Ngjarja e Kumanovës, Prishtina i dërgon notë proteste Shkupit

 

Pavarësisht gatishmërisë së qeverisë së Kosovës për bashkëpunim me Maqedoninë për zbardhjen e ngjarjes në Kumanovë, ku ishin të përfshirë qytetarë nga Kosova, duket se Shkupi zyrtar po refuzon bashkëpunimin

Për këtë arsye, Ministria e Jashtme e Kosovës u ka dërguar të martën një notë proteste autoriteteve maqedonase, nga të cilat kanë kërkuar më shumë transparencë në identifikimin e qytetarëve të vrarë dhe atyre të arrestuar.

Në Ministrinë e Jashtme kanë treguar se, Ambasada e Kosovës në Shkup po ndihmon familjarët e qytetarëve të arrestuar që të vizitojnë të afërmit e tyre, për aq sa e ka të mundur ta bëjë këtë.

Për shkak të mos-lejimit të bashkëbisedimit të stafit të Ambasadës me të burgosurit, për të parë gjendjen e tyre dhe keqtrajtimet që po u bëhen, Ambasada e Kosovës në Shkup ka kërkuar ndihmën e organizatave ndërkombëtare për të hyrë në burgje, si dhe për të parë se si po trajtohen kosovarët e burgosur.

Për mos-lejimin e vizitave te familjarët e tyre, si dhe për mos-marrjen e informacioneve zyrtare për kosovarët e vrarë, të mërkurën në Prishtinë do të mbahet një protestë e organizuar nga familjarët e kosovarëve të arrestuar në Kumanovë, më 10 maj.

Përmes kësaj proteste, familjarët e kosovarëve të përfshirë në ngjarjet e Kumanovës kërkojnë nga qeveria e Kosovës, që të ndërmarrë veprime konkrete dhe t’u dalë në ndihmë shtetasve kosovarë, që po keqtrajtohen nga autoritetet maqedonase./ Top Channel