Miranda Sinani, një basketbolliste e diplomate e zonja

Intervistoi: Aranit Muraçi

Basketbolli në Shqipëri për hir të së vërtetës duhet thënë se ekziston, vetëm sepse ka vajza e djem të pasionuar pas këtij sporti, të cilët ndonëse hasin vështirësi nga më të ndryshmet dhe nuk fitojnë thuajse asgjë, mbajnë gjallë një ndër sportet më popullore dhe të zhvilluar në botë. Një ndër to është edhe basketbollistja e “Kamza Basket”, Miranda Sinani, e cila pranon se është pikërisht pasioni që e mban të lidhur me këtë sport. E angazhuar edhe në sporte e fusha të tjera dhe po ashtu e impenjuar me studimet e larta, në një rrëfim ndryshe për “Koha Jonë”, basketbollistja Miranda Sinani përveç suksesit në sport kërkon të behet edhe një diplomate e zonja në të ardhmen. Kryeministri Edi Rama ka qenë më parë një basketbollist dhe si me diplomaci, Miranda Sinani uron që karrierën dhe sukseset e tij në politikë t’i ndjekin koleget, apo kolegët e brezit të saj në basketboll. 

Si nisi karriera juaj si basketbolliste profesioniste? Ishte më tepër pasioni juaj që në fëmijëri, apo ndokush pa se kishit talent dhe ju tërhoqi të merreshit me këtë sport?

Gjithçka nisi kur unë isha në klasë të pestë dhe në një nga orët e mësimit, vjen një trajner basketbolli, i cili kërkonte vajza për krijimin e ekipit të tij. Sigurisht ai në përzgjedhjen e tij kërkonte vajza të gjata, ndër të cilat unë u përzgjodha e para, për vetë faktin se isha vajza më e gjatë e klasës. Këtë gjë e diskutoj me pjestarët e familjes dhe ata e mirëpresin shumë pozitivisht, sidomos babai. Mua nuk më pëlqente kjo gjë, pasi e konsideroja veten të vogël, por babai arriti të më bindë që t’i futem botës së sportit, konkretisht basketbollit. Dhe kështu nisa të stërvitem me ekipin Studenti, për rreth një vit, derisa pësova një dëmtim të vogël te gjuri. Përveç faktit që unë nuk e kisha me vullnet basketbollin që në fillimet e mia dhe ajo që më ndodhi, u bënë “shkas” për ta lënë sportin, sepse do të thoja se ishin më shumë pretekste sesa arsye të vërteta. Pas një kohe jo shumë të  gjatë bëhem pishman për zgjedhjen që bëra dhe pak nga pak fillon të më hyjë në gjak basketbolli, pasi i shikoja shoqet e mia tek luanin dhe ndjeja një zili shumë të madhe që nuk isha më pjesë e ekipit. Në atë moment vendosa që ta filloj prapë stërvitjen dhe flas me trajnerin, i cili më pranon sërish në ekipin e tij. Nga ky çast e kam vazhduar basketbollin në mënyrë intensive deri tani, vetëm me përjashtim të disa shkëputjeve të vogla, të cilat kanë qenë për hir të studimeve universitare.

Cilat janë vështirësitë që has një basketbolliste në Shqipëri edhe kur luan në një prej skuadrave më të mira në Shqipëri?

Të them të vërtetën, sporti në përgjithësi, sidomos edhe basketbolli për femra, has në shumë vështirësi në disa aspekte, pavarësisht se në cilin ekip bën pjesë. Unë po përmend vetëm ato më të rëndësishmet ku bëjnë pjesë: palestra, kushtet në të cilat stërvitemi, dhomat e zhveshjes, baza materiale (uniformat, topat e basketbollit dhe mjetet e tjera ndihmëse) dhe e fundit, por jo nga rëndësia është stimuli, i cili është i papërfillshëm. Jo vetëm unë si basketbolliste, por edhe për shumë të tjerë mund ta themi me plot gojën se për basketbollin në Shqipëri nuk investohet pothuajse fare dhe nuk ka perspektivë. Pagat që marrin janë simbolike dhe kushdo që e vazhdon akoma basketbollin e bën më shumë për pasion.

Sa kohë në ditë ju merr basketbolli dhe si përjetohet sporti në familjen tuaj?

Basketbolli është një sport, i cili kërkon shumë impenjim. Në fazën e kampionatit, ne stërvitemi çdo ditë, nga e hëna në të premte, përveç ditës së shtunë, që kemi ndeshjen me ekipet e tjera përkatëse dhe të dielës, që përgjithsisht e bëjmë pushim. Kohëzgjatja e stërvitjes nuk është më shumë se dy orë në ditë. Faktikisht stërvitjen e zhvillojmë pasdite, pasi kemi mbaruar angazhimet e tjera të ditës dhe do të thoja se nuk më merr aq shumë kohë nga axhenda ime. Ndërsa përsa i përket pyetjes se “si përjetohet sporti në familjen time” do të thoja se përjetohet në mënyrën më të mirë të mundshme, pasi për një periudhë 5-vjeçare kam pasur edhe motrat, që stërviteshim bashkë dhe tani kemi edhe vëllain e vogël, që luan futboll me ekipin e të rinjve të Tiranës. Pavarësisht se dy motrat e lanë basketbollin, tani në familje jemi vetëm, unë dhe vëllai, dy sportistët e shtëpisë.

Kush ju ndjek më tepër në ndeshjet zyrtare dhe cilat janë disa nga emocionet më të mëdha që keni përjetuar në karrierë?

Që në fillimet e mia ka qenë babai, ai që më ka ndjekur në çdo hap timin. Ishte ai, i cili nuk mungonte jo vetëm në ndeshje, por kishte shumë raste që vinte e më ndiqte edhe në stërvitje. Sot vazhdon të më ndjekë rregullisht në ndeshjet zyrtare të kampionatit, por përveç atij, vijnë motrat dhe një rreth i ngushtë i shoqërisë sime. Emocionet që të fal basketbolli janë të shumta dhe të mëdha, për vetë natyrën e këtij sporti dhe është e vështirë të përcaktojë disa prej tyre, sepse çdo ndeshje, çdo moment që përjetoj, janë shumë të bukura dhe unike.

Ka pasur edhe momente të vështira në karrierën tuaj dhe përmendi ndonjë prej tyre?

Sigurisht që kam pasur edhe momente të vështira në karrierën time si basketbolliste. Disa nga këto momente të vështira kanë qenë kur unë e vazhdoja basketbollin, pavarësisht mundësive të familjes sime për të më ndihmuar për çdo gjë që kisha nevojë dhe momentet kur pas një shkëputje të gjatë kohore i jam rikthyer basketbollit, për ta vazhduar deri në ditët e sotme dhe më tej.

 Përveç basketbollit, ka ndonjë sport tjetër që ju pëlqen, apo ushtroni?

Privilegji i të qenit basketbolliste, të lejon të ushtrosh apo luash edhe sporte të tjera. Përveç basketbollit, më pëlqen të luaj volejboll, ku shpeshherë mblidhemi me ekipin e shkollës dhe zhvillojmë ndeshje të ndryshme. Volejbolli është një lojë tradicionale në vendin tonë dhe të fal emocione të veçanta.

Çfarë synimesh keni për të ardhmen, për pjesën e mbetur të karrierës suaj si basketbolliste?

Në Shqipëri është shumë e vështirë të mbijetosh vetëm falë sportit, sepse nuk të sjell përfitime ekonomike dhe nuk të jepet mundësia të promovohesh si sportiste. Të vetmet synime që kam për të ardhmen në sport janë që ta ndjek basketbollin dhe në një të ardhme jo të largët të bëhem pjesë e një ekipi jashtë vendit.

Përveç basketbollit, cilat janë angazhimet tuaja të tjera, apo ambiciet e së ardhmes?

Krahas basketbollit kam edhe angazhimet e mia të tjera në shkollë dhe punë. Për momentin jam duke ndjekur Masterin për Marrëdhënie Ndërkombëtare, ku i kushtoj pjesën më të madhe të kohës sime. Por jo vetëm, aktualisht punoj edhe si gazetare në një nga gazetat e përditshme me karakter kryesisht social. Përsa i përket ambicieve të për të ardhmen, do të thoja se janë disa, ku ndër më kryesoret janë se dua të jem një basketbolliste e suksesshme si edhe një diplomate e zonja.

Kryeministri Edi Rama ka qenë më herët një basketbollist dhe ky është një ogur i mirë për basketbollistët në Shqipëri, pavarësisht vështirësive që hasin, se mund të kenë të ardhme në politike. Ju mendoni se në një të ardhme mund të përfshiheni në politikë?

Do kisha dëshirë dhe do të uroja jo vetëm për vete, por për të gjithë që të ndiqnin shembullin e kryeministrit z. Edi Rama, sidomos brezi i ri. Dhe këtu e kam fjalën për basketbollin konkretisht, sepse është një sport shumë i bukur, por edhe politika është një botë, tek e cila mund të bëhem pse jo, pjesë e saj në të ardhmen, pavarësisht se nuk është një ndër përparësitë e mia.

Jeni vlerësuar si një ndër basketbollistet më simpatike të basketbollit në Shqipëri. Sa ndikim ka për të qenë i suksesshëm në sport paraqitja e jashtme, sidomos për një sportiste femër?

Vlerësimi si një ndër femrat më të bukura basketbolliste, ka ndikuar pozitisht në jetën dhe karrierën time, jo vetëm si basketbolliste, por edhe në çdo aspekt tjetër. Paraqitja e jashtme, sidomos kur bëhet fjalë për një femër, ka ndikim vetëm në momentin kur je konsoliduar si sportiste dhe ky ndikim është më shumë plotësues dhe jo vendimmarrës për karrierën.

Dhe së fundmi, jemi në kohë pushimesh. Ku do t’i kaloni ato dhe me kë?

Si çdo vit pushimet i kaloj me familjen time dhe një pjesë të tyre, edhe me shoqërinë. Por për momentin, të them të drejtën akoma nuk kam vendosur se ku do t’i kaloj këto pushime, për hir të angazhimeve të shumta që kam.