Europa “kalon” nga Kukësi, Tirana pa trajner pas largimit të Maganit

Humbja e thellë me Kukësin 4-1 çoi Tiranën në mospërmbushje edhe të objektivit të fundit, Europa League, duke sjellë kështu edhe largimin e parakohshëm të trajnerit Gugash Magani, nga drejtimi i bardhebluve. Trajneri më jetëgjatë në stolin bardheblu në këto dy dekadat e fundit mbyll aventurën e tij një javë para fundit të kampionatit, dorëheqja e të cilit këtë herë është e parevokueshme. –   “Më vjen turp për atë që tregoi skuadra sot në fushë. Ishte një humbje e papranueshme dhe në këto pozita nuk ka motive që të vazhdoj, pra nuk do të jem pjesë e Tiranës për ndeshjen e fundit”.

Magani merr përgjegjësitë që edhe lojtarët të reflektojnë. Vendimi për t’u larguar është konsoliduar kur ka parë që skuadra nuk i bindet më taktikisht, por pas një disfate të tillë edhe analizat janë të tepërta. –  “Nuk mund të flas shumë sot pasi s’kam edhe gojë me fol me atë që tregoi skuadra, duke bërë ndeshjen më të keqe nga fillimi e deri në fund të sezonit”.

Megjithatë ca pengje Magani mund t’i heqë, së pari përsërit se Tiranës i duhen ushtarë në fushë dhe jo gjeneralë, akuzë referuar lojtarëve, ndërsa dy fjalë i ka edhe për Presidentin Halili. – “Te Tirana sulmohet shumë trajneri nga menaxherët apo njerëz që s’kanë lidhje me futbollin. Këto gjëra duhet të ndryshojnë. Do t’i jap një këshillë presidentit Refik Halili, të jetë më i drejtpërdrejtë në këto raste para se të jetë shumë i butë”.  Trajneri i ri i Tiranës pritet të zgjidhet pas ndeshjes së mbetur, në varësi të kualifikimit të Europa League dhe projektit evropian që do të kenë bardheblutë.

Kur mbetet edhe një javë nga mbyllja e kampionatit, verdiktet thuajse janë përcaktuar. Skënderbeu matematikisht kampion për herë të pestë radhazi. Kukësi pret matematikisht një biletë në Europa League. Partizani, ende jo matematikisht, e ka siguruar pjesëmarrjen në Europa League. Tiranës i duhet të fitojë ndeshjet e fundit dhe të shpresojë që finalen e kupës me Kukësit e Laçit ta fitojë skuadra verilindore që të marrë biletën e tretë evropiane.  

Klasifikimi (mbetet edhe java e fundit )

                              N            GV         P                  

1  Skënderbeu      35          +38         76

2 Kukësi                35           +31        72

3 Partizani            35           +15         70

4 Tirana                35           +19         68

5 Laçi                   35           +24         66

6 Flamurtari          35           -7            38

7 Vllaznia              35           -12          35

8 Teuta                  35           -22          29

9 Apolonia              35           -34          25

10 Elbasani            35           -52          14

 

Humbja 4-1 me Kukësin, fatale për Tiranën

Skuadra e Gugash Maganit u shokua duke pësuar 4 gola në pjesën e parë duke shërbyer si një tabelë qitjeje për mjeshtrin e golit Pejic, që përmirësoi statistikat me një tregolësh përballë kryqeytetasve. Ne fund perfundon 4-1.

Një rezultat që nuk pranon si alibi as mungesat e Maganit që hidhte Morinën dhe Bushic para në sulm, ndërsa Radanovic propozonte Pejic dhe Hysën. I kroatit sinjali i parë që në minutën e tretë por ai që hapi festivalin e golave, e madje shumë shpejt ishte Vilfor Hysaj që ndezi festën e tifozëve që në minutën e 5-të. 25-vjecari kaloi nga e majtë në qendër gjithë pasqyrën para zonës i pashqetësuar për të lëshuar një silurë që Frashëri nuk mund ta ndalte. 1-0 për Kukësin dhe Gjici mund ta pijë cigaren me më pak ankth.

Reagimi bardheblu  është i ndrojtur, Halili nuk shqetësohet edhe aq nga një tentativë qendrore e Takut, ndërsa mbrojtja duket e coroditur. Për të kuptuar se sa, mjafton të shohësh se sa metra bën Hysa i pashqetësuar nga asnjë nga mbrojtësat bardheblu deri sa të lëshojë një diagonale në drejtim të Frashërit. Përballë një mbrojtjeje të tillë nuk mund të falë një sulmues si Pejic, kroati avancon në të djathtë në minutën e 22, mashtron edhe Frashërin në një dalje jo edhe aq të zgjuar në kufijtë e zonës dhe con topin drejt e në rrjetë. 2-0. Goli i sigurisë për Kukësin por Pejic është në një ditë të mirë nga ato ku mund të synojë të tjera rekorde dhe në minutën e 35 merr një krosim të gjatë përpara avancon me gjakftohtësi pret edhe pozicionim  e kundërshtarit dhe me qetësi e dashuri lëshon një top që Frashëri mundet vetëm sa ta shohë tek shkon në rrjetë. 3-0, fantastik Pero Pejic, goli i 30 për të në kampionat. Nga ana tjetër makthi për Tiranën nuk ka mbaruar këtu pasi vetëm pas dy minutash Kukësi është sërish në sulm dhe Curri prek topin me dorë në zonë. Për arbitrin është penallti.

Nga pika e bardhë është sërish Pero Pejic që con Frashërin në njërin krah dhe topin në tjetërn për të bërë 31-shin në listën e golave sezonale. 4-0 për Kukësin, dhe banderola me Gjicin në Europë vlen vetëm për verilindorët, Tirana e mbyll e dërrmuar pjesën e parë, ndërsa Kukësi e nis sërish në sulm të dytën. Nuk vlen te bardheblutë as inati i Malajt që tenton nga larg por gjen traversën në të 50, ndërsa saga “dhe telashet s’kanë të sosur” pasurohet me një tjetër episod në të 58 kur Pashaj bën një ndërhyrje brutale nga pas dhe merr kartonin e dytë të verdhë. Tirana në inferioritet numerik i mbetet vetëm të kërkojë golin e nderit që Karabeci nuk e gjen as në minutën e 62' me Halilajn, që devijon sipër traversës e as në të 78' me topin që del jashtë portës.

Gol që vjen nga ai, që askush nuk e priste, Selemandi Ndikumana i futur në lojë nga stoli, lojtari ndoshta më i diskutuar i Tiranës këtë sezon gjen rrjetën në minutën e 84', me një goditje nga kufijtë e zonës duke i dhënë tifozëve bardheblu mundësinë që të duartrokasin të paktën një herë. Megjithatë në tërësi gjërat nuk është se ndryshojnë, përfundon 4-1 me Pejiç protagonist të padiskutueshëm. Kukësi siguron Europën dhe nxjerr jashtë saj Tiranën, që për ironi të fatit duhet të bëjë tifo pikërisht për Kukësin në finalen e Kupës për të shkuar në kompeticionet europiane. Por kampionati s’ka mbaruar dhe mund të ketë edhe më keq. Laçi është vetëm një pikë larg, Tirana dridhet deri në javën e fundit, pasi rrezikon të humbasë edhe vendin e katërt.