Zgjedhje me akuza, dajak dhe gjakosje

 

Afrimi i datës së zgjedhjeve ka rritur ndjeshëm tensionet mes dy kampeve politike. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar tre incidente serioze. Incidenti i parë ka të bëjë me Vorën, qyteti që duket se është kthyer në përplasjen e madhe mes mazhorancës dhe opozitës. Policia njoftoi se ka nisur procedim penal për kandidatin e PD-së, Fiqiri Ismaili. Akuza është për blerje votash. Sipas policisë dy persona kanë denoncuar kandidatin se u ka dhënë në zyrën e tij nga 10 mijë lekë të reja për t’u marrë votën më 21 qershor. Kandidati i PD-së është thirrur nga autoritetet për të dhënë sqarime lidhur me këtë ngjarje, por nuk ka pranuar asnjë akuzë. Duke qenë se është ende në detyrë si kryebashkiak i Vorës dosja ndaj tij ka kaluar për hetim nga Prokuroria e Tiranës. Pak pas njoftimit të policisë, kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka ka dalë në një konferencë për mediat me kandidatin e Vorës, Fiqiri Ismaili. Së bashku me ta, në konferencë kanë qenë dhe dy personat që sipas policisë kanë bërë denoncimin. Paloka tha se ata që policia i quajti “denoncues” janë anëtarë të shtabit elektoral të kandidatit të PD-së. Në emër të tyre, Paloka tha se u është bërë presion në polici për të dhënë dëshmi të rreme ndaj kandidatit të djathtë. Pas reagimit të PD-së, deputeti Astrit Patozi në një letër publike ka folur për situatë “lufte në Vorë”, kriminelë që bredhin rrugëve me armë dhe presione të hapura dhe kërcënime ndaj votuesve të djathtë. Letra e Patozit flet edhe për përdorimin e policisë në fushatën e Vorës, ndërsa parashikimi i zymtë lë të kuptohet se në këtë bashki mund të ketë edhe viktima deri në ditën e zgjedhjeve. Ndërkohë LSI thotë se kjo vjen si reagim i faktit se demokratët po ndjejnë humbje të thellë në Vorë dhe po sajojnë gjithfarë akuzash për të patur si alibi për humbjen.Kandidati i mazhorancës duket se është në avantazh të thellë në raport me atë të PD-së ndaj duket se përplasja do të jetë e egër ditën e zgjedhjeve.

Në Vorë duket se po zhvillohet një betejë epike PD-LSI ndërsa në Durrës prokuroria është vënë në lëvizje. Dje organi i akuzës ka plotësuar fletë-thirrjet për dëshmi për 600 persona të këtij qyteti. Të gjithë rezultojnë se janë bërë banorë të Durrësit gjatë muajit të fundit dhe se nuk kanë një adresë të saktë banimi, përveçse figurojnë si votues. Gjithashtu, Prokuroria i kërkoi KQZ-së që të çregjistrojë të gjithë këta zgjedhës që figurojnë se janë shtuar në lista vetëm për qëllim të votimeve të 21 qershorit. Nga hetimet rezulton se në Durrës janë shtuar në mënyrë fiktive rreth 2800 votues, të cilët figurojnë se kanë marrë banesa me qera në këtë qytet. Nga pyetja e banorëve që disponojnë banesat rezulton se nuk kanë dhënë asnjë hyrje me qira. Pra, regjistrimi në gjendjen civile është bërë në mënyrë fiktive. Lëvizja e Prokurorisë në kohën e duhur në Durrës shpreh se do të shmangen manipulimet. Megjithatë problemi i listave, në një qytet ku ka pasur përplasje militantësh, nuk është i vetmi deri në ditën e zgjedhjeve.

Në Vorë dhe Durrës ka pasur akuza të ndërsjellta, por në Peqin situata është më alarmante. Nga akuzat, militantët kanë kaluar në kërcënimet me armë dhe në rrahjet brutale. Kandidati i PD-së në Peqin, Albert Keçi, publikoi për media disa foto të një militanti të rrahur nga mbështetësit e Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet. Sipas Keçit, militanti është kërcënuar me armë dhe është qëlluar me qytën e armës dhe me sende të forta. Ashtu si dhe Astrit Patozi për Vorën, Keçi tha se në Peqin qarkullojnë njerëz me armë në makinë që dhunojnë dhe trembin votuesit e djathë. Pas kësaj akuze ka ardhur dhe reagimi i PDIU-së, parti që deri disa javë më parë ishte aleate e PD-së. Sipas PDIU-së, ishin militantët e djathtë ata që kanë kërcënuar stafin e kandidatit të kësaj partie në Peqin. Serisë së akuzave dhe dhunës, dje u është shtuar edhe një raport i organizatave të pavarura, ku thuhet se janë evidentuar 21 raste të blerjes së votës.

Një kandidat nën hetim për blerje vote, 2800 votues fiktivë, një militant i rrahur me qytën e armëve dhe denoncime pa fund për njerëz të armatosur në fushatë, janë sinjali i një fushate me incidente që po shtohen si ortek. Deri në ditën e votimeve, gjasat janë që rastet e dhunës të shtohen dhe denoncimet për parregullsi po ashtu.

Dhe janë 61 bashki të cilat janë 61 rajone të mëdha dhe me supërpushtet ndaj përplasja duket se do të jetë pothuajse sa për votimet për pushtetin qendror. Java që po vjen është java e fundit e fushatës dhe si sot një javë do të jemi në kutitë e votimit. Dita e votimeve do të jetë një ditë tensioni, kurse nata e 21 qershorit si natë ferri ndonëse duhet të jetë si rregull demokratik një natë feste. Nuk duket mirë situata pasi përplasjet javën e ardhshme mund të jenë të dhunshme.

Akoma shoqeria shqiptare nuk është emancipuar dhe nuk ka norma demokratike e mundet të duhen shumë dekada që të kalojnë e Shqipëria të quhet një vend europian.