Vesa Luma: Koha selekton, artistët “me këmbë në tokë” mbijetojnë

Intervistoi: Sidorela Lepri

Jemi mësuar ta shohim gjithmonë, duke kënduar dhe sjellë për publikun këngë që më pas janë kthyer  në hite, por Vesa Lumën tashmë e shohim edhe si drejtuese e një emisioni mjaft interesant në Kosovë. Në KTV çdo të dielë trasmetohet, “E diela me Vesën”, një format që ka sjellë shumë surpriza në mënyrën sesi shfaqet elita e politikës dhe jeta e tyre jashtë kornizës sdandarde. “Kisha kohë që mendoja rikthimin në një program televiziv, sepse më kishte munguar ky profesion i dytë dhe doja të jetë një risi për gjithë publikun, prandaj më ka mjaftuar energjia e akumuluar për të sjellë këtë risi”, tregon Vesa për suplementin “Koha Tjetër” në “Koha Jonë”. Ajo na rrëfen gjithashtu se, shikueshmëria maksimale i ka dhënë edhe më shumë vullnet për ta vazhduar emisionin edhe sezonin tjetër, por pa lënë pas dore pasionin tjetër, muzikën.
Në bisedën e mëposhtme me KJ, Vesa Luma ndër të tjera tregon për hapat e parë dhe vështirësitë për të depërtuar në tregun shqiptar muzikor. “Ka qenë shumë e veshtirë, por më e lehtë se sot mbase”, shprehet Vesa. Ajo na tregon më tej edhe për këngën saj të fundit, që mban titullin “Tkan fol keq për mu”, çelësin e suksesit të karrierës së saj dhe prezencën për një kohë kaq të gjatë në tregun muzikor.

Në KTV çdo të dielë trasmetohet emisoni “E diela me Vesën”, një emision që ka sjellë shumë befasi në mënyrën sesi prezantohet elita e politikës. Rastësi, apo zgjedhje e mirëmenduar lidhja me ekranin në një program televiziv?

Kisha kohë që mendoja rikthimin në një program televiziv, sepse më kishte munguar ky profesioni i dytë dhe doja të jetë një risi për të gjithë publikun. Prandaj më ka mjaftuar energjia e akumuluar për ta sjellë këtë risi. Merr më shumë kohë, sepse ka të bëjë me njerëzit më të rëndësishëm të vendit, por ia vlen meqë për herë të parë bëhet një program i tillë, pra duke i njohur ata ndryshe nga ata që i shohim çdo ditë. Sidomos kur “kushti” është që të vijnë me partnerët e jetës.

Është prezantimi i një programi televiziv fokusi juaj kryesor në të ardhmen, apo e alternuar me muzikën?

Meqë në Kosovë ka arritur shikueshmëri maksimale, besoj se ka mjaftuar që të më japë vullnet për të vazhduar edhe me sezonin tjetër. Do të zgjerohemi më shumë dhe do të sjellim akoma risi. Formati me politikanët do të jetë i njëjtë dhe tanimë jemi dakorduar edhe me njerëzit më të rëndësishëm të Shqipërisë gjithashtu, por e gjithë kjo është një përvojë jashtëzakonisht e mirë. Po e provoj veten edhe si producente e autore dhe po më jep një kënaqësi të madhe. Ndërsa muzikën nuk do ta lë pas, do mundohem t’i bëj të dyja paralelisht.

Kënga juaj më e fundit e publikuar titullohet, “Tkan fol keq për mu”. Cili është mesazhi dhe fabula e kësaj kënge?

Përsa i përket këngës "Tkan fol keq për mu" është një këngë ritmike, e cila u prit shumë mirë te publiku. Mesazhi është i qartë për ata që e kanë dëgjuar dhe duke u bazuar në titull.

A i ka përmbushur kjo këngë pritshmëritë tuaja?

Më shumë sesa e mendoja në fakt, edhe pse kishte kohë që publiku kërkonte këngë me po ato ritme. Këtë gjë ia propozova Big Bastës dhe ai e bëri. Tekstin e kam bërë vetë, ndërsa video është realizuar në Kosovë nga 3 FAB Production.

Ka ndodhur të kesh dëgjuar që kanë folur keq për ju dhe nëse po si keni reaguar?

Jo shumë shpesh, por të qenurit person publik edhe ka ndodhur të keqkuptohem ndonjëherë dhe me atë rast mbase më kanë paragjykuar. Kryesisht kam pasur kujdes ne paraqitjet e mia dhe në atë çfarë kam thënë, apo bërë.

Vesa Luma është një emër shumë i njohur dhe i dashur për publikun shqiptar dhe jo vetëm. Suksesin ia dedikoni punës, apo edhe fatit?

Definitivisht punës. Fati është aty kur punon fort dhe unë preferoj të punoj më shumë, pavarësisht se flas më pak.

Të kthehemi pas në kohë. Si i rikujtoni fillimet tuaja për të depërtuar në tregun muzikor?

Ka qenë shumë e vështirë, por më e lehtë se sot mbase. Ishte koha kur nuk kishe as ku të drejtoheshe. Por unë që e vogël kam kënduar në festivale dhe evenimente. Shkolla muzikës, të gjitha më kanë ndihmuar të jem me njerëzit e duhur për t’u marrë me këtë profesion.

Duke marrë parasysh që në muzikë konkurenca është relativisht e madhe, pasi vazhdimisht ka prurje të reja, ka qenë e vështirë për ju të jeni vazhdimisht prezente në këtë treg?

Konkurenca e madhe, këngëtarë shumë, por fatmirësisht të gjithë kanë publikun e tyre dhe është e kotë të flitet për konkurrencë në një treg të dobët si Shqipëria e Kosova. Një treg ku flitet për klikime me miliona e të gjithë e dimë se ato blihen, një treg ku akoma këngëtarët quajnë koncerte performancat në clube. Ndaj mendoj që vetëm artistët "me këmbë në tokë" kanë mbijetuar dhe do mbijetojnë shumë gjatë.