Alfred Trebicka: Të gjithë jemi pak diktatorë në vetvete

Intervistoi: Sidorela Lepuri

Një personazh kompleks dhe shumë dimensional si “Arturo Ui”, lider, diktator, njeri human, demagog, etj., ishin këto cilësitë në petkun e të cilave u vesh së fundmi aktori i njohur, Alfred  Trebicka. Një shfaqje, në të cilën vlerësimet dhe komentet ishin nga më pozitivet, aktori, regjisori dhe pedagogu i Mjeshtrisë së Aktrimit në Universitetin e Arteve rrëfen vlerësimin më të madh që ka marrë, por jo vetëm. Me çiltërsinë dhe origjinalitetin që e karakterizon, mënyrën e tij të të thënurit të gjërave ashtu siç i mendon, në një intervistë për gazetën “Koha Jonë” Trebicka flet për shfaqjen e fundit, rolet që ka interpretuar dhe që do të dëshironte të interpretonte, raportin me kolegët, çmimet e marra, publikun, si edhe projektet e ardhshme.

Shfaqja juaj e fundit “Arturo Ui”, ku ju interpretuat rolin kryesor, është cilësuar si një shfaqje mjaft e suksesshme. Ishte e vështirë për ju të vishnit cilësitë e një diktatori, sikurse është Arturo Ui?

E vështirë është të bëhesh diktator dhe jo të interpretosh diktatorin. Një nga simbolikat e veprës në tërësi është figura e diktatorit. Unë, së bashku me regjisorin në bazë të konceptit të shfaqjes, këtë momentin e diktaktorit tek “Arturo Ui” e kemi parë në sensin që çdonjeri prej nesh është nga pak diktator në vetvete. Janë një sërë kushtesh sociale, politike etj., që çojnë në lindjen e diktatorit brenda njeriut. Jo çdo njeri mund të bëhet diktator, pasi ndikojnë një sërë rrethanash individuale dhe kolektive.

Të mbetemi tek shfaqja e fundit, cili ka qenë vlerësimi moral më i madh që keni marrë? Qoftë ky nga publiku, apo artistë të tjerë?

Në përgjithësi komentet kanë qenë pozitive dhe vlerësuese. Një frazë shumë domethënëse që më tha një nga kolegët e mi dhe që më ka mbetur në mendje ka qenë kjo: “Alfred, e ke shkërmoqur këtë karakter deri në indet më të imëta”. Më pëlqeu kjo frazë jo thjesht si vlerësim, por edhe si perceptim i së tërës. Çdo aktor përpiqet që ta shkërmoqë karakterin që interpreton, që do të thotë ta analizosh dhe zbërthesh karakterin në gjithë kompleksitetin e vet dhe kur bëhet fjalë për karaktere të tilla komplekse dhe multidimensionalë, kur personazhet janë njëherazi edhe njerëz, liderë, diktatorë, demagogë, pra mishërojnë shumë cilësi njëkohësisht, ky është një vlerësim shumë i madh.

Aktor, regjisor dhe pedagog i Mjeshtrisë së Aktorit në Universitetin e Arteve. Nëse për një moment do t’ju duhej të zgjidhnit t’i përkushtoheshit vetëm njerës prej tyre, cilën do të zgjidhnit?

Nuk i ndaj dot. Tani unë i kam zgjedhur këto dhe i kam bërë pjesë timen.

Fitues i një sërë çmimesh, si çmimi “Kult”, apo “Aktori më i mire” në Festivalin e Preshevës. Çfarë domethënie kanë për ju çmimet dhe a janë gjithmonë tregues i punës së kryer?

Çmimet sigurisht janë moment vlerësimi dhe mirënjohjeje ndaj punës së bërë. Në parim le të themi janë tregues i punës së bërë, por duke parë në rajonin tonë puna e çmimeve e ka humbur vlerën dhe seriozitetin, sepse janë bërë çmimet si puna e doktoraturave në arsim. Në këtë sens është për të ardhur keq puna e ndarjes së çmimeve. Thelbi i dhënies së një çmimi në fund të fundit është të bëjë diferencimin dhe të strukturojë një hierarki vlere.

A vlerësohen sa duhet artistët në vendin tonë, qoftë moralisht, apo materialisht?

Në kuptimin moral marrin pjesërisht sadisfaksion, ndërsa në kuptimin material është për të mos folur fare. Pagesat janë shumë qesharake dhe gati të pakonsiderueshme. Por vlerësimi  real që merr një artist është puna, vepra e tij si edhe impakti që lë tek spektatori. Nëse spektatori merr të gjitha idetë, mendimet që ti ke dashur të përcjellësh nga vepra, atëherë ti je vlerësuar dhe e ke marrë çmimin.

Dashuria juaj për teatrin është një dashuri e hershme, apo e kultivuar me kohën?

Nuk ka dashuri të hershme, këto janë utopi. Dashuria për një drejtim të caktuar artistik është një gjë që lind dhe kultivohet falë talentit, përkushtimit dhe sakrificave të mëdha.

Keni studiuar në Danimarkë dhe më pas jeni rikthyer në Shqipëri. Ndodh të pendoheni për këtë fakt?

Në përgjithësi të gjitha vendimet që marr i bluaj mirë e më pas marr vendimin që të mos bëhem pishman. Penduar? (qesh) Në aspektin profesional nuk jam penduar, mbase në aspektin social po. Ndodh të lexoj informacione që Danimarka është vendi më i mirë për të jetuar për shkak të standardit, mirëqënies dhe në këtë pikë mund të kem një lloj pishmani të vogël që nuk jam pjesë e këtij vendi. Njeriu jeton mirë atje ku realizon ëndrrat, dëshirat dhe pasionet e veta. Mbase atje do të kisha jetuar mirë në aspektin social, por në aspektin profesional nuk do të kisha bërë ato që kam bërë këtu.

Bashkëshortja juaj, Violeta Trebicka është gjithashtu një aktore. Partnere në jetë dhe kolege në profesion. Na tregoni pak për këtë raport…

Në fakt ka shumë për të treguar.

Si është të punosh me të?

Kemi punuar në shumë projekte bashkë. Mënyra sesi ne kemi ndërtuar jo vetëm marrëdhënien profesionale, por edhe të gjitha marrëdhëniet e tjera na rezulton produktive. Tashmë jemi prej më shumë se 25 vitesh bashkë dhe e kuptojmë njëri-tjetrin pa qenë nevoja të flasim. Kot nuk thuhet që dy njerëz që jetojnë shumë kohë bashkë fillojnë e marrin nga njëri-tjetri, qoftë edhe psiko-fizikisht. Dhe kjo profesionalisht funksionon mirë. Ke një partnere, apo partner që kuptohesh shumë mirë, e nuhat qënien që ke në kontkat dhe kjo të jep një komfort skenik. Bashkëpunimet janë të frytshme, duke parë parasysh që nuk është e lehtë të gjesh personat e duhur për të bashkëpunuar.

Meqënëse jemi tek bashkëpunimet, ju ka ndodhur të bashkëpunoni me njerëz që nuk keni dashur, apo që nuk keni një simpati ndaj tyre?

Sigurisht. Kam bashkëpunuar me kolegë që nuk kam ndonjë raport miqësor dhe aty bëhet diferenca mes profesionistëve dhe amatorëve. Nuk kam paragjykuar asnjëherë dhe kur më kanë paragjykuar. Ne nuk duhet të ngatërrojmë profesionin me pjesën pas profesionit.

Ashtu sikurse e thamë edhe më lart prej vitesh jeni pjesë e botës së teatrit. Çdo dalje para publikut, është një emocion i ri?

Absolutisht që po. Në momentin që nuk do të jetë më një emocion i ri, do të thotë që ka ardhur koha të heqësh dorë nga kjo punë. Brenda këtij emocioni të përhershëm, përvoja si edhe eksperienca të dhurojnë një magji në kontaktin e emocionit tënd me emocionin e publikut. Ky është një moment magjik. Kjo puna e emocionit është si puna e prushit të zjarrit që duhet mbajtur ndezur dhe nëse shuhet kjo ndjesi më mirë tërhiqu dhe ik.

Çcdo rol në vetvete është i veçantë, por disa prej tyre mbeten më gjatë në memorie. Cilat janë këto role për ju?

E thashë edhe në fillim që pas disa vitesh karriere çdo njeri bën një rezyme të përgjithshme të karrierës së tij dhe roleve të interpretuara dhe unë kam arritur në një lloj konkluzioni se në përgjithësi të gjitha rolet që kam luajtur jam përpjekur t’i çoj tek niveli mire. Ka që janë shkëlqyeshëm, ka të tjerë që janë shumë mirë, ka edhe të tjerë jo mirë. Është normale.

Po rolet që do të doje të luaje?

Ka plot. Janë një mori autorësh që vërtiten brenda mendjes dhe shpirtit që të materializohen. Një nga autorët e mi të preferuar është Dostojveski dhe në kontekstin e kësaj që po flasim fatkeqësisht Dostojevski nuk ka shkruar dramë, por veprat e tij në vetvete kanë dramë.
A ka mundësi t’i luaj të gjitha ato që ka shkruar ai? (Qesh) Por nuk i luaj dot. Pas Dostojevskit, vjen Çehovi, Shekspiri e një mori autorësh të tjerë.

Keni bërë kompromise për hir të profesionit?

Kompromiset bëhen dhe duhen, por jo të bastardojnë. E kam fjalën për kompromise të padëmshme dhe që i bëjnë mirë punës, prandaj them që kompromisi nuk duhet të humbasë balancën me profesionalizmin.  

Shoqëria jonë në vetvete është një shoqëri shumë problematike. Sa të pasqyruara janë problemet e shoqërisë në teatër?

Pyetje e mirë. Ideja është që të ngacmohet publiku edhe të reagojë, qoftë edhe live. Çdo vepër mund të trajtojë një problem të caktuar dhe kur spektatori reagon, bën dialog me njerëzit e skenës, atëherë impakti do të jetë i madh dhe i frutshëm. Teatri është pasqyra e civilizimit dhe standardeve të një shoqërie.

Për ta përmbyllur, cilat janë planet tuaja të ardhshme?

Kam një projekt prestigjioz me një mikun tim, regjisor turk që pritet të fillojë tani nga gjysma e muajit maj. Po ashtu është një tjetër projekt në Teatrin e Metropolit ku do të vijë një regjisor gjeorgjan dhe do të vendoset Hamleti. Unë sigurisht nuk do të luaj Hamletin, por do  të luaj një rol po aq të bukur sa Hamleti. Kam edhe një projekt tjetër teatror që është me teatrin e Prishtinës, i cili mund të bëhet këtë sezon, ose në tjetrin. Këto janë projektet që momentalisht kanë një marrë një formë më konkrete.