Fatura e fundit nga UEFA, 50 mijë euro gjobë Shqipërisë

Komisioni i Disiplinës së UEFA-s ka gjobitur Federatën Shqiptare të Futbollit me 50 mijë euro për ndeshjen Shqipëri-Armeni, e fituar 2-1 nga kuqezinjtë e De Biazit. Gjoba është sa gjysma e shumës që FSHF u dënua në Serbi, për incidentet që ishin gati në gjendje lufte dhe ku kuqezinjtë ishin mysafirë. Madhe edhe përgjegjësit e organizimit të ndeshjes, serbët u gjobitën me të njëjtën shifër. Kur është fjala për Shqipërinë, UEFA “faturën” siç duket e pret edhe pa u menduar dy herë.  

Shkak për këtë gjobë janë parullat raciste të tifozëve shqiptarë dhe hedhja e fishekzjarrëve në fushë.

Pas këtij vendimi, Federata Shqiptare e Futbollit ka kërkuar mirëkuptim dhe më shumë sensibilizim nga tifozët kuqezi, në mënyrë që në ndeshjet e ardhshme të mos kryejnë të tilla gjeste, që dëmtojnë imazhin e Shqipërisë dhe sigurisht edhe financat e Federatës.

Në një komunikatë për shtyp, FSHF ka theksuar se ato shuma të mëdha gjobash mund të shfrytëzohen shumë mirë në infrastrukturën sportive, zhvillimin e futbollit dhe në rritjen e cilësisë sportive.