Kompania kineze vë kushte për Rrugën e Kombit

Qeveria është në prag të një marrëveshje me kompaninë kineze “China State Construction Company” për ndërtimin me partneritet publik –privat, të 26.8 kilometra në rrugën e Arbrit që synon të lidhë Tiranën dhe Maqedoninë për një orë e pak minuta.

Por kompania kineze që do të ndërtojë pjesën e mbetur ka vënë një kusht në lidhje me pagesën që do të rrjedhin nga trafiku. – “Nëse nuk realizohet fluksi i lëvizjes prej 7 mijë automjetesh për 24 orë, atëherë qeveria shqiptare do te duhet të kompensojë kinezët ECSCC për trafikun e munguar”, pohuan burimet në Autoritetin e Rrugor shqiptar.

Po të njëjtat burime konfirmuan se trafiku në këto nivele është vështirë të realizohet, pasi edhe Rruga e Kombit që lidh zona, ku trafiku është më i lartë, nuk ka arritur në këtë nivel lëvizjeje.

Pikërisht normat e ulëta po e mbajnë peng edhe dhënien me koncension të Rrugës së Kombit, pasi kompanitë e interesuara janë tërhequr disa herë nga procesi për shkak të leverdisë së ulët.

Rruga fillon në dalje të qytetit të Tiranës, rrëzë malit të Dajtit, mbasi kalon segmentet e projektuara, tenderuar dhe në proces ndërtimi nga ARRSH-ja, dhe si segment i pafilluar ka një gjatësi prej 26.8 km, me gjerësi 10.5 m, me dy korsi të asfaltuara me gjerësi nga 3.75 m dhe me shpejtësi të projektuar 50-60 km/orë.

Në këtë segment parashikohet ndërtimi i 15 urave të mesme dhe të mëdha, me gjatësi totale rreth 1 500 ml, ndërtimi i dy tuneleve, me gjatësi respektive prej 2 600 dhe 560 ml. Gjithashtu, parashikohet ndërtimi i rreth 106 copë tombinove si dhe ndërtimi i katër intersektimeve.

Zbatimi i projektit për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës se Arbrit do të ketë impakt pozitiv, ekonomik, social dhe kulturor, duke shkurtuar distancat lidhëse të qyteteve dhe zonave të banuara si dhe do të realizojë standarde të larta teknike në të gjitha fazat e projektit.

Implementimi i këtij projekti do të rritë jo vetëm standardet e rrugëve në vend, por gjithashtu do të sjellë nxitjen e punësimit dhe zhvillimin ekonomik në zonat ku shtrihet projekti. Ky segment rrugor do të rritë bashkëpunimin ndërmjet vendeve fqinje, duke bërë të mundur shkurtimin e gjatësisë së tij me 75 km.

Rruga e Arbrit do të përfundojë në vitin 2018.

Burimet nga Ministria e Transportit bënë me dije se, projekti 35 kilometra kushton 270-300 milionë euro, do të financohet nga banka “Chinese Exim Bank” dhe do të ndërtohet me anë të një koncesioni me partneritet publik-privat po nga kompani shtetërore kineze.