Edi Luarasi: Ju rrëfej jetën time dhe çapkënllëqet e rinisë sime

Nga Zenepe Luka

Mjeshtër i Madh Edi Luarasi mbushi75 vjeç. Atë nuk e shqetësojnë aspak vitet dhe sikurse shprehet vetë ajo dhe bashkëshorti, regjisori Mihallaq Luarasi, këtë ditë të shënuar të jetës e shndërruan në festë. Pse jo – thotë Edi. -Shyqyr që arrita të bëhem 75 vjeç, madje me atë mëndje që kam pasur kur isha e re. Edi rrëfen se 7 maji ishte një ditë e mbushur me vizita, me telefonata pa mbarim, ndërsa në mbrëmje, një darkë surprizë për artisten tek “Taivani”. – Gëzimin e festës, na e shtoi ardhja e vajzës, Leas – thotë Mihali, që merret vesh më mirë se unë me të ëmën.

Ndërsa vetë Lea, që ka emrin e një roli, që ka interpretuar dhe është vlerësuar Edi, shprehet për “Koha Jonë”. I kam sjellë plot gjëra të vlefshme prindërve të mi, një shportë të madhe me dhurata për nënën time, por mbi gjithçka dashurinë e vajzës, që i sheh rrallë prindërit. Të njohësh  nga afër Edi Luarasin, do të thotë të jesh përballë një gruaje çapkëne, me një humor, që nuk mund të ndalësh të qeshurën,që përcjell mirësi, një femër, që  gëzon plotësisht lirinë dhe që si rrallë kush ka interpretuar me dinjitet dramën në jetë dhe në skenë.

Duke biseduar gjatë për jetën e aktores, shpejt kupton se Edi Luarasi ka qënë dhe mbetet një personazh e pandreqshme, që guxoi dhe sfidoi si asnjë tjetër gjatë jetës së saj. Vajza e bukur, këngëtarja, të mirënjohurat motrat Mirdita, aktorja e skenës dhe filmit, prezantuesja e festivalit të 11-të në RTSH, rrobaqepësja me kategori të shtatë, janë sfida të vërteta, si vetë ajo! Me gjithë jetën e trazuar, artistja interpretoi mbi 70 role në skenë, duke realizuar nga figurat e rëndësishme edhe të skenës botërore, në tre filma, duke filluar me, “Vitet e para, “Gjurmët” dhe duke u bërë e paharruar jo vetëm për artdashësin shqiptar me rolin e Afërditës tek filmi, “Ngadhnjim mbi vdekjen”.  Edi Luarasi është Mjeshtër i Madh, që mban medaljen “Naim Frashëri”dhe tek drama, “Njollat e Murrme” u vlerësua me Medalje Ari për interpretimin e rolit kryesor, Lea. Edi Luarasi është modeli i gruas shqiptare, që sfidoi dhe interpretoi me dinjitet dramën në jetë dhe në skenë. Jeta e saj  e trazuar, është kaq e pasur sa do të duheshin një seri librash për ta pasqyruar, por në këtë ditë të veçantë për të, po hedhim këto rreshta eskluzive për “Koha Jonë”, pas bisedës së gjatë që bëmë me artisten dhe pjesëtarët e familjes.

Fëmijëria

Lindi në Tiranë më 7 maj 1940 nga prindër intelektualë. I ati, Ndoc Mirdita kish kryer shkollë të lartë ushtarake në Austri. Kolonel në ushtrinë mbretërore edhe më pas deri në mbarim të luftës. Vetëkuptohet, pushteti komunist e internoi në kënetat e Lezhës dhe mbeti atje, derisa vdiq. E ëma e Edit, Çezarina Laca, mësuese, nxënëse e Fishtës dhe e Anton Harapit. Grua e rreptë, por e drejtë, e përkushtuar për arsimin, ku punoi derisa doli në pension. Duke kujtuar vitet e fëminisë, Edi rrëfen: “Mua dhe motrën, nëna mundohej të na fuste në gjak disa mësime morale, si për shembull, “mos gënjeni kurrë”, “mos u bëni keq të tjerëve”, etj., të vërteta këto që mua më kanë drejtuar tërë jetën. Ishte grua e guximshme për t’i thënë troç mendimet e saj edhe nën diktaturë. Nëna ime e bëri shumë mirë edhe detyrën e babait, që na mungonte.

Rruga në fushën e artit

Qysh kur ishte e vogël, Edi e veshur si djalë, këndonte gjithë ditën për qejfin e saj. Këndonte kudo që ndodhej, në majë të pemëve, hipur mbi mure, tamam si gjinkalla, që nuk rresht së kënduari as në piskun e vapës. Vazhdoi të këndojë edhe në shkollë, ku ra në sy të atyre mësuesve që merreshin me aktivitetet artistike , duke u bërë pjesë e konkurimeve mes shkollave. Më pas, u bë pjesë e aktiviteteve të Shtëpisë së Pionierit, ku bashkë me të motrën Fildën, organizuan duetin, “Motrat Mirdita”.

Sikurse tregon vetë Edi, ashtu edhe motra e saj, 2 vjet më e madhe, Filda, natyra e saj, deri në moshën13-14 vjeç ishte ajo e një djali sherrxhi që ishte bërë, “tmerri i lagjes”. Edi rrihej me çuna, nuk guxonte kush t’i hidhte ndonjë fjalë të keqe se ia kthente me grushta, madje edhe me gurë.

Kur pret të festojë 70-vjetorin, Edi kujton detaje nga fëminia. “Shkolla nuk më ka pëlqyer kurrë. Nuk mund të rrija gjithë paraditen e gozhduar në bankën e klasës, prandaj shpesh e prishja orën e mësimit me lloj-lloj marifetesh. Kujtoj një rast. Ishte  dimër. Ma dha truri, që për të prishur orën e mësimit, nxora nga vendi qyngjin e sobës dhe klasa u mbush me tym. Kjo pati pasoja, pasi më thyen notën e sjelljes! Ishte koha kur do të organizohej festivali artistik i shkollave dhe mësuesit zunë të më luten që të këndoj, që t’i sillja fitoren shkollës. Unë ju thashë: Më hiqni dënimin, ndreqmani notën, përndryshe nuk këndoj! Mësuesja më tha: “Këndo dhe pas festivalit do të ta ndreqim”! Jo, jo – u përgjigja. Ma ndreqni tashti, po të doni”! Deshën, s’deshën ma ndreqën notën. “Ime motër, që ishte më e madhe, por e kundërta ime, qante dhe më lutej të mos bëja nga këto veprime. Ajo mësonte dhe ishte e rregullt”.

Karriera artistike

-Mbasi mbarova shtatëvjeçaren, kujton Edi, pa dëshirën time më dërguan në Shkollën Tregtare , sa larg natyrës dhe pasionit tim ishte kjo shkollë. Ishte zëri dhe talenti, që më ndryshuan drejtimin e jetës. Në vitin 1954, krijohet Estrada Profesioiniste e Ushtarit dhe dueti, “Motrat Mirdita” thirret të punojë atje. Kështu, në moshën 14 vjeç, kënga më bëri me rrogë. Po, nga unë harrakatja, nëna merrte rrogën dhe një rrogë e mirë, por përfitoja edhe triskat e ushqimeve. Përfitimi kryesor ishte artistik. Kishte pedagoge kantoje dhe mësimi i notave muzikore, njohja dhe familjarizimi me skenën, ishin faktorë me rëndësi për të ardhmen time si artiste dhe koha e tregoi.

Në vitin 1956, na kërkojnë në Teatrin e Estradës së Shtetit, që në atë kohë, ky teatër ishte më i kërkuari nga spektatorët. Shfaqjet ishin të përnatshme dhe “thyheshin dyert” për bileta, të cilat në ditët e premierave shiteshin me autorizime. Tashmë Edi Luarasi u bë një këngëtare shumë e njohur dhe e duatrokitur. Në këto rrethana ajo braktisi shkollën tregtare dhe ndoqi “pa shkëputje nga puna” Liceun Artistik të Tiranës, “Jordan Misja”.

 Njohja me regjisorin

Regjisori, Mihal Luarasi tregon me gojën e tij njohjen me Edin dhe sesi lindi dashuria mes tyre. Sapo isha kthyer nga studimet në Hungari dhe ishte pikërisht viti 1957, kur shkova në Estradën e Shtetit Edi më kish pëlqyer një vit më parë, kur jo drejtpërdrejt i propozova ta vija në provë për një rol në Teatrin Popullor. Përgjigjia që mora prej saj ishte: “Nuk më pëlqen teatri”. Kur e kujtojmë sot këtë moment, na vjen për të qeshur, pasi për ironi të fatit refuzoi atë që do të bëhej pak më vonë, karriera dhe pasioni i jetës së saj. Edi, jo vetëm shmangu aktivizimin në teatër, por “eliminoi” edhe regjisorin, që e simpatizonte, për të cilin ishte shprehur: “Na ka ardhur një regjisor i ri mëndjemadh, që nuk më pëlqen fare”.

Por fatin e saj edhe timin, ky opinon i shprehur me ngut nuk rezistoi shumë dhe ndoshta në subkoshiencën e saj fshihte diçka tjetër që nuk vonoi të shfaqet: simpatia… Mbasi u miqësuam, gjetëm gjuhën dhe u martuam – për të kaluar bashkë një jetë të trazuar – thotë regjisori.

Çapkënllëqet e Edit

Jeta e aktores është e mbushur edhe me çapkënllëqe, që nuk njohin moshë. Disa nga çapkënllëqet e Edit, që mbahen mënd; Heqja e  tubit e sobës në klasë që prishi orën e mësimit, për të cilën drejtoria e shkollës i uli notën në sjellje. Veprime të tilla në shkollë ishin të pafundme.

 Si hyri në shtëpinë e Kico Ngjelës… tregon e motra, Filda. “Kur kisha mbushur 15 vjece, u futa në punë në Ushqimore, ku ishte drejtor Afrim Celi, të cilit i mbahej pak goja. Numri i telefonit në zyrën e tij ishte 24 24. Ne nuk kishim telefon në shtëpi, kështu që Edit i shkrepi në kokë dhe futet nga veranda me xhama në shtëpinë e Kiço Ngjelës, që në të vërtetë ishte shtëpia jonë, por që na e kishin sekuestruar. Ajo telefonoi drejtorin Afrimin, që e pyeti: “Alo, ku… ku… kush je?”! Edi i përgjigjet: E di ve… ve… vetë se ku… ku… kush jam. Po tttt… tiii… k… ku… kush jee?”! Pasi bëri telefonatën doli menjëherë nga veranda dhe na tregoi se çfarë kishte bërë. Nënës i vinte inat, por edhe për të qeshur me të bijën trazovaçe, por ne ishim mësuar me prapësitë e saj dhe nuk do t’ia kish vënë re as Kiço Ngjela, që në atë kohë ishte Ministër Tregtie.

Edi bën grusht me çunat e lagjes, se i ngacmuan motrën

Ndërsa ecnim tok me Edin, – tregon e motra, disa djem më hedhin rromuze. Kuptohet, isha më e madhe dhe kjo ndodhte shpesh me vajzat, që ishin edhe të pashme. Edi kaloi një rast, dy dhe të tretin nuk e përtoi. Ajo hoqi xhaketën dhe ia plasi me grusht djalit të fundit që kish ngacmuar dhe më pas ia mbathi vrapit. Por kjo nuk ishte as e para as e fundit. Edi më mbronte gjithmonë nga djemtë, por ajo nuk i donte këto veprime dhe rruga e vetme e zgjidhjes ishte grushti. Duke qenë se rrinte me flokë të shkurtra dhe veshur me pantallona, shumëkush e dinte që ishte vëllai im. “I forti i lagjes” dhe kjo kish frenuar ngacmimet e djemve, kur kalonim rrugës – përfundon ajo.

 Edi lagte vajzat nga maja e fikut

Pemët kanë qënë miqtë më të afërt për Edin.Nuk kish mbetur pemë në lagje pa hipur e zbritur çapkënia, veçanërisht kur shërbenin si strehë për t’u feshur pas gabimeve që bënte. Fiku afër shtëpisë përdorej prej saj për të ngacmuar vajzat e djemtë që kalonin rrugës. Ata kthenin kokën për të diktuar se kush i ngacmonte, por ajo fshihej mes gjetheve majë të fikut, që e mbronin shumë mirë. Nuk mund të harroj një rast, që kur e kujtojmë nuk na pushon e qeshura. Një ditë po kalonin balerinat që përgatiste mjeshtri Panajot Kanaçe, ishte rruga e tyre nga kalonin gjithmonë. Edi i pa nga larg dhe u ngjit shpejt në majë të fikut me topin e shpuar të mbushur me ujë dhe i lagte. Ato shihnin rrotull, ngrinin sytë lart, nëse po binin pika shiu, por asnjëherë nuk e mësuan se kush i ngacmonte, kush i lagte. Ato u detyruan të ndryshojnë rrugën. Në majë të fikur Edi këndonte shpesh këngën e saj të preferuar, “Këndon bilbili poshtë zallit” dhe nuk i bënte përshtypje se e dëgjonte jo vetëm Kiço Ngjela, por edhe Ramiz Alia, që ishte aq pranë shtëpisë.

 Në Pallatin e Brigadave, në prehrin e Enverit dhe të Nexhmijes

Vajza e bukur trazovaçe ka rastisur të jetë në grupin e fëmijve të privilegjuar që ftoheshin në Pallatin e Brigadave me rastin e festës së 1 Qershorit, apo festa të tjera.Në një rast i takoi të jetë në prehrin e Nexhmije Hoxhës, nuk i kish mbushur 5 vjeç. Duket se nuk ndjehej mirë aty dhe i futet në prehër Enverit, më pas kalonte përsëri tek Nexhmija. Me flokët e prera shkurt dhe gjunjët e bërë copë nga prapësitë e saj, askush nuk ia vinte veshin për lëvizjet që bënte. Fatmirësisht ata nuk e mësuan se e kujt ishte kjo vajzë, pasi nuk do ta kishte kurrë fatin të qëndronte në prehrin e bashkëshortëve Hoxha.

Meraku i Leas

E lidhur aq shumë me prindërit, vajza Lea thotë e shqetësuar se po ikën nga Tirana me kokën prapa, shqetësimin për prindërit e saj. “Erdhi vetë jeta ashtu që unë dhe vëllai të punojmë e jetojmë në emigrim, ndërsa meraku për ta më lë pa gjumë”. Do të punësoj një grua që t’ju shpërbejë, por meraku i vajzës nuk tretet kurrë”, thotë ajo me lot në sy.