cilat jam specializuar. Dëshiroj të kem përsëri rezultate maksimale në sport dhe për këtë po stërvitem çdo ditë. Jetën familjare e mendoj të lumtur, siç ka qenë dhe është dhe për këtë duhet përkushtim, dëshirë dhe mirëkuptim. Besoj në ndihmën e Zotit që planet e mia të shkojnë mbarë, ashtu si për të gjithë miqtë e dashamirësit e mi që më mbështesin shumë.